1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Edhe Kosova pjesë e koalicionit global kundër ISIS

Në Kosovë qëndroi i dërguari special presidencial në Koalicionin Global kundër ISIS-it, gjenerali amerikan John Allen. Në koalicionin global kundër shtetit islamik IS bën pjesë edhe Kosova.

Emisari presidencial i Shteteve të Bashkuara për Koalicionin Global kundër Shtetit Islamik IS, gjenerali John Allen, e vlerësoi anëtarësimin e Kosovës në koalicionin global në luftë kundër “shtetit islamik “ISIS” dhe pjesëmarrjen e saj në Grupin Punues të Koalicionit për shpërndarjen e mesazheve të kundërta. Emisari amerikan, gjenerali në pension John Allen ishte për vizitë të enjten në Kosovë me (04.06), ku takoi me dyer të mbyllura udhëheqësit më të lartë të vendit.

“Emisari John Allen dhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga u pajtuan rreth rëndësisë së shkëmbimit të të dhënave dhe të informacioneve për të ndihmuar në ndalimin e valës së luftëtarëve të huaj dhe diskutuan një varg mënyrash, se si mund të zgjerohet dhe thellohet përqasja ndaj komuniteteve, që mund të rrezikohen nga radikalizimi”, thuhet në një deklaratë për media nga presidenca e Kosovës.

Presidentja Jahjaga e ka njoftuar emisarin amerikan Allen me veprimet e ndërmarra nga institucionet e Kosovës dhe mekanizmat e sigurisë për të parandaluar dhe për t'u përballur me kërcënimin terrorist global, që paraqet ISIS-i dhe grupet tjera terroriste të lidhura me të, përfshirë masat e sigurisë dhe ato legjislative të vendosura për të pamundësuar aktivitetet, organizimin dhe çfarëdo veprimtarie radikale e ekstremiste në Kosovë. Sipas presidentes Jahjaga, veprimet e hershme të institucioneve të Kosovës e kanë shndërruar Kosovën në shembull për qasjen ndaj këtij fenomeni dhe sfide të sigurisë.

Kryeministri, Isa Mustafa, e njoftoi emisarin amerikan për angazhimet e qeverisë në luftën globale kundër ISIS-is.

Kryeministri Isa Mustafa e njoftoi emisarin amerikan për angazhimet e qeverisë në luftën globale kundër ISIS-is.

Në të njejtën linjë u shpreh edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili e njoftoi emisarin amerikan për angazhimet e qeverisë së Kosovës në luftën globale kundër ISIS-is.

“Hapat konkretë, që janë ndërmarrë në këtë luftë, janë: ligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës, hartimi i strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, që shpie në terrorizëm, që udhëhiqet nga zyra e kryeministrit të Kosovës, si dhe përkrahja e plotë e ofruar për mekanizmat e rendit dhe drejtësisë që të kryejnë detyrat e tyre në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit Isa Mustafa.

Para së të vijë në Prishtinë, emisari presidencial i Shteteve të Bashkuara për Koalicionin Global kundër Shtetit Islamik, gjenerali John Allen, tha në Doha të Katarit gjatë një forumi mbi marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Botës Islame, se “grupi militant ISIS ka pasur ndikim global dhe mund të shkaktojë kaos mbi përparimet e njerëzimit, nëse nuk ndalet”.

“Grupi militant nuk është vetëm problem irakian, apo sirian, por një problem rajonal me tendencë për ndërlikime globale”, citohet të ketë thënë emisari John Allen.

Ndryshe, një valë masive e arrestimeve në Kosovë e personave, që dyshoheshin të jenë të angazhuar përkrah organizatave islamike, të shpallura nga OKB si organizata terroriste, ndodhi në gusht të vitit të shkuar, ku Prokuroria Speciale e Kosovës kishte hapur hetimet kundër 57 personave dhe të njëjtën kohë kishte arrestuar mbi 40 persona.

Një muaj më parë ndërkaq Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 32 personave për terrorizëm. Që të gjithë personat dyshohen për veprat penale, “rekrutim për terrorizëm”, “organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll, posedim, apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”. Këto akuza u bënë pak kohë, pasi Parlamenti i Kosovës miratoi ligjin, që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës për t'u bashkuar në luftëra jashtë vendit.

Mediat e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare vazhdimisht kanë shkruar se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës u janë bashkuar organizatave terroriste në luftërat në Siri dhe Irak. Një studim i kohëve të fundit i bërë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thuhet se deri në muajin janar të këtij viti, 232 qytetarë të Kosovës kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar. 30 persona deri tash kanë humbur jetën në këto luftëra.