1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Edhe pse nuk qe Rusia ajo që e filloi luftën në Kaukaz ajo synon ta aneksojë fqinjën e vogël

PP11 Gusht 2008

Ndërsa perëndimi shpresonte se me një Moskë të dobësuar mund të fillonte një erë të re kooperimi, Rusia me sa duket është e vendosur ta frikësojë Gjeorgjinë me brutalitetin e makinerisë së saj ushtarake.

https://p.dw.com/p/Ev1y
Trupat ruse drejt Chinvalit, kryeqytetit të Osetisë Jugore
Trupat ruse drejt Chinvalit, kryeqytetit të Osetisë JugoreFotografi: picture-alliance/ dpa

Në lidhje me konfliktin në Kaukaz gazeta «Nordbayerischer Kurier» (Bayreuth) shkruan:

Naftësjellësi që do të kalonte nga Deti Kaspik përmes Gjeorgjisë në Turqi do t'u ofronte shteteve të Evropës një farë pavarësie prej gjigandit energjitik Rusi dhe e katapulton një vend të vogël si Gjeorgjia në një pozicion strategjik. Ndjellja e Rusisë për të marshuar në Gjeorgji është e madhe. Por gjoja fuqia mbrojtëse e dy provincave të vogla u shndërrua shpejt në një fuqi të madhe agresive, e cila synon ta aneksojë fqinjën e vogël. Duket se Putini ka ende frikë prej demaskimit në opinionin botëror.

Kurse «Süddeutsche Zeitung» (Mynih) shkruan:

Ariu rus doli sërish nga pyjet. Në fakt ai në të vërtetë nuk ishte zhdukur asnjëherë. Perëndimi shpresonte se me një Moskë të dobësuar mund të fillonte një erë të re kooperimi. Dhe për këtë Uashingtoni e la Kremlinin që të zhvillonte pa asnjë pengesë luftë në Çeçeni. Ngjarjet atje të kujtojnë në një farë mënyre se kjo mund të përsëritet tani në Kaukazin Jugor. Pasi vendosi me dhunë paqen në Çeçeni Moska e re mund t'u kthehet tani rajoneve të tjera të krizës në periferi të saj. A ka kush që ta ndalojë?

«Wiesbadener Kurier» vëren:

Deri sa Kremlini t'i dëgjojë thirrjet e evropianëve për armëpushim do të kalojë kohë. Vërtet që nuk qe Rusia që e filloi këtë luftë, por me sa duket ajo është e vendosur që t'u fusë mirë frikën udhëheqjes dhe popullit gjeorgjian duke përdorur të gjithë brutalitetin e makinerisë së saj ushtarake. Këtë e dëshmojnë goditjet e pamenduara nga ajri ndaj popullsisë civile. Aksioni në ndihmë të Osetisë Jugore po shndërrohet gjithnjë e më tepër në një demonstrim të forcës së madhe të Rusisë, të shoqëruar edhe me një mesazh ndaj fqinjëve që mund të sillen në mënyrë të ngjashme: në qoftë se puna bëhet serioze perëndimi është i dënuar të bëjë spektatorin.