1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Edhe dhjetë ditë afat - Liga Arabe është tepër e tensionuar me misionin në Siri

Një gjë e tregojnë dhjetë ditë misioni në Siri: 150 vëzhgues pa përvojë dhe mjaft të kufizuar të Ligës Arabe nuk ia gjejnë dot anën regjimit të vendosur Asad. Opozita siriane është e indinjuar.

Liga Arabe takohet për Sirinë në Kajro

Liga Arabe takohet për Sirinë në Kajro

Misioni i Ligës Arabe vuan nga shumë deficite. Bashar Asadi e pati mbajtur për javë me radhe me premtime para se të miratonte një variant shumë të reduktuar për ndërhyrje të padhunshme.

Jo 500 vëzhgues, po fillimisht vetëm duzina. Jo drejtues (misioni) nga shtete kritike ndaj Sirisë si Katari, po nga Sudani (vend që nuk është për t'u marrë si shembull për sa u takon të drejtave të njeriut). Në Siri lejohen të hyjnë vetëm ata që marrin dretën e gjelbër nga regjimi. Një mision për hatër të Asadit lë hapësirë manovrimi të mjaftueshme për të pranuar vetëm aq sa duhet doemos.

Eksperti për Lindjen e Afërme Joseph Kechechian në Bejrut thotë: "Çështja është nëse vëzhguesit mund ta përmbushin detyrën që kanë marrë. Rëndësi ka që ata të lejohen të shkojnë atje ku duan. Tani Liga Arabe pranon se nuk i ka arritur synimet për të cilat dërgoi në Siri njerëzit e vet."

Vëzhgues të Ligës Arabe në Siri

Vëzhgues të Ligës Arabe në Siri

Pengesat më të mëdha për vëzhguesit: instalimet ushtarake janë për ta tabu; se çfarë është ushtarake, këtë e përkufizon Siria. Transportin e tyre e organizojnë autoritetet, kjo e kufizon lirinë e tyre të lëvizjes. Ata janë vazhdimisht të rrethuar nga forca të sigurisë të regjimit, gjë që e bën kontaktin me ta për sirianët në vështirësi një rrezik të pallogaritshëm.

Kësisoj misioni ishte që prej fillimit i dënuar të dështonte. Dilema e tij qëndron edhe në rrethanën që shtetet arabe duan të sillen në mënyra të ndryshme kundrejt Sirisë. Sanksione gati nuk u zbatuan. Fqinj si Iraku, Libani dhe Jordania janë vetëpërjashtuar nga frika prej represaljeve.

Katari, aktualisht kryetari i Ligës Arabe, donte të tërhiqte për ndihmë ekspertë të OKB-së me më shumë përvojë. Kjo nuk arrihet kundër Asadit, kështu që as provohet. Me shpresën për të mos këputur fijen e hollë të kontaktit me Damaskun, Liga gëlltit pa fjalë çdo gjë të pakëndshme dhe e shet ndaljen si sukses. Sekretari i përgjithshëm i Ligës Nabil al-Arabi bën bilanc: "Tanket dhe armët e rënda janë tërhequr nga qytetet. Mirë, ka ende snajpera, por shpresojmë që edhe ata të zhduken."

Opozita lëkundet midis mosbesimit, zemërimit dhe tmerrimit. Asadi po mashtron dhe po arrin të fitojë kohë për të vazhduar të vrasë, thuhet nëpër gjithë rezistencën me strukturë të larmishme. Nuk e dallon njeri maskeradën e regjimit, që i deklaron tanket për automjete policie dhe liron disa mijëra të burgosur që janë arrestuar arbitrarisht vetëm për këtë qëllim? - pyetet. Opozitarët protestojnë kundër vendosjes së tyre si viktima në një shkallë me regjimin.

Liga Arabe takohet për Sirinë në Kajro

Liga Arabe takohet për Sirinë në Kajro

Duket qartë, me misionin e vet Liga Arabe është sforcuar, por ajo nuk ka alternativë. Opozita duhet ta kishte pasur të qartë, se vëzhguesit e paarmatosur nuk mund të ndalin dhunën e tankeve dhe të snajperave, po (sikurse e thotë emri) vetëm sa mund të dokumentojnë gjendjen. Mirëpo, as kjo nuk arrihet - për këtë u duhet dhënë faji atyre. Opozita nga ana e saj nuk lufton vetëm kundër regjimit, po nëpërmjet rrugës për ta larguar Asadin, ajo lufton edhe me veten: mërgimi grindet me rezistencën në Siri, kryengritës të paarmatosur e refuzojnë luftën e armatosur të dezertorëve. Përfytyrimet politike për kohën pas Asadit mbeten përgjithësisht të pandriçuara.

Edhe vetëm dhjetë ditë kohë i mbetn Ligës Arabe për raportin përmbyllës. Me gjasa Asadin ai nuk e tremb shumë, përkundrazi. Ai do ta vlerësojë atë si dëshmi të bashkëpunimit të vet.

Autor: Ulrich Leidholdt/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama