1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Edita Tahiri: ”Serbia vazhdon të ndërhyjë në veri me strukturat e saj paralele”

Në një intervistë për DW kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë Edita Tahiri flet për rezultatet e deritashme të dialogut me Serbinë, ngecjet, sfidat dhe vazhdimin e tij në të ardhmen.

DW: Zonja Tahiri, u bë një kohë e gjatë që Kosova akoma nuk ka krijuar institucionet qëndrore, më intereson të di se si ka rrjedhur dialogu me Serbinë në këtë fazë?

Tahiri: Gjatë këtij viti axhenda e dialogut ka qenë e përcaktuar nga axhendat zgjedhore në të dyja vendet edhe në Kosovë edhe në Serbi, por edhe zgjedhjet që janë bërë në kuadër të BE-së, prandaj mund të them se angazhimet janë më shumë në zbatimin e marrëveshjeve sesa në përmbylljen e marrëveshjeve të reja. Në përgjithësi mund të them se ka pasur rezultate konkrete dhe ato rezultate janë parë pas muajit shtator, kur Serbia është rikthyer në angazhime dhe në këto muaj ne kemi pasur dakordim rreth planit për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë dhe Telekomin. Pastaj kemi arritur marrëveshje për ndërtimin e objekteve të përhershme të IBM në gjashtë pikat kufitare si dhe kemi përafruar marrëveshjen për sigurimin e automjeteve që do të mundësojë uljen e tarifave për qytetarët e të dyja shteteve.

Në përgjithësi, verës ka qenë një tension i krijuar me ndërhyrjen e Serbisë për heqjen e një barrikade dhe vendosjen e një barrikade mbi Urën e Lumit Ibër si dhe ndërtimet tjera përreth që u desh të mbërrihet një marrëveshje në Bruksel që BE-ja të marrë një rol për të revitalizuar Urën dhe të heqë këto barrikada. Ndërsa nga sjellja e Serbisë, unë mendoj se Serbia akoma nuk e ka vullnetin e duhur politik që të vendosë fqinjësi të mirë dhe të mos ndërhyjë sidomos në pjesën veriore të vendit, ku edhe pse tashmë komunat veprojnë në mënyrë legale, ende vazhdojnë strukturat ilegale komunale e të tjera struktura paralele.

DW: Zonja Tahiri, i përmendet lehtësirat në tarifat për sigurimin e automjeteve që kalojnë kufirin me Serbinë, për cfarë lehtësirat është fjala?

Tahiri: Në këtë fushë është arritur një draft marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për sigurimet kufitare dhe me këtë rast do të ulen tarifat dhe qytetarët e të dyja shteteve më nuk do të jenë të ngarkuar me tarifa të larta, gjë që e vështirësonte lëvizjen në këto kushte të vështira ekonomike në të dyja vendet. Dua ta bëjë një sqarim shtesë që marrëveshja që do të arrihet me Serbinë për sigurimet kufitare, nuk ka të bëjë me kartonin e gjelbër, pra këto janë dy procese të ndara. Pra, dua ta sqarojë edhe njëherë - marrëveshja Kosovë-Serbi për sigurimet kufitare që mund të nënshkruhet shpejt, nuk ka të bëjë me kartonin e gjelbërt.

DW: Zonja Tahiri, a mund ta dimë se sa do të jenë tarifat për sigurimet në kalimet kufitare me Serbinë?

Tahiri: Siç dihet Kosova e ka kartonin e saj për sigurime që e lëshon byroja kosovare e sigurimeve, sikundër që Serbia e ka kartonin e saj të gjelbër sepse Serbia është anëtare e kartonit të gjelbër dhe në bazë të draftit final të marrëveshjes me Serbinë që ne i kemi thënë po, atëherë tarifat do të jenë të ngjashme ashtu siç janë kalimet kufitare me Maqedoninë.

DW: Zonja Tahiri, në kuadër të dialogut politik me Serbinë, ka kohë që thuhet se Bashkimi Evropian, përkatësisht më e zëshmja Gjermania ka vendosur tetë kushte për Serbinë në mënyrë që kjo e fundit të zbatojë marrëveshjet me Kosovën nëse do që të nisë negociatat me BE-në për anëtarësim? E mbështesni ju këtë qëndrim të shtetit gjerman?

Tahiri: Gjermania ka një qëndrim konstruktiv sepse kërkon që kapitulli i 35 -të jetë kusht për të hapur negociatat për kapitujt e tjerë. Gjermania kërkon nga Serbia normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ne si qeveri e Republikës së Kosovës e mbështesim këtë qëndrim të drejtë të Gjermanisë që është qëndrim që kontribuon për paqen dhe stabilitetin në rajon, sepse kapitulli i 35 përcakton marrëdhëniet ndërfqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sipas parimeve evropiane, kërkon nga Serbia që mos të ndërhyjë me struktura paralele në Kosovë dhe kërkon zhbërjen e tyre dhe në fund kërkohet që marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të kenë një obligim legal. Prandaj ne në angazhimet tona diplomatike po kërkojmë nga vendet e BE-së që të mbështesin qëdrimin gjerman.

