1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Edhe Parisi nën makthin e alarmeve terroriste…false!

Tragjedia me dhjetëra viktima që tronditi jo vetëm Norvegjinë, por edhe mbarë Evropën, ka vënë në lëvizje strukturat e antiterrorit. Në Paris, kanë marrë masat e duhura, edhe pse deri tani ka patur vetëm alarme false.

Pamje nga Parisi

Pamje nga Parisi

Pamje simbolike - Evropa në shënjestër

Pamje simbolike - Evropa në shënjestër

Qytetet kryesore evropiane kanë shtuar masat kundër terrorizmit, pas sulmit të dyfishtë në Norvegji, që prodhoi më shumë se 96 viktima të pafajshme. Atentatet e kryera nga terroristi i “bardhë” Anders Breivik, kanë lënë shenjën e tyre në kujtesën e njerëzve dhe Francë, Gjermani, Zvicër apo Belgjikë, janë shtuar forcat që patrullojnë në qendrat kryesore ku ka lëvizje masive. Stacione trenash, aeroporte apo qendra tregtare që mund të jenë synim i sulmeve, tani janë nën vëzhgim të të rreptë dhe Inteligjenca ka shtuar verifikimet, ndaj njerëzve si norvegjezi Breivik.

Një vëzhgim në Paris, tregon se policia tani është më e vëmendshme ndaj kërcënimeve dhe dyshimeve, edhe pse fatmirësisht deri tani ato kanë rezultuar pa bazë dhe kanë ngjallur vetëm pak panik.

Kulla Eiffel në Paris

Kulla Eiffel në Paris

Destinacioni më i pëlqyer në kryendrën transalpine mbetet Kulla e Eiffel-it. Por për të shijuar pamjen mbresëlënëse që ofron Parisi nga lart, duhet të kalosh disa peripeci. Mes tyre, edhe policia. Por le ta marrim me radhë.

Në një të shtunë mes diellit dhe shiut, pasi afrohesh në sheshin tek kulla Eiffel, shikon të paktën 1 mijë njerëz të ndarë në 3 radhë, nga një për secilin ashensor dhe sportel (i katërti është në rikonstruksion). Menjëherë sapo zë radhën, e kupton se duhet të presësh të paktën 2 orë që të kesh mundësinë për tu ngjitur në kullë. Ndërkohë që minutat kalojnë, emigrantë marokenë apo tunizianë, të afrohen me dhjetëra herë duke të ofruar për të blerë pije të ndryshme. Radha e gjatë e kullës Eiffel, është mjeti i vetëm për ata, që të mbijetojnë…

…duke iu rikthyer radhës që po mbanim dhe që po i afrohej sportelit të biletave, befas, shtohen forcat e policisë dhe një makinë me ushtarë, ia mbin sa hap e mbyll sytë. Një kërcënim për bombë është dhënë në nivelin e sipërm të kullës Eiffel, dhe policia detyrohet të rrethojë një sipërfaqe të madhe rreth objektit mitik francez. Dhe radha e njerëzve të cilët kishin mbi 2 orë që prisnin për një biletë…merr fund.

Masa të shtuara të sigurisë

Masa të shtuara të sigurisë

Pas verifikimeve të forcave antiterror, zbulohet një valixhe e harruar, që ka vënë në alarm të gjithë. Protokolli i sigurisë të detyron për të bërë një shpërthim të kontrolluar, dhe pikërisht kjo ndodh. Zhurma e krijuar në ato momente, ka sjellë disi frikë mes turistëve. Shumë prej tyre e kanë ende të freskët makthin e krijuar nga atentatet në Norvegji, pak ditë më parë.

Nga njerëz aty pranë mësuam se një shpërthim i kontrolluar në kullë, kishte ndodhur edhe më herët gjatë asaj dite, dhe ata që e kishin vuajtur ishin turistët prej orësh në radhë. Pas 40 minutash frike dhe mosdije për atë që ndodhi, radha për një biletë rifillon sërish dhe më në fund pasi paguan 13.80 Euro ( për majën e Eiffel) ngjitesh në kullë, dhe kupton se vërtet ia kanë vlejtur orët e pritjes për të parë Parisin nga ajri…

Alarm edhe në parkun e famshëm „Disneyland Paris”

Pamje nga Disneyland në Paris

Pamje nga Disneyland në Paris

Parku i lojërave “Disneyland” në Paris, është kthyer në një pikë referimi dhe është përfshirë në të gjitha guidat turistike që jepen për kryeqytetin francez. Treni të dërgon direkt e në parkun e përrallave dhe e vetmja gjë që të tremb (deri tani) është çmimi i kripur i hyrjes; 69 Euro për një person të rritur.

Por edhe këtu bie në sy radha për të provuar dhjetëra lojërat dhe shëtitjet misterioze nëpër parqe. Adrenalina që të ofron “Indiana Jones”, apo “Rollercoaster” nën ritmet e grupit të famshëm rock, Aerosmith, është vërtet unike. Por duhet të presësh të paktën 1 orë në radhë dhe nën një temperaturë 30 gradë për një xhiro që zgjat vetëm 3 minuta. Dhe jo të gjithë e bëjnë…

Kalimtarët largohen nga vendi ku është dhënë alarmi i rremë

Kalimtarët largohen nga vendi ku është dhënë alarmi, fatmirësisht i rremë

Edhe këtu njësoj si në kullën Eiffel, dhe në të njëjtën ditë, jepet alarm për bombë. Vizitorët e “Disneyland” evakuohen në pak minuta nga forcat e policisë, pasi një burrë kërcënon stafin se ka eksploziv gati për ta shpërthyer. Mes panikut të krijuar dhe ndërhyrjes së shpejtë të forcave të sigurisë zbulohet se…atentatori na qenkësh vetëm një klient 57 vjeç, i pakënaqur nga radha ku po qëndronte bashkë me familjen.

“Ne morëm masat e duhura për sigurinë pasi nuk mund të tolerojmë këtë lloj sjelljeje dhe duhet të reagojmë” tha një burim i “Disneyland”. E gjithë zona u evakuua dhe një qen i stërvitur për të gjetur eksploziv, nuk gjeti asnjë gjurmë rreziku. Burri që kërcënoi për bombë, pagoi një gjobë në gjykatën pariziene dhe do të urdhërohet që të të ndjekë një kurs “qytetarie” dhe do të kryejë punë në shërbim të komunitetit.

Por fakti që kërcënimet dhe alarmet janë rritur mbetet evidente dhe të parët që e vuajnë janë turistët dhe njerëzit e thjeshtë…

Autor: Aurel Boriçi

Redaktoi: Esat Ahmeti