1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Egjipt - SHBA kritikojnë këshillin ushtarak dhe këmbëngulin për mbajtjen e zgjedhjeve

SHBA është thellësisht e shqetësuar në lidhje me përleshjet e përgjakshme në Kajro. demonstruesve nga forcat e sigurisë. Sidomos përdorimi i një gazi lotsjellës të prodhuar në SHBA, duket se ka prekur qeverinë amerikane.

Presidenti amerikan Barack Obama

Presidenti amerikan Barack Obama

Për tri ditë me rradhë administrata e Obamës shmangu çdo kritikë ndaj këshillit ushtarak të Egjiptit. Për shkak se Uashingtoni nga asgjë nuk ka frikë më shumë se nga një vakum pushteti në Kajro. Por duke pasur parasysh numrin e lartë të të plagosurve dhe të viktimave në sheshin Tahrir, qeveria amerikane u desh të heqë dorë nga përmbajtja e saj diplomatike. Mark Toner, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të SHBA-së, shprehu shqetësim: "Vala e dhunës na bën të shqetësohemi dhe ne dënojmë edhe një herë mjetet ekscesive, që forcat e sigurisë përdorin ndaj demonstruesve."

Dhe pastaj zëdhënësi i ministrisë së Jashtme u bëri thirrje forcave të sigurisë së Egjiptit për të treguar përmbajtje maksimale dhe disiplinë.

Administrata e Obamës është e zënë ngushtë, për faktin se ministria e Brendshme e Egjiptit dhe policia përdorin ndër të tjera një gaz lotsjellës të prodhuar në Shtetet e Bashkuara.

Gazi lotjsellës i përdorur nga policia i prodhuar në Pensilvani

Pamje nga protestat në Kajro

Pamje nga protestat në Kajro

Ky gaz CS jashtëzakonisht agresiv, sipas raporteve të medias amerikane dhe britanike, është prodhuar nga kompania "Combined Systems Incorporation CSI" nga Jamestown në shtetin amerikan të Pensilvanisë. Eshtë i njëjti gaz lotsjellës, që përdor policia izraelite gjatë përleshjeve me demonstruesit palestinezö.

"Në mbarë botën ne pajisim forcat ushtarake dhe policore me municionin tonë taktik", thuhet në faqen e internetit të kompanisë amerikane, që kishte furnizuar edhe regjimin tunizian të ish-diktatorit Ben Ali. Eksportimi i gazit lotsjellës forcave të sigurisë të policisë jashtë vendi ështö i ligjshëm dhe për këtë arsye nuk mund të ndalet, thuhet nga pala amerikane.

Me shqetësim regjistron qeveria amerikane thirrjet e shumë demonstruesve, për të shtyrë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të planifikuara për të hënën (28.11.): "Këto zgjedhje do të zhvillohen të hënën. Popullsia e Egjiptit duhet të shprehë vullnetin e vet politik, përkatësisht në kutitë e votimit."

Administrata Obama nuk e quan të arsyeshme kërkesën për të shtyrë zgjedhjet për shkak të valës së dhunës dhe për të zëvendësuar qeverinë e urryer ushtarake të marshalit Tantavi me një këshill të pleqve. "Ne besojmë se zgjedhjet parlamentare do të mund të mbahen", tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme amerikane.

Marshali Tantavi konsiderohet në Uashington, si aleat besnik

Mohamed Hussein Tantawi, Kryetari i Këshillit të lartë ushtarak

Mohamed Hussein Tantawi, Kryetari i Këshillit të lartë ushtarak

Ashtu si ndaj ish-presidentit Mubarak, administrata e Obamës përpiqet të ketë tone të përmbajtura ndaj sundimtarit të tanishëm ushtarak Tantavi. Sepse ashtu si Mubaraku feldmarshali Tantavi konsiderohet në Uashington si aleat besnik, pasi ai në vitin 1991 gjatë Luftës së Gjirit ka udhëhequr trupat e Egjiptit përkrah Shteteve të Bashkuara kundër diktatorit të Irakut, Sadam Husein.

Në bisedën e fundit telefonike me Tantavin muajin e kaluar Presidenti amerikan Obama kishte lavdëruar sundimtarin e Egjiptit për gatishmërinë e tij për të pranuar në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm në Egjipt vëzhgues ndërkombëtarë.

Sipas vlerësimeve amerikane revolucioni egjiptian tani ka hyrë në periudhën e tij të dytë vendimtare. Dhe në administratën e SHBA-së po rritet shqetësimi nga një kaos i pakontrollueshëm në vendin më të rëndësishëm aleat pas Izraelit në Lindjen e Mesme. Ndërkohë administrata e Obamës është duke u përpjekur për lirimin e tre studentëve amerikane nga një burg në Kajro. Të tre akuzohen se kanë sulmuar ministrinë e Brendshme egjiptian me lëndë ndezëse.

Autor: Ralf Sina/Angjelina Verbica

Redaktoi: Mimoza Kelmendi