1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Edhe një herë Merkel por me kë?

Një mandat i tretë për Angela Merkel konsiderohet shumë i mundshëm. Pyetja është se me kë do të qeverisë në të ardhmen Unioni CDU/CSU. Gjermanët do të preferonin një koalicion të gjerë.

Pak ditë para së dielës së votimit (22.09.) në miliona kuti poste të qytetarëve gjermanë mbërriti një letër e nënshkruar nga "Angela Merkel, Kancelare dhe kryetare e Partisë Kristiandemokrate (CDU)". Në të shkruhej: "Nëse doni që unë edhe më tej të jem Kancelarja juaj, atëherë shkoni të votoni të dielën dhe të dy votat jepini për CDU-në". Katër fjalët e fundit ishin shkruar me bojë të trashë të zezë. Fushata e shtrenjtë është përgjigja e shpejtë e Merkelit për partnerin në koalicion FDP (Demokratët e Lirë), të cilët pas humbjes së fortë në zgjedhjet për parlamentin e landit në Bavari, kërkojnë me ngulm votën e dytë, pra atë për subjektin elektoral nga zgjedhësit e kristiandemokratëve. FDU kërkon të sigurojë 5 për qind të votave për të hyrë në Parlament. Por në qendrën e CDU-së tani thuhet se secili duhet të luftojë për vete.

Merkel nuk ka dëshirë dhe nuk e ka as të nevojshme ta lidhë fatin e saj me partnerin e dobësuar në koalicion, i cili sipas sondazheve të fundit është vetëm pak mbi 5 për qind. Analistët e sondazheve e shohin kampin konservatoro-liberal (CDU/CSU-FDP) me e shumta një pikë përqindje avantazh ndaj opozitës. Për shkak të marzhit të gabimit prej 2 deri 3 për qind të sondazheve, është e pasigurt nëse koalicioni aktual mund të vazhdojë të qeverisë.

Por Kancelarja është në një situatë komode: Unioni CDU/CSU me një rezultat të pritshëm prej 40 për qind do të rezultojë partia më e fortë dhe mund të zgjedhë partnerin në koalicion. Nëse FDP nuk e kalon kufirin për të hyrë në parlament, kandidati i mundshëm janë socialdemokratët. Merkel dhe sfiduesi i saj socialdemokrat Peer Steinbrück vërtet kanë theksuar vazhdimisht se një koalicion i madh nuk është dëshira e tyre.

Aleanca e majtë është vetëm një fantazëm e fushatës elektorale

Por SPD dhe ekologjistët sipas sondazheve të fundit së bashku nuk marrin më shumë se 36 për qind. Si rrugëdalje e mundshme në Berlin shihet koalicioni i dy partive të mëdha popullore CDU dhe SPD, me Merkelin dhe pa Steinbrück, zgjidhje e padëshëruar nga politologët dhe mediet, por e preferuar nga qytetarët. Në SPD udhëheqja e socialdemokratëve duket se po pregatitet për një përsëritje të të ashtuquajturit koalicion i madh me Unionin CDU/CSU, i cili pati qeverisur nga 2005 deri 2009.

Teorikisht socialdemokratët së bashku me ekologjistët dhe partinë E Majta mund ta përmbysnin Merkelin. Për këtë është e nevojshme që kampi i majtë të bashkohet, gjë që nga konservatorët në fushatën elektorale paraqitej si një skenar i frikshëm. Por SPD dhe të gjelbrit e refuzojnë një aleancë me partinë E Majta. "E paaftë të qeverisë", cilësohet kjo parti pasi deri tani ka votuar kundër të gjitha paketave të shpëtimit për euron, kërkon t'u japë fund të gjitha misioneve të ushtrisë gjermane jashtë vendit dhe të shpërbëjë NATO-n. Këtyre u shtohet edhe vështirësia e parashikimit të pozicionit të partisë për shkak të rrymave të shumta të saj dhe krahut të majtë radikal.

E mundur me shifra por që nuk ka shumë gjasa të ndodhë është një aleancë mes konservatorëve të Unionit CDU/CSU dhe ekologjistëve, që do të ishte e para e këtij lloji në rang federate. Por dallimet në politikën e familjes dhe atë sociale janë ende shumë të mëdha dhe kjo do ta bënte dikur shumë të vështirë bashkëpunimin.

Me shumicë të ngushtë përmes krizës së euros?

Veç kësaj të gjitha sondazhet tregojnë se tek zgjedhësit një koalicion i madh mes konservatorëve dhe socialdemokratëve, nën drejtimin e Kancelares Merkel është alternativa më e preferuar pasi në një koalicion të tillë temat "drejtësi sociale" dhe "shpëtimi i euros" do të trajtoheshin njëlloj me kujdes. Nëse kundërshtarët e euros të grupuar në partinë e themeluar para pak kohësh "Alternativa për Gjermaninë" do të arrinin kufirin prej 5 për qind për të hyrë në parlament, Kancelarja do të jetë edhe më e varur nga një front i gjerë mbështetës për shpëtimin e euros në Bundestag.