DW: Zonja Tahiri, një ndër pikat e pazgjidhura në dialogun Kosovë-Serbi ka mbetur akoma krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe. Deri në çfarë mase jeni dakorduar dhe ku ka ngecur puna?

Tahiri: Pjesë e marrëveshjes se 19 prillit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është edhe krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili do të jetë i krijuar sipas ligjeve të Kosovës. Në këtë fazë nuk ka pasur bisedime për të ndërtuar planin për zbatim, sepse, zakonisht pas marrëveshjes pasojnë nën-marrëveshjet për zbatim që ne zakonisht i quajmë plane aksionale për zbatim dhe një plan i tillë duhet dakorduar në nivel kryeministrash. Në ndërkohë, ne si qeveri përkatësisht Ministria e Pushtetit Lokal, i ka dorëzuar Brukselit një draft statut për atë se si duhet të duket ky asociacion dhe funksionet që mund t'i ketë.

Ndërkohë, do të ketë edhë një zyre prokurorie dhe për këto gjëra jemi dakorduar, ndërsa mbesin edhe disa çështje kuantitative për sa i takon përbërjes së gykatave që duhet të përmbyllen përsëri me një takim ndërmjet kryeministrave e që pritet të ndodhë pasi të konstituohet qeveria e Kosovës. Një çështje e hapur që ka mbetur është zhbërja e strukturave paramilitare, apo siç njihet në veri “mbrojtja civile”, dhe ne si Kosovë e kemi dorëzuar në Bashkimin Evropian planin e integrimit të kësaj strukture në institucionet tona civile, ndërsa Serbia ende nuk e ka dorëzuar planin për zhbërjen e kësaj strukture. Prandaj mendoj se bisedimet për asociacionin duhet të shkojnë paralel me procesin e shuarjes së strukturës paramilitare të mbrojtjes civile si dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë në pjesën veriore të vendit.

DW: Përmendet strukturat paralele që funksionojnë akoma në veri sidomos ato në fushën e mbrojtjes civile dhe në fushën e drejtësisë, a ka struktura tjera paralele Serbia në veri të cilat Kosova i ka identifikuar dhe të cilat i keni raporuar në Bruksel?

Tahiri: Në fakt krijimi i komunave lokale në veri pas zgjedhjeve lokale të tre nëntorit që ishte rezultat edhe i marrëveshjes së Brukselit po krijon një përparim në vendosjen e ligjshmërisë dhe normalizimin e gjendjes në pjesën veriore të vendit, mirëpo, krahas strukturave legale komunale vazhdojnë të funksionojnë strukturat ilegale, vazhdojnë të veprojnë kryetarët serb ilegal në katër komunat veriore, të cilët sot për sot kanë më shumë ndikim sesa kryetarët legal, sepse Serbia ndërhynë dhe u jep mbështetje strukturave ilegale në veri dhe i margjinalizon në një mënyrë rolin e strukturave legale të dala nga zgjedhjet lokale të Kosovës. Por, ka struktura paralele edhe në fusha tjera sic është arsimi, shëndetësia, kështu që në fazat e ardhshme të dialogut duhet të ketë marrëveshje që i shuan plotësisht këto struktura paralele dhe i jep fund ndërhyrjes së Serbisë në punët e brendshme të Kosovës.

DW: Zonja Tahiri, keni qenë për një kohë të gjatë pjesë e dialogut Kosovës-Serbi, nga pikpamja juaj dhe përvoja në këtë fushë, si duhet zhvilluar dialogu me Serbinë tash e tutje, apo duhet vazhduar me praktiken e njejtë?

Tahiri: Fillimisht duhet të them se ky dialog për këto katër vjet edhe ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian si një organizatë ku edhe Serbia edhe Kosova kanë aspirata për t'u bërë anëtare në këtë organizatë, ka ndikuar që të ndodhë transformi i marrëdhënieve ndërmjet të dyja shteteve. Mendoj se dialogu i Brukselit duhet të vazhdojë, sepse është i mbështetur nga SHBA nga Bashkimi Evropian dhe në këtë rast Gjermania po luan një rol jashtzakonisht konstruktiv me qëndrimet e qarta që kërkon nga Serbia zbatim të marrëveshjeve të arritura me Kosovën. Gjermania është shumë e qartë në rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve dhe është e qartë në vënien e adresës së kush po e vonon apo kush po e shmang zbatimin në këtë rast, Serbia. Dialogu duhet të vazhdojë dhe do të përfundojë me njohjen reciproke të të dyja shteteve.