1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Edhe një shans për një marrëveshje

20 Mars 2013

Raundi i shtatë i bisedimeve mes kryeministrit Thaçi dhe Daçiq duhet të sjellë përparim në këtë fazë të dialogut. Në Bruksel ata shpresojnë rezultate pozitive, por përmendin edhe "mundësinë e marrëveshjes" më 22 Prill.

https://p.dw.com/p/180gt
Fotografi: DW

Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton do të përpiqet për të shtatën herë të ndihmojë kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq dhe atë të Kosovës, Hashim Thaçi që të afrojnë qëndrimet e tyre në arritjen e një përparimi "të qëndrueshëm dhe të dukshëm" drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Dhe ndërsa raundet e mëparshme të bisedimeve në Bruksel janë cilësuar me epitetet "kyç" dhe "vendimtar", ajo çfarë e dallon këtë takim nga të tjerët është fakti se atij i paraprin një aktivitet i fuqishëm diplomatik dhe konsultime, sidomos në linjën Bruksel-Beograd dhe Beograd-Prishtinë.

Prishtina dhe Beogradi me interpretime të ndryshme

Ndërsa nga Beogradi dhe Prishtina arritën interpretime të ndryshme sa i përket një marrëveshjeje të mundshme kur bëhet fjalë për bashkësinë e komunave serbe në Kosovë, e cila do të ishte edhe çelësi për një zgjidhje më të plotë të çështjes së Kosovës, në Bruksel përsëritet qëndrimi zyrtar se ende janë në pritje të një marrëveshje mes dy palëve. "Për çdo marrëveshje në dialog kërkohet pëlqimi i të dyja palëve, përkatësisht i të dy kryeministrave. Përpjekjet tona janë orientuar drejt arritjes së përparimit në dialog. Zonja Ashton ishte në Beograd dhe Prishtinë, ka pasur konsultime intensive dhe kjo punë po vazhdon ende", tha zëdhënësja e shefes së diplomacisë së BE-së, Maja Kocijançiq.

Në Bruksel presin që ata të shohin një "përparim " në kuadër të dialogut dhe këtë e quajnë si një "mundësi historike" për të gjitha palët, duke përfshirë edhe Bashkimin Evropian. Sipas drejtorit të Drejtorisë për Zgjerimin e BE-së, Pierre Mirel, ky është një shans për të treguar se "çështje të vështira dhe të ndjeshme mund të zgjidhen përmes negociatave dhe kompromisit."

Para arritjes në Bruksel, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se "marrëveshja me Serbinë është e mundur, nëse ajo heq dorë nga 'krijimi i Republikës Srpska' në pjesë të Kosovës." Ndërkohë që Prishtina vazhdon të këmbëngulë në një zgjidhje që do të jetë në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, nga Beogradi arrijnë informata kontradiktore: sipas disave "Prishtina ka lëshuar pe" ndërsa sipas disa të tjerave "Prishtina nuk ka lëvizuar shumë nga qëndrimi i saj fillestar" lidhur me dhënien e kompetencave ekzekutive për bashkësinë serbe në Kosovë.

Arritja e marrëveshjes mund të shtyhet deri nga mesi i prillit

Burime diplomatike në Bruksel vlerësojnë se një marrëveshje për kompetencat është e mundshme, por gjithashtu përmendin mundësinë e mbajtjes së një raundi tjetër të bisedimeve në ditët e ardhshme, ndoshta në fillim të prillit.

Edhe pse deri tani 16 Prilli është quajtur si "Dita D", kur Komisioni Evropian dhe shefja e diplomacisë së BE-së duhet të raportojë para vendeve anëtare mbi progresin e Serbisë dhe Kosovës në procesin e reformave dhe dialogut, në zyrën e Catherine Ashton thonë se për 22 prill është planifikuar një fjalim i baroneshës Ashton në Këshillin e Ministrave të BE-së, i cili pastaj deri në qershor do të duhej të shqyrtonte mundësinë e fillimit të negociatave për anëtarësimin e Serbisë dhe negociatave për Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit me Kosovën.

Si Beogradi ashtu dhe Prishtina, megjithatë, duhet t'i kenë parasysh paralajmërimet e shteteve anëtare që të mos presin momentin e fundit për të arritur një marrëveshje dhe se më e rëndësishme se marrëveshja është zbatimi i saj konkret.

Autor: Marina Maksimoviç / Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi