1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Editorial: Ditë të kujtimit

70 vjet më parë mori fund Lufta e Dytë Botërore në Evropë. DW i kujton ngjarjet e asaj kohe. Dhe shpjegon si është zhvilluar Gjermania nga gërmadhat e luftës në atë që është sot.

8 maj 1945. Lufta e Dytë Botërore merr fund në Evropë. Me 65 milionë të vdekur. Gjermanët e përjetojnë fundin e luftës si disfatë - edhe nëse pas gjashtë vitesh lufte, pas humbjes së baballaraëve, vëllezërve dhe bijëve në luftë, janë të lehtësuar që lufta mori fund. Dhe në qytetet e shkatërruara, pas viteve të bombardimeve ajrore njerëzit marrin frymë lirisht. Por për shumicën e gjermamëve kjo është një ditë disfate. Veçanërisht për ushtarët, të cilëve u duhet të presin në kampet e të burgosurve, për të parë çfarë do të ndodhë me ta. Disa i lirojnë pas një kohe të shkurtër, të tjerëve u duhet të kalojnë deri dhjetë vjet në kampe sovjetike. Dhe për aleatët - sovjetikët, amerikanët, francezët, anglezët, polakët, kanadezët, belgët - për ta 8 maji, dita e kapitullimit pa kushte, është ditë e fitores. Dhe pastaj janë edhe viktimat e Rajhut të tretë: hebrenjtë, homoseksualët, sintët dhe romët, komunistët, socialdemokratët, liberalët, kundërshtarët e hapur dhe të heshtur të Adolf Hitlerit. Për ta, 8 maj 1945 është një ditë çlirimi - nga kampet e përqendrimit, nga shtëpitë e edukimit, nga jeta e nëndheshme.

Kudascheff Alexander Kommentarbild App

Kudascheff Alexander

Ndërrim paradigme

8 maj 1985. Për herë të parë një President i Gjermanisë, Richard von Weizsäcker flet publikisht atë që shumë vetë e ndiejnë ose nuk e dinin fare. 8 maj ishte një ditë disfate. Por e parë objektivisht ishte një ditë e çlirimit. Gjermanët - donin apo nuk donin ata - shpëtuan nga diktatura nacionalsocialiste, shpëtuan nga Adolf Hitleri dhe partia naziste NSDAP, shpëtuan nga tmerret e vrasjes së hebrenjve, shpëtuan nga frika. Fundi i luftës i dha fund vrasjes - në front si edhe në kampet e përqendrimit. Gjermania qe mundur - por pati - që pak vite më vonë dhe pas frikës dhe tmerreve të barbarisë së Hitlerit - shansin për një jetë në liri, për një jetë në demokraci. Të paktën në Perëndim, sepse në Lindje u krijua RDGJ - një "shtet vëlla" socialist i Bashkimit Sovjetik pa të drejta demokratike dhe liri. Deri sa të dyja shtetet gjermane u ribashkuan në tetor 1990.

Besim i ri në vetvete

8 maj 2015. 70 vjet pas fundit të Luftës. Sot, Gjermania e ribashkuar bën pjesë në shtetet më me prestigj të botës. Me demokracinë e saj dhe me modelin e saj shoqëror me drejtim social dhe megjithatë jashtëzakonisht të suksesshëm ekonomik, Gjermania është tërheqëse për të gjithë botën. Që prej një dekade ajo po mëson edhe se sytë janë drejtuar nga ajo, se është e rëndësishme që ajo të luajë një rol drejtues në Evropë dhe një rol shumë të rëndësishëm në botë. Rrallë me mjete ushtarake, megjithëse ndërkohë edhe kjo është pjesë e së gjithës, por para së gjithash politikisht dhe ekonomikisht. Gjermania nuk shfaqet me premtime të mëdha, por gjithnjë e më shumë me besim në vete dhe kritikohet për këtë në një mënyrë, që u dhemb gjermanëve të orientuar tek konsensusi. Por ata do të mësojnë të jetojnë me këto kritika.

Fund dhe fillim

DW kujton me rastin e 8 majit Luftën e Dytë Botërore. Kujton fundin e vrasjeve mizore. Ne do të flasim me dëshmitarë të kohës, si e kanë përjetuar luftën dhe fundin e saj. Por - 70 vjet më pas - ne do të hedhim vështrimin edhe tek vendi ynë, si është zhvilluar ai. Kujtimi i 8 majit është për ne një rast për ta hedhur vështrimin te Gjermania e asaj kohe - e edhe më tepër, tek Gjermania e sotme.