1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Edhe Prishtina edhe Beogradi planifikojnë zgjedhje në veri të Mitrovicës

Strategjia e qeverisë së Kosovës dhe e Zyrës Civile Ndërkombëtare për integrimin e veriut të Kosovës kanë parashikuar organizimin e zgjedhjeve lokale në komunën e re në veriun e Mitrovicës.

default

Por, përfaqësuesit politikë të serbëve të veriut kundërshtojnë organizimin e tyre. Ata thonë se do të marrin pjesë vetëm në zgjedhjet që do t'i organizojë Beogradi me 30 maj të këtij viti. Serbët e veriut të Mitrovicës sot gjatë një tubimi kundërshtuan strategjinë për integrimin e veriut në institucionet kosovare.

Ministri i pushtetit lokal në qeverinë e Kosovës Sadri Ferati, u bën thirrje serbëve të veriut të Mitrovicës, që të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës dhe jo me Beogradin, sepse e ardhmja e tyre është në Kosovë. Këtë thirrje ministri, Sadri Ferati e bëri vetëm pak ditë para se Serbia të fillojë organizimin e zgjedhje lokale në veri të Mitrovicës. Ministri Ferati i tha DW-së, se Beogradi zyrtar nuk mund t'i menaxhojë strukturat serbe në veri të Mitrovicës, sepse llogaridhënia duhet tu jepet qytetarëve lokalë dhe me organizimin e zgjedhjeve Beogradi vetëm sa do të vështirësojë jetën e banorëve serbë të veriut të Mitrovicës.

Beogradi vështirëson procesin

“Derisa llogaridhënia është në Beograd, ajo është diçka shumë fiktive dhe shihet se nuk jep rezultate. Prandaj këto përpëlitje të Beogradit që të shuajë strukturat e mëhershme dhe të bëjë zgjedhje të reja, janë të dështuara. Prandaj, po them edhe njëherë kjo vetëm e vështirëson procesin por nuk e determinon, nuk është përcaktues gjithë ky rol i Beogradit në atë pjesë”, thotë ministri Ferati.

Mirëpo disa përfaqësues të serbëve të veriut të Mitrovicës janë kategorikisht kundër bashkëpunimit me institucionet e Kosovës dhe kundërshtojnë hapur pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, që pritet të organizohen edhe nga institucionet e Kosovës.

Marko Jakshiq, njëri nga liderët e serbëve në veriun e Kosovës, ka thënë për mediat lokale serbe se zgjedhjet për veriun e Mitrovicës nën organizimin e Beogradit, tashmë janë paralajmëruar të mbahen më 30 maj të këtij viti. “Një gjë e tillë tashmë është në regjinë e Kryesisë së Kuvendit të Serbisë, ku po udhëhiqet një parapërgatitje për fillimin e fushatës në mes të partive politike në Mitrovicë. Ajo që po bën Hashim Thaçi dhe Piter Feith, është në kundërshtim me interesat e shtetit të Serbisë, Kishës serbe dhe popullit serb,” thotë Marko Jakshiq. Ai i quan kolaboracionistë të gjithë serbët e veriut që pranojnë të marrin pjesë në procesin zgjedhor që do të organizohet nga institucionet e Kosovës.

Njerëzit nuk janë të lirshëm

Qeveria e Kosovës, tashmë ka themeluar grupin përgatitor për themelimin e komunës së veriut të Mitrovicës me pjesëmarrje të qytetarëve serbë. Ministri i pushtetit lokal ne qeverinë e Kosovës, Sadri Ferati, thotë se ky grup po vazhdon punën mirëpo, ka vështirësi. “Ka vështirësi sepse ajo pjesë e Kosovës dhe ajo pjesë e qytetit të Mitrovicës, është akoma e pasigurtë që njerëzit të shprehin lirshëm mendimin e tyre, organizimin e tyre politik dhe të përcaktohen se dëshirojnë të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës. Të gjitha gjitha sondazhet tregojnë se mbi 70 përqind e tyre janë të pakënaqur me atë mënyrë të jetës dhe ata dëshirojë ndryshime pozitive," thotë Ministri Ferati.

Qeveria e Kosovës dhe zyra civile ndërkombëtare, tashmë kanë hartuar një strategji për integrimin e veriut të Kosovës dhe pjesë e kësaj strategjie eshtë shuarja e strukturave paralele serbe dhe zgjedhjet për komunën veriore të Mitrovicës, e paraparë edhe në planin e Marti Ahtisarit. Ministri Sadri Ferati, thotë se çdo qytetar serbë i veriut të Mitrovicës edhe ata të strukturave paralele serbe, mund të kandidojnë në zgjedhjet lokale për komunën e veriut të Mitrovicës.

“Ne nuk përjashtojmë asnjë person që mund të krijojë legjitimitet tek qytetaërët që mund t'i përfaqësojë. Por, nuk shohim arsye që të dialogojmë më ata që veprojnë kundër interesit të qytetarëve serbë. Ne do të orgaizojmë zgjedhje dhe ata nëse dalin në zgjedhje dhe e fitojnë besimin e qytetarëve mund të instalohen në strukturat legjitime të Kosovës," thotë ministri Sadri Ferati.

Sidoqoftë, qeveria e Kosovës akoma nuk ka caktuar një datë se kur mund të organizohen zgjedhjet lokale për komunën e re serbe të Mitrovicës veriore. Pjesë e strategjisë për integrimin e veriut janë edhe zgjedhjet lokale për këtë komunë, mirëpo zyrtarët e qeverisë pranojnë se mud të ketë vonesa për shkak se ata nuk dëshirojnë të nguten, por të organizojnë zgjedhje që do të mbështeten nga qytetarët serbë të veriut të Mitrovicës.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 24.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Mb3A
  • Data 24.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Mb3A