1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Egjipti bëhet çdo ditë më pak i qendrueshëm

Në luftime në rrugë me policinë në Kairo, pas vendimit të një gjykate u vranë tri demonstrues. Protestat u drejtuan kundër forcave të sigurisë dhe vëllezërve myslimanë - dhe ato po shtohen në të gjithë vendin.

Shtëllunga të trasha gazi lotsjellës rrethonin hyrjen e hotelit luksoz të Kairos, Semiramis. Ky hotel ndodhet drejtpërdrejt buzë Nilit dhe në afërsi të Sheshit Tahrir të Kairos. Që prej ditësh këtu nuk takon më tregtarë, por demonstrues dhe njësi paraushtarake të policisë, të cilët përfshihen herë pas here në përleshje. Demonstruesit hedhin gurë dhe fishekzjarre, policia përgjigjet me gaz lotsjellës, por edhe me municion luftarak. Nuk kalojnë shumë minuta pa dëgjuar të shtëna. Anwar është njeri nga demonstruesit më të varfër:

"Sot ne demonstruam dhe policia na sulmoi. Ata nisën të hapin zjarr dhe vranë dy nga ne. I pashë me sytë e mi të vrarët. Njëri ishte rreth 13 vjeç, tjetri ishte më i moshuar. Njërin e kishin qëlluar në kokë."

Trazirat që po shtohen në të gjithë vendin janë drejtuar në radhë të parë kundër aparatit brutal policor, por edhe kundër politikës së vëllezërve myslimanë. Vendimi i gjykatës i së shtunës (09.03.2013) i hodhi edhe më tej benzinë zjarrit. Para rreth një viti, mbi 70 tifozë të Klubit të fansave, Al-Ahli humbën jetën në një ndeshje futbolli në qytetin port Said. Shumë të dhëna flasin që anëtarë të aparatit të sigurisë e lejuan me qëllim dhunën.

Trazira në Egjipt

Trazira në Egjipt

Gjykata tani konfirmoi vetëm 21 dënime me vdekje të shpallura kundër fansave të klubit futbollistik Port Said. Prej nëntë policëve të nxjerrë para gjykatës u dënuan vetëm dy policë të rangut të lartë secili me 15 vjet heqje lirie. Para së gjithash me këtë ka të bëjë intensiteti i dhunës së tanishme, mendon Muhamedi 17 vjeçar, një demonstrues tjetër:

"Vendimi është i padrejtë. Është në rregull që të ekzekutohen ata 21 vetët, sepse kanë vrarë njerëz. Por është edhe e padrejtë: ministria e Brendshme ishte ajo që e bëri këtë masakër. Dhe shumica e të akuzuarve të Ministrisë u shpallën të pafajshëm."

Grevë policore në shumë qytete egjiptiane

Vetë policia ka disa ditë që ka dalë në grevë në disa qytete të Egjiptit. Nga njëra anë policët kërkojnë largimin e Ministrit të Brendshëm dhe armatim më të mirë. Nga ana tjetër, policët nuk duan që të shpërdorohen më për të zgjidhur konfliktet politike në rrugë. Pas kësaj qendron fakti, që vëllezërit myslimanë ka kohë që refuzojnë të bëjnë kompromise më opozitën dhe përpiqen ta monopolizojnë për vete aparatin shtetëror. Rritja drastike e numrit të protestave në vend drejtohet në fund të fundit kundër kësaj sjelljeje. Policia ka gjithnjë e më pak dëshirë që ta zbatojë me dhunë politikën e vëllezërve myslimanë.

Nga ana tjetër, edhe moskryerja deri më sot e reformës së aparatit të sigurisë paraqet ndërkohë një problem të madh. Shumë policë torturojnë dhe rrahin si më parë, pa dhënë llogari për këtë.

Që sjellja e policisë është një nga shkaqet kryesore të trazirave aktuale, këtë e tregon edhe situata në Port Said. Në fakt aty priteshin trazirat më të mëdha. Por pikërisht atje gjendja mbeti e qetë, pasi policia atje hoqi dorë thuajse krejtësisht nga ndërhyrja. Situata në qytetet e tjera mbetet e paqartë. Në to janë krijuar mjaft komitete qytetarësh, në përbërje të të cilave ka edhe islamikë radikalë.

Autor: Matthias Sailer/ Auron Dodi

Redaktoi: E. Xhani