1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ec e jaket e pushtetit në Kosovë - Kushtetuesja sërish në rend të ditës

PDK: Interpretim nga Gjykata Kushtetuese mbi zgjedhjen e kryetarit të kuvendit. Presidentja do të respektojë të drejtën e secilit subjekt politik për sqarime ligjore që mund të ngrihen lidhur me seancën e kuvendit.

Kryetari i ri i kuvendit, Isa Mustafa, i zgjedhur në seancën konstituuese të Parlamentit të Kosovës (17.07.2014)nga blloku i partive në koalicion: LDK, AAK dhe Nisma me mbështetjen edhe të pakicave kombëtare, tashmë ka nisur zyrtarisht punën në krye të legjislativit. Por kryeministri i Kosovës në detyrë, Hashim Thaçi, njëherit kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i ka cilësuar të pavlefshme vendimet e seancës konstituuse të Parlamentit të Kosovës. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Hashim Thaçi, ka theksuar se partia e tij, PDK do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetueses për të kërkuar, siç thotë, rivënien e legalitetit dhe legjitimitetit në parlament. "Do t'i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në lidhje me zhvillimet e dhunshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të kërkuar rivënien e legalitetit dhe legjitimitetit në këtë institucion", thotë Thaçi.

Përfaqësuesit e partive të bllokut të koalicionit: LDK, AAK dhe Nisma, zgjedhjen e Isa Mustafës, kryetar të parlamentit e cilësojnë të ligjshme dhe se ajo u bë në përputhje me vendimin e kryesisë së vjetër të kuvendit të Kosovës, që e kishte përcaktuar një rend dite, që sipas tyre nuk respektohej nga udhëheqësja e seancës inauguruse, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina.

Pas konstituimit të parlamentit dhe zgjedhjes së kryetarit të kuvendit Isa Mustafa, që nuk po njihet nga PDK-ja, veprimi i radhës është nominimi i mandatarit për krijimin e qeverisë nga ana e presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga. Por, presidentja me gjasë do ta presë edhe interpretimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me zhvillimet në seancën inauguruese të parlamentit, para se të procedojë me nominimin e mandatarit të qeverisë. Shefi i stafit të presidencës, Arbër Vllahiu i tha DW-së se: "Presidentja Atifete Jahjaga, përveç zbatimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, do të respektojë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për caktimin e mandatarit për kryeministër, por gjithsesi se do të respektojë edhe të drejtën e secilit subjekt politik që mund të kërkojë interpretime dhe sqarime ligjore që mund të ngrihen për çështjen e seancës së Kuvendit të Kosovës".

Ndërsa prania ndërkombëtare në Kosovë nderi tani uk ka bërë ndonjë koment apo vlerësim lidhur me zhvillimet që ndodhën në seancën inauguruese të 17 korrikut në parlamentin e Kosovës.

"Status quo në parlamentin deri në prononcimin e Gjykatës Kushteteuse"

Analistët e pavarur ndërkaq, rrjedhën e seancës së 17 korrikut e cilësojnë të jetë zhvilluar me plot shkelje nga të dyja kampet politike. Naim Rashiti, analist i pavarur i tha DW-së, se situata politike në Kosovë vetëm do të tensionohet edhe më shumë, për faktin që të dy blloqet nuk po bisedojnë me njëri-tjetrin për të gjetur një kompromis politik për krijimin e institucioneve të reja.

"Cilido kamp politik që do ta kishte zgjedhur kryetarin e kuvendit, pala tjetër nuk do ta kishte njohur atë zgjedhje, sepse, që nga përfundimi i zgjedhjeve të 8 qershorit, e gjithë beteja politike është bërë që ta pengojnë njëri-tjetrin që të formojnë institucionet e reja dhe shumë pak ka pasur lidership për të krijuar institucionet dhe i gjithë ky konflikt politik, kulmoi në seancën inauguruse ndërmjet dy kampeve", thotë Naim Rashiti.

Sipas tij "deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, parlamenti i Kosovës do të jetë në një status quo dhe nuk do të procedohet me vendimin për zgjedhjen e qeverisë së Kosovës. "Është një situatë e rrezikshme politike, sepse mund të ketë dallime dhe konflikt rreth kushtetutshmërisë së institucioneve dhe veprime të tilla krijojnë një situatë të re në Kosovë që nuk ka qenë asnjëherë më parë. Mund të kemi mandat të institucioneve të pashpresë dhe me pak efekt në qeverisjen e vendit", vlerëson Naim Rashiti. Sipas tij, "udhëheqësit e partive politike do të duhej që të ulen dhe të dakordohen rreth procedurave për zgjedhjen e kryetarit ose së bashku të kërkojnë intepreteimin e Gjykatës Kushtetuese edhe në rastin e zgjedhjes së kryetarit të parlamentit".