1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Edhe rajoni i Ballkanit rrezikohet nga kriza financiare botërore

Fatos Musliu21 Nëntor 2008

Në samitin ekonomik në Ohër u ra dakord për bashkëpunim më të ngushtë të vendeve të Evropës Juglindore.

https://p.dw.com/p/FzNy
Presidenti maqedonas CervenkovskiFotografi: Macedonian Information Agency

Investorët e huaj për shkak të krizës globale ekonomike gjithnjë e më shumë po marrin vendime për anulimin e investimeve të tyre në Ballkan. Ekspertët ekonomikë në samitin rajonal ekonomik në Ohër janë shprehur se bota gjendet në krizën më të thellë financiare që pas asaj të vitit 1929. Megjithatë, ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Fatmir Besimi është optimist si për vendin, ashtu edhe për Ballkanin. "Mund të pritet se gjatë 6 deri 7 vitet e ardhshme në Maqedoni në fushën e infrastrukturës dhe energjetikës do të investohen 3 deri 4 miliardë euro. Me këtë do të ndikohet dukshëm ndaj investimeve në Maqedoni dhe në rajon”.

Maqedonia ka vështirësi ekonomike

Presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski u shpreh samitin ekonomik të Ohrit se qeveritë e rajonit duhet të ndërmarrin masa për ballafaqimin me krizën ekonomike. Presidenti Cërvenkovski e vuri theksin tek vështirësitë e Maqedonisë. Gjendja në ekonominë vendore është shqetësuese: “Sektori real ekonomik në Maqedoni tashmë po ndjen pasojat negative nga kriza financiare botërore. Më të goditur janë sektorët e eksportit, metalurgjia, ndërtimtaria dhe industria e tekstilit. Rezultati është negativ dhe eksporti po zvogëlohet”. Sipas Cërvenkovskit, efektet përfundimtare nga kriza dhe kohëzgjatja e saj nuk mund të thuhen me siguri të madhe, por një është e sigurt se kriza ka sjellur ndryshime.

Bamir Topi
Presidenti Bamir TopiFotografi: AP

Shqipëria e sheh zgjidhjen në bashkëpunimin rajonal

Ndërsa presidenti shqiptar Bamir Topi deklaroi se bashkëpunimi rajonal ekonomik është strategjia që parashikon Shqipëria për zgjidhjen e problemeve ekonomike që janë paralajmëruar pas krizën financiare botërore. “Të rrisim bashkëpunimin kjo është në radhë të parë shprehje e nivelit të lartë të dialogut politik, dhe fakti që pas këtij vullneti politik vjen dëshira për të vazhduar komunikimin për çështje ekonomike është një gjë shumë e rëndësishme “, ka theksuar Topi. Shqipëria gjatë vitit të ardhshëm parashikon investime në Kosovë dhe Malin e Zi.

Vlerësojmë se gjeo-politika e re reale me pavarësinë e Kosovës duhet të jetë inkurajuese dhe të bëhet pjesë e nismave rajonale dhe takimeve ku do të bisedohet për politikat rajonale, bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, ka thënë Topi. Edhe presidentët e Bullgarisë, Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës janë angazhuar për një bashkëpunim të mirëfilltë ekonomik midis vendeve të Evropës Juglindore.