1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Efektet e acarimit politik tek përgatitjet për zgjedhjet parlamentare

Dy partitë opozitare në Shqipëri, Partia Demokrate e ajo Republikane nuk kanë paraqitur anëtarët për komisionet zonale zgjedhore. Vendet e tyre do të plotësohen nga shoqëria civile. Kriza politike si krizë zgjedhore.

Protesta e pandalshme e opozitës së djathtë në qendër të Tiranës nga 18 shkurti mbetet me dy kërkesa kryesore qeveri teknike dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sipas Partisë Demokratike, PD, dhe aleatëve të saj nuk mund të ketë zgjedhje të lira me qeverinë aktuale, ndaj dhe ky është argument për një qeveri kujdestare me bazë të gjerë. Mosprezeca e deputetëve të saj në parlament, veç bllokimit të reformës në drejtësi, po jep edhe efektet e para në këtë periudhë përgatitore të infrastrukturës zgjedhore.

Demokratët dhe Republikanët nuk kanë paraqitur emra konkretë për anëtarë të komisoneve zonale të votimit, ose KZAZ. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, duke iu referuar ligjit, ka bërë shpallje publike që vendet bosh të plotësohen nga rradhët e shoqërisë civile, në një përpjekje që të mos bllokojë punën në këto komisione që kanë një peshë shumë të rëndësishme në votime.

Ka shumë mosbesim mes palëve kryesore në proces

Prof. Kristaq Kume, një nga ekspertët më të njohur në Shqipëri për sistemet zgjedhore, mendon se problemi më i madh në këtë fazë të përgatitore për zgjedhjet e 18 qershorit 2017 është performanca e subjekteve politike në lidhje me detyrimet që ato kanë në zbatimin e Kodit Zgjedhor për mbarëvajtjen e votimeve. Siç mund të kuptohet lehtë ka ngarkesa politike në prag të këtyre zgjedhjeve, të cilat shkojnë deri dhe në qëndrime publike për mospjesmarrje në votime, shprehet prof. Kume për Deutsche Welle-n.

"Këto vërtet që janë veprime politike, por ato ndikojnë në frymën e përgjithshme të përgatitjeve, ku ka shumë mosbesim mes palëve kryesore në proces. Ja shikoni seç po ndodh me ndërtimin e administratës zgjedhore, komisionet e nivelit të dytë, ose siç quhen KZAZ, komisionet zonale të administrimit zgjedhor”.

Kristaq Kume Albanien (DW/A. Muka)

Përsëritje e 2011-s?

Ky është rasti i dytë në Shqipërinë e tranzicionit, që partitë refuzojnë të paraqesin anëtarë për komisionet zonale të votimit. Në zgjedhjet lokale të vitit 2011, Partia Socialiste, atëherë në opozitë nuk pranoi të ofronte kandidatë, madje ajo tërhoqi dhe tre anëtarët e saj në KQZ . Në atë kohë Kodi Zgjedhor i Republikës, nuk e parashikonte një situatë të tillë, ndaj KQZ me votat e anëtarëve të mazhorancës mori një vendim të posaçëm që vendet bosh të opozitës të ziheshin nga përfaqësues të shoqërisë civile. Dhe ata u emëruan në komisionet zonale. Por disa javë para zgjedhjeve, opozita e atëhershme vendosi t'i dërgojë kandidatët e saj në KZAZ-të. Përballë këtij fakti, KQZ iu bëri thirrje përfaqësuesve nga shoqëria civile të emëruar, që të jepnin dorëheqje dhe në vend të tyre u ulën përfaqësuesit e opozitës.

Eksperti i sistemeve zgjedhore, prof. Kristaq Kume, kujton se në vitin 2012 parlamenti e sanksionoi dhe në Kodin Zgjedhor këtë procedure. "Që do të thotë se kur një ose disa parti nuk dërgojnë anëtarë në komisionet zonale, KZAZ, atëherë, ata, sipas Kodit zëvëndësohen nga qytetarët. Pikërisht këtë dispozitë të ligjit është duke zbatuar KQZ në prag të zgjedhjeve të 18 qershorit. Por nuk është e qartë nëse do të ketë përsëritje të asaj që ndodhi në vitin 2011, kur në momentet e fundit opozita e djathtë të ndërrojë mendje për të dërguar anëtarët e saj në KZAZ-të”.

Kodi Zgjedhor ka lënë hapësira deri në 30 ditë para së të shkohet në votime, pra deri në 18 maj 2017, që demokratët dhe republikanët mund t'i dërgojnë përfaqësues të tyre në KZAZ. Si rrjedhojë të emëruarit nga publiku zëvendësohen me ta. Po një skemë alternative parashikon Kodi Zgjedhor edhe për plotësimin e vendeve vakante në komisionet e qendrave të votimit, me qëllimin që të mos ndërpresë për asnjë rast procesin.

Zentrale der Wahlkommision in Tirana (DW/ Arben Muka)

Monitorimi i procesit të hartimit të listave të votuesve

"Aspekt i rëndësishëm në përgatitjet e zgjedhjeve të 18 qershorit është dhe regjistrimi i partive politike dhe koalicioneve, të cilat duhet të përfundojnë dy muaj para ditës së votimeve. Një problem që duhet të ndjekë KQZ është dhe ai i listave të votuesve. Kodi nuk përcakton detyra funksionale për KQZ-në në hartimin e listave të votuesve, por i jep detyra për monitorimin e procesit të hartimit të këtyre listave. Përcaktimet ligjore janë të qarta dhe me afate, nga listat paraprake, njoftimi i votuesve derë më derë e deri tek koha që kanë qytetarët për të raportuar probleme në rast se ka me vendodhjen e tyre, sipas zonës ku ata janë rezidentë”, thotë për Deutsche Welle-n, prof. Kume.

Pjesmarrja e opozitës në zgjedhje

Opozita po reziston në kërkesën e saj për mosorganizimin e zgjedhjeve me qeverinë aktuale të z. Rama. Vetë kryeministri ka përsëritur disa herë se pretendimet e opozitës janë justifikim për humbjen e zgjedhjeve dhe kanë qëllim bllokimin e reformës në drejtësi. Por dita e premte, (24.03), shënoi një hap konkret për vendosmërinë e opozitës për të mos u bërë pjesë e procesit zgjedhor.

Sapo presidenti i republikës, Bujar Nishani, dekretoi  zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale në Kavajë, pas largimit të kryetarit të bashkisë atje nga efektet e ligjit të dekriminalizimit, kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, tha se opozita nuk do të bëhej pjesë e asnjë procesi votimesh me këtë qeveri, duke paralajmëruar bojkot në votimet e 7 majit në Kavajë. Nëse PD do të hyjë në këtë garë, kjo zyrtarisht ka dhe disa javë sa të mbarojë afati i regjistrimit të kandidatëve.

Gjithsesi ky do të ishte dhe test i rëndësishëm për vendimin final të opozitës për pjesmarrje në votimet parlamentare të 18 qershorit.  Nuk është e qartë nëse mes palëve në këtë rrethanë të tensionuar dhe mosbesuese a ka hapësira për gjetjen e ndonjë kompromisi, apo do të kemi refrenin e politikës shqiptare të tranzicionit mbi 25 vjeçar, që i ushtron presion për vendimarrje faktori ndërkombëtar.