1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Edhe shtatë persona të dyshuar për krime lufte në Kosovë

Shoqatat e veteranëve të luftës së ish-UÇK-së kanë kërkuar nga Parlamenti i Kosovës që ta rishqyrtojnë mandatin e misionit EULEX.

default

Misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, njoftoi të enjten (13.06) se edhe shtatë persona të tjerë dyshohen për krime lufte në Kosovë. Zyrtarë nga zyra për informim e EULEX-it, i thanë DW-së, se “të dyshuarit janë paraqitur për një seancë dëgjimore këtë të enjte në Gjykatën Themelore të Prishtinës”.

“Me kërkesë të prokurorit, një gjyqtar i EULEX-it, ka ftuar shtatë persona të dyshuar për krime lufte për një seancë dëgjimore në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Prokurori ka kërkuar një urdhër që ndalon të dyshuarit të kontaktojnë apo t'ju afrohen dëshmitarëve të rastit”, thuhet në deklaratën e shkruar nga zyra për informim e misionit EULEX. Sipas mediave në Prishtinë bëhet fjale edhe për shtatë ish-pjestarë të UÇK-së, nga rajoni i Drenicës.

Tri javë më parë misioni EULEX, arrestoi pesë persona nga rajoni i Drenicës të dyshuar për krime lufte. Në mesin e tyre janë ambasadori i Kosovës në Shqipëri Sylejman Selimi dhe kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Shoqatat e veteranëve të luftës së ish-UÇK-së, duke kundërshtuar arrestimet nga misioni EULEX, tashmë ka kërkuar nga Parlamenti i Kosovës që ta rishqyrtojë mandatin e misionit.

Muharrem Xhemajli

Muharrem Xhemajli

Muharrem Xhemajli, kryetar i shoqatës i tha DW-së se “EULEX-i po bën hetime selektive. Me ardhjen e misionit EULEX në Kosovë, ne kemi pritur shumë më shumë nga ky mision. Prej se ka filluar mandatin, misioni EULEX, me përjashtim të disa rasteve shumë të vogla për krim të organizuar dhe korrupsion, është marrë vetëm me ish-ushtarët e UÇK-së dhe nuk janë marrë fare me krimet që kanë bërë forcat serbe në Kosovë gjatë kohës së luftës”, thotë Muharrem Xhemajli.

EULEX - i ftuar nga vetë autoritetet e Kosovës

Por zyra për informim e misionit EULEX, bën të ditur se kërkesat e individëve apo grupeve të individëve nuk do të ndikojnë në punën e misionit EULEX. “Kjo nuk do të ndikojë në rezultatin e një procesi gjyqësor apo në sundimin e ligjit. Duam të theksojmë se mandati i EULEX-it në tërësi është miratuar nga Kuvendi i Kosovës. EULEX-i është në Kosovë me ftesë të autoriteteve të Kosovës, për të ndihmuar institucionet vendore të sundimit të ligjit, gjë të cilën jemi duke u përpjekur për ta bërë”.

Plaket in Pristina gegen die Eulex Mission im Kosovo

Pllakat në Prishtinë kundër misionit të EULEX-it

Veteranët e luftës së ish-UÇK-së, tashmë kanë shpërndarë nëpër kryeqytet pankarta të mëdha në të cilat shkruhet se misioni EULEX, nuk ka bërë asgjë në hetimin e krimeve të luftës. Edhe për këtë zyra për informim e misionit EULEX ka një reagim, ku thuhet se “informacionet e publikuara në billborde janë të pasakta”.

Informacionet e publikuara në pankarta janë të pasakta, pasi që misioni bën çdo gjë që është e mundur për të ndjekur penalisht kryesit e krimeve të luftës, pavarësisht nga përkatësia etnike. Sidoqoftë, EULEX-i heton dhe ndjek penalisht raste bazuar në prova, e jo në politikë. EULEX-i kryen hetime dhe ndjek penalisht autorët e krimeve vetëm brënda Kosovës, pasi që misioni ka juridiksion vetëm në Kosovë. Sipas ligjit të Kosovës, të cilin e zbaton misioni, askush nuk mund të gjykohet në mungesë”, thuhet në reagimin e misionit EULEX.

Sidoqoftë, Parlamenti i Kosovës akoma nuk ka dalë me ndonjë qëndrim për të saktësuar nëse do ta rishqyrtojë mandatin e misionit EULEX. Me përfundimin e mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, Parlamenti i Kosovës i dha mandat misionit EULEX deri në gjysmën e dytë të vitit 2014. Rastet e krimeve të luftës janë kompetencë e misionit EULEX.