1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Edhe Merkel duhet të ndihmojë në Ukrainë

av (dpa, afp)23 Qershor 2014

Presidenti ukrainas Poroshenko i ka bërë thirrje kancelares Merkel, që të angazhohet më shumë në zgjidhjen e konfliktit në Ukrainën Lindore. Kriza në Ukrainë trajtohet edhe ministrat e jashtëm të BE në Luksemburg.

https://p.dw.com/p/1COHm
Vladimir Putin dhe Petro Poroshenko
Fotografi: picture-alliance/dpa

Për zgjidhjen e konfliktit në lindje të Ukrainës janë jashtëzakonisht të rëndësishëm ndihma dhe angazhimi personal i Angela Merkelit dhe i udhëheqësve të tjerë shtetërorë, thuhet në një njoftim të presidentit Petro Poroshenko.

Në një bisedë telefonike kancelarja i kishte premtuar atij mbështetje për planin e paqes, si dhe për dialogun midis të gjitha palëve të interesuara, tha Poroshenko. Kryetari i shtetit shpreson sidomos për ndihmën gjermane për rindërtimin e infrastrukturës në rajonet Donetsk dhe Luhansk. Që nga prilli atje zhvillohen luftime ndërmjet forcave qeveritare dhe separatistëve prorusë, të cilat kanë shpallur atje republika popullore.

Kiev: Armëpushimi është thyer disa herë

Në bisedë me Merkelin Poroshenko tha për herë të parë konkretisht se armëpushimi i shpallur prej tij të premten është thyer në mënyrë të njëanshme disa herë brenda 24 orëve. Edhe pse në fundjavë nuk ka patur njoftime të reja për përdorimin e avionëve luftarakë, tankeve dhe artilerisë. Megjithatë ka patur vazhdimisht luftime të vogla. Ushtria dhe separatistët akuzuan njëri-tjetrin për mosrespektimin e armëpushimit.

Me situatën në Ukrainë merren edhe ministrat e jashtëm të BE në Luksemburg
Me situatën në Ukrainë merren edhe ministrat e jashtëm të BE në LuksemburgFotografi: John Thys/AFP/Getty Images

Dialog me forcat e moderuara

Kjo është pjesë e një plani të paqes të Poroshenkos, i cili parashikon që kryengritësit të dorëzojnë armët dhe të largohen nga ndërtesat e pushtuara. Përveç kësaj ata duhet të lirojnë të burgosurit dhe pengjet, duke përfshirë edhe vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, të cilët mbahen prej disa javësh. Përveç kësaj Poroshenko i ofroi bisedime separatistëve të moderuar.

Sanksione të reja kundër Rusisë?

Me situatën në Ukrainë merren edhe ministrat e jashtëm të BE në takimin e tyre në Luksemburg. Përmes një deklarate ata duan t'i kërkojnë Rusisë, që t'i përgjigjet pozitivisht planit të paqes të Poroshenkos. Gjithashtu qeveria në Moskë duhet të ndërpresë çdo mbështetje për separatistët prorusë. Nëse do të ketë sanksione të reja, varet nga zhvillimet e mëtejshme.

Së bashku me presidentin e SHBA Barak Obama, Merkel dhe presidenti francez François Hollande kërcënuan në fundjavë udhëheqësin rus Vladimir Putin me masa të reja ndëshkuese, nëse qeveria e tij nuk kontribuon për deeskalimin e situatës. Shefi i Kremlinit bën thirrje për një "armëpushim të përhershëm". Ky është një "kusht i pandryshueshëm" për të bërë "hapa konkretë" drejt një dialogu të qëndrueshëm midis autoriteteve në Kiev dhe separatistëve, njoftoi ministria e Jashtme në Moskë.