1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Edhe një goditje kundër lirisë së shtypit në Turqi

Edhe shefi i gazetës kritike ndaj qeverisë turke "Cumhuriyet" është në shënjestër të krerëve të Turqisë. Murat Sabuncu është arrestuar në banesën e tij. Paraardhësi i tij Dündar jeton sot në emigracion.

Edhe një goditje kundër lirisë së shtypit në Turqi

Hetuesit kërkojnë ndërkohë edhe kryetarin e bordit të gazetës Akin Atalay dhe autorin Güray Öz, njofton agjencia e lajmeve Anadolu. Televizioni CNN Türk njofton se janë lëshuar 13 fletëarreste kundër bashkëpunëtorëve të gazetës. Prokuroria në Stamboll e akuzon drejtorinë e gazetës për vepra penale, në shërbim të Partisë Popullore Kurde PKK dhe lëvizjes së predikuesit Fethullah Gülen, njofton agjencia DHA.

Para një viti autoritetet turke arrestuan kryeredaktorin e mëparshëm "Cumhuriyet" Can Dündar dhe kolegun e tij Erdem Gül. Në maj ata u dënuan me heqje shumëvjeçare lirie nën akuzat për publikimin e një artikulli për armatosjen nga shërbimet sekrete turke

të xhihadistëve të Shtetit Islam (IS) në Siri. Ata janë në liri deri në shpalljen e vendimit të plotfuqishëm.

Burg apo azil

Dündar ndërkohë ka ikur nga Turqia në Gjermani. Javën e kaluar ai i bëri thirrje krerëve të Parlamentit Evropian dhe krerëve të shteteve anëtare të BE-së, që të mos heshtin lidhur me përndjekjet e gazetarëve dhe opozitarëve në Turqi. Prej shtatorit po zhvillohet edhe një proces tjetër kundër Dündarit dhe Gülit, nën akuzat për ndërlidhje me Gülenin, i cili konsiderohet përgjegjës për grusht  shteti më 15 korrik. Procesi do të vazhdojë në nëntor.

Pas përpjekjeve për grusht shteti, presidenti Recep Tayyip Erdogan shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Autoritetet po përndjekin në mënyrë masive simpatizantët e Gülenit. Më shumë se  35.000 vetë janë arrestuar ndërkohë. Dhjetëra mijëra anëtarë të forcave të sigurisë, drejtësisë, mediave dhe arsimit janë dëbuar nga pua. Në fushatën më të fundit të dëbimeve u pushuan nga puna10.000 nëpunës.

Pa liri të shtypit

Gazeta "Cumhuriyet" është themeluar më 1924 dhe llogaritet ndër të paktat që kanë ruajtur qëndrime kritike ndaj autoriteteve në Turqi. Bartësit e çmimit Nobel alternativ janë shpërblyer për gazetari të guximshme investigative, për angazhimin për lirinë e mediave si dhe për kundërshtimin e shtypjes, censurës, arrestimeve dhe kërcënimeve me vrasje. Autoritetet i kanë mbyllur shumë media që pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Turqia ka ndërkohë një imazh shumë të keq për respektimin e lirisë së mediave. Në listën e Reporterëve pa Kufij, Turqia është në vendin e 151 nga 180 vendet, ku vlerësohet liria e shtypit.

bc/rb/SC (afp, ap, dpa)