1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

E zezë, e kuqe, e gjelbër – Ruleta e qeverisë gjermane

Në 22 tetor, një muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Bundestagu i ri duhet të mblidhet në seancën e tij të parë. Por derisa deputetët të zgjedhin një kancelar të ri, mund dhe duhet të ndodhin ende shumë gjëra.

Demokratët e lirë (FDP) nuk bëjnë më pjesë në Parlamentin Federal (Bundestag), por janë ende në qeveri. Derisa Bundestagu i ri të votojë për një kancelar të ri, qeveria e re e përbërë nga politikanë të Unionit Kristiandemokrat/Kristiansocial (CDU/CSU)dhe FDP-së do të vazhdojnë të drejtojnë punët.

Dhe siç duken gjasat, ata duhet të qeverisin edhe për një farë kohe: meqenëse votat e zgjedhësve nuk përcaktuan raporte të qarta shumice në Parlamentin e ri dhe nuk lejojnë asnjë nga aleancat e preferuara nga partitë, tani duhet të gjehen koalicione të reja: konservatorët me socialdemokratët, konservatorët me ekologjistët ose socialdemokratët me të majtët dhe ekologjistët.

Bisedime paraprake mes konservatorëve dhe socialdemokratëve

Ministri i Jashtëm Westerwelle

Ministri i Jashtëm Westerwelle do të jetë ende në detyrë derisa të formohet qeveria e re

Fituesi i zgjedhjeve Unioni CDU/CSU duket se preferon më shumë të qeverisë me socialdemokratët (SPD), të cilët megjithatë ende bëjnë naze. A mund të krijohet kështu një koalicion qeverisës? Për të shqyrtuar mundësitë e një koalicioni të tillë konservatoro-socialdemokrat, përfaqësues të të dy partive do të takohen fillimisht për një të ashtuquajtur bisedë paraprake.

Megjithatë SPD e ka të vështirë të hyjë sërish në një koalicion të madh me partitë e Unionit CDU/CSU. Për herë të fundit socialdemokratët kanë bashkëqeverisur me CDU/CSU nga 2005 deri 2009. Në zgjedhjet pas këtij mandati qeverisës, SPD pati rezultatin më të dobët në zgjedhje që prej themelimit të Republikës Federale. Për këtë arsye shumë anëtarë partie janë skeptikë ndaj një koalicioni të madh. Kështu do të jetë baza e SPD-së që do të vendosë nëse një koalicion mes konservatorëve dhe socialdemokratëve do të realizohet apo jo.

Bisedime paraprake mes konservatorëve dhe ekologjistëve

Konservatorët e Unionit CDU/CSU do të takohen edhe me ekologjistët për bisedime paraprake. Por në rang federate nuk ka pasur asnjëherë deri tani një aleancë mes këtyre dy forcave. „Me ekologjistët nuk do të shkohet më tej se bisedimet paraprake“, beson politologu Oscar Niedermayer. Edhe politologu Wichard Woyke nuk beson në krijimin e një koalicioni mes konservatorëve dhe ekologjistëve. „Do të ishte shumë e vështirë që kjo t'u shpjegohej anëtarëve të të gjelbërve. CDU/CSU ishte gjatë fushatës elektorale në rolin e armikut“, thotë Woyke në bisedë me DW.

SPD ka përvojë jo të mirë nga bashkëqeverisja në koaliicion të madh me Unionin

SPD ka përvojë jo të mirë nga bashkëqeverisja në koaliicion të madh me Unionin

Krahas një koalicioni të madh dhe një koalicioni mes konservatorëve dhe ekologjistëve ekziston edhe një mundësi e tretë për krijimin e qeverisë: një aleancë mes socialdemokratëve, ekologjistëve dhe partisë „E Majta“. „Ky është një opsion me shumë pak gjasa, pasi si SPD ashtu edhe ekologjistët e kanë përjashtuar para zgjedhjeve një koalicion qeverisës me të majtën dhe tani nuk mund të kthehen prapa“, thotë Woyke. Gjithashtu politologu ka dyshimë për aftësinë qeverisëse të së majtës pasi ajo përfaqëson pjesërisht pozicione të vështira për t'u financuar dhe kontroverse.

Po në qoftë se askush nuk pranon?

"Nëse asnjë nga përpjekjet nuk funksionon, është radha e Presidentit për të vepruar“, thotë politologu Oscar Niedermeyer. Në 22 tetor Bundestagu i ri duhet të mblidhet në seancën e tij të parë, kështu parashikohet në ligj. Por Parlamenti nuk është i detyruar të zgjedhë një kryetar qeverie. Presidenti Joachim Gauck mund t'i kërkojë Angela Merkelit të vazhdojë të mbetet në post derisa të mbyllen negociatat për koalicion. Nëse negociatat dështojnë përfundimisht, Presidenti mund të propozojë vetë një kancelar. Atë Bundestagu mund ta votojë edhe me shumicë të thjeshtë. Ai ose ajo do të ishte megjithatë në krye të një qeverie pakice pa shumicë të vetën në Parlament.

Ndryshimet politike do të ishin kështu thuajse të pamundura dhe qeveria në thelb e paaftë për të vepruar. Për këtë arsye Kancelarja Merkel këtë opsion e ka përjashtuar tashmë. Edhe politologu Woyke thotë se Gjermania nuk mund t'ia lejojë vetes në plan ndërkombëtar një situatë të brendshme politike të paqendrueshme.

Rikthim tek kutitë e votimit

Askush nuk pranon të bashkëqeverisë me të majtën

Askush nuk pranon të bashkëqeverisë me të majtën

Nëse nuk gjendet asnjë rrugë për krijimin e një qeverie të qendrueshme, Presidenti mund të vendosë mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Atëherë të gjithë gjermanët duhet t'u drejtohen përsëri kutive të votimit.

Megjithatë ka të ngjarë që askush të mos dojë që punët të arrijnë deri atje: „Partitë duan të qeverisin“, thotë edhe Wichard Woyke. Në fund CDU/CSU dhe SPD do t'i përgjigjen dëshirës së shumë qytetarëve dhe do të krijojnë një koalicion të madh, thotë profesori i shkencave politike. Por derisa të arrihet deri atje, në Berlin do të vazhdojnë negociatat. Në Belgjikë bisedimet për koalicionin kanë zgjatur një herë rreth 13 muaj. Në Gjermani megjithatë nuk do të shkohet deri atje, beson Woyke.