1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Edukata fetare në Kosovë

Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Ternava ju është drejtuar deputetëve të Parlamentit të Kosoves me një shkresë, me anë të së cilës kërkon futjen e Edukatës Fetare në sistemin e rregullt të arsimit publik.

Myftiu Naim Ternava kërkon futjen e Edukatës Fetare në sistemin e rregullt të arsimit publik.

Myftiu Naim Ternava kërkon futjen e Edukatës Fetare në sistemin e rregullt të arsimit publik.

"Qëllimi i mësimit të edukatës fetare në arsimimin fillor e të mesëm, është që nxënësit gjatë rritës dhe zhvillimit të tyre të fitojnë njohuri për fenë e tyre me të gjitha dimensionet e saj, duke filluar nga ana shpirtërore, morale, edukative, sociale dhe humane; kjo, në një kohë kur po zbehen vlerat shpirtërore tek njeriu, kur shumë dukuri negative kanë mbërthyer shoqërinë tonë dhe rinia ka filluar të bëhet pre e drogës, prostitucionit, alkoolit" - thuhet ndër të tjera, në kërkesen e Myftiut të Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Ternava drejtuar jo fort larg deputëteve të Parlamentit të Kosovës. "Këtë nuk e kemi kërkuar vetëm për nxënësit muslimanë. Përkundrazi! E kemi kërkuar për të gjitha përkatësitë fetare tradicionale të Kosovës. Për më tepër, kur këtë praktikë shumë vende të Evropës tashmë e kanë rregulluar. Ish studentë të Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, sot japin mësimin fetar në shkollat publike të Austrisë" - thotë Resul Rexhepi, sekretar i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës.

Ipeshkvia e Kosovës e mbështet kërkesën.

Ipeshkvia e Kosovës e mbështet kërkesën.

Kisha Katolike e përkrah iniciativën

Dr. Don Shan Zefi, Kancelar i Ipeshkivise së Kosovës thotë se Kisha Katolike e përkrah një iniciativë të tillë. "Futja e religjionit si lëndë nëpër shkolla mund të ketë përparësinë e vet, sepse jemi njerëz të cilët e kemi nevojën e madhe që tani ta njohim historinë e besimit që nga kohërat e lashta e deri më sot. Por, ne nuk dëshirojmë që të sjellim ligjërues priftërinj e hoxhallarë, por janë laikët ata të cilët duhet të ligjërojnë aspektin historik. Qëndrimi i Kishës Katolike lidhur me këte qështje tashmë dihet".

Përderisa, qëndrimin e Kishës Ortodokse Serbe, me anë të një shkresë për Deutsche Welle-n e sqaron zëdhënësi i Manastirit të Deçanit, Ati Sava Janjic, I cili ndër të tjera thotë: "Të gjithë fëmijët serbë përcjellin mësimin me planprogramin e Republikës së Serbisë, me të cilin besimi është futur ligjërisht që nga viti 2001. Ndërsa, sa i përket edukatës fetare për nxënësit serbë në Kosovë, Kisha Ortodokse Serbe ju përmbahet programeve mësimore dhe ligjeve ekzistuese të Serbisë. Mësim-besimi mbahet në të gjitha shkollat në gjuhën serbe, ndërsa lënda ligjerohet nga figura kishtare ose nga mësuesit e fesë".

Don Shan Zefi.

Don Shan Zefi.

Çështjet duhen diskutuar

Sekretari i Kryesisë së Bashkësisë Islame, Resul Rexhepi potencon se nga ligjërimi i Edukatës Fetare kanë përfituar edhe nxënësit shqiptarë që jetojnë përbrënda Republikës së Serbisë. Ndërsa, se si do duhej të përpilohej teksti, forma e ligjërimit dhe nga kush do duhej të ligjërohej kjo lëndë në Kosovë, z.Rexhepi ka këtë përgjegje: "Të gjitha këto do t´i shtrojmë në tavolinë. Si do të quhet lënda? Si do të mësohet? Sa orë në javë? A do të jetë fakultative apo e obligueshme? Jemi shumë të hapur dhe të gatshëm që për të gjitha këto të debatojmë në çdo kohë dhe në çdo vend".

Kancelari i Ipeshkvisë së Kosoves dr. Don Shan Zefi mendon se futja e lëndës së mësim besimit nëpër shkolla në formë të doktrinës dhe moralit, do të përbënte problem për një shoqëri të hapur dhe me tolerancë të shkëlqyer fetare siç është Kosova. "Karakteri historik duhet të mbizotërojë. Duhet të futet aspekti historik i lashtësisë, i mesjetës e deri më sot. Dhe, besoj se në këtë aspekt kjo nuk do të ishte fare problem".

Kisha Ortodokse Serbe pohon se nxënësit e komunitetit serb që arsimohen me planprogram të Serbisë, që nga viti 2001 mësojnë lëndën e Edukatës Fetare.

Kisha Ortodokse Serbe pohon se nxënësit e komunitetit serb që arsimohen me planprogram të Serbisë, që nga viti 2001 mësojnë lëndën e Edukatës Fetare.

Nga ana tjetër, Ismet Hajruallahu, këshilltar i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës thotë se zyra e tij nuk ka pranuar asnjë kërkesë me shkrim nga Bashkësia Islame e Kosovës. "Ne kemi informacionin se ata kanë dorëzuar kërkesën në postat personale të deputetëve të Kosovës, por zyrtarisht Parlamenti i Kosovës nuk ka marrë asnjë shkresë nga Bashkësia Islame lidhur me çështjen që ju ngrini. Po ta merrnim, ajo është një procedure e rregullt që fillimisht i dorëzohet komisioneve, pastaj komisionet i drejtohen kryesisë dhe kryesia merr vendimin për ta futur apo jo në séancë plenare një çështje që është ngritur nga Bashkësia Islame”.

Kosova është shtet laik

Z.Hajrullahu precizon se Kosova me Kushtetutën e saj është shtet laik dhe me këtë nuk lejohet ligjërimi i mësim besimit në sistemin arsimor publik të Kosovës. Ndërsa, sekretari Rexhepi thotë se Bashkësia Islame e Kosovës beson në realizimin e kësaj kërkese në një të ardhme të afërt: "Unë shpresoj se kërkesa jonë do të hasë në mirëkuptim te faktorët relevante vendimmarrës në Kosovë. Një ditë do të realizohet kjo! Por më mirë është që të bëhet me kohë dhe mos të ngelim prapa nga bota demokratike, por këtë çështje ta rregullojmë siç e kanë rregulluar të tjerët. Përvojën e mirë pse mos ta huazojmë?“

Resul Rexhepi

Resul Rexhepi

Në arsyetimin e kërkesës së Bashkësisë Islame të Kosovës drejtuar deputetëve të Parlamentit thuhet se "qëllimi i inkorporimit të lëndës së mësim-besimit përbrenda sistemit arsimor të Kosovës është që gjeneratat e reja të informohen mbi religjionet në botë, në përgjithësi si dhe me religjionet të cilave u përkasin popujt e Kosovës, në veçanti. Ndërsa, krahas shtyjes pozitive që Edukata Fetare do të jepte në formimin e gjeneratave të shëndosha, një praktikë e tillë do të afronte Kosovën më afër qytetërimit evropian dhe botëror, i cili e ka bazën në konceptin e besimit në Zotin e Gjithëmërshirshëm".

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 17.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Mysm
  • Data 17.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Mysm