1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

E veja e diktatorit Honecker mbron RDGj-në

Arratisja nga RDGj, duke kaluar Murin, ishte marrëzi, "kthesa politike" kundërrevolucion dhe Gorbaçovi llafazan. Pas një heshtjeje të gjatë e veja e Honeckerit lan hesapet me armikun e klasës.

Margot Honecker

Margot Honecker

Shumë gazetarë vitet e fundit kanë marrë më kot rrugën për në Kili, për të takuar Margot Honeckerin, në shtëpinë ku jeton. Gruaja e ish udhëheqësit të RDGJ-së dhe kryetarit të partisë i lagte në shumicën e rasteve me zorrën e kopshtit, ose u hidhte në kalim ndonjë fjalë ironike. Por para pak kohësh Margot Honecker, ish-ministrja e Arsimit të RDGJ-së, i ka publikuar në formë libri pikëpamjet e saj për sistemin arsimor të shtetit gjermanolindor, si dhe shënimet e fundit në formë ditari të të shoqit. Së fundi ajo i dha një intervistë të gjatë regjizorit të filmit dokumentar, Eric Friedler. Në një film televiziv 90 minutësh "Rrëzimi - fundi i Honeckerit", të cilin të hënën e ndoqën më shumë se 4 milionë spektatorë në kanalin e parë televiziv ARD, e veja e Erich Honeckerit mbron shtetin e punëtorëve dhe të fshatarëve. RDGj nuk ka qenë shtet kriminelësh. Për ata, që u vranë duke kaluar Murin, ajo tha:

"Nuk lë asnjë të qetë fakti, që një djalë i ri të vdesë në këtë mënyrë. Sepse kjo nuk kishte nevojë të ndodhte. Ai nuk kishte nevojë të ngjitej mbi Mur. Të paguash me jetën marrëzi të tilla është e hidhur, sidomos për nënat, që janë të prekura nga kjo."

"Kriminelët e heqin veten si viktima të politikës"

Eric Friedler

Autori Eric Friedler

Për të burgosurit politikë në Gjermaninë Lindore, Margot Honecker thotë: "Ata, që kanë qenë kriminelë, e shesin veten sot si viktima të politikës. Të përndjekurit politikë, në qoftë se ato do të dilnin, do të ishin me siguri shumë pak, që mund ta quanin veten viktima. Që në RDGj ka patur kundërshtarë politikë dhe që njerëzit, që kanë dëmtuar socializmin ekonominë, e cila i takonte popullit, janë gjykuar dhe ka patur nga ata që edhe janë burgosur, sigurisht që ka patur. Por kjo është normale. Për këtë nuk duhet të kërkojë falje askush."

Njerëzit, që kanë parë intervistën, tundin kokën. Shumica nuk kanë pritur gjë tjetër nga bashkëshortja e Honeckerit, e njohur në përgjithësi si besnike e vijës së tij . Por të prekurit janë shumë të zemëruar. Edhe ata e marrin fjalën në filmin dokumentar të ARD-së. Duke iu marrë fryma rrëfen në film një grua, që dikur hyri në burg për tentim arratisjeje nga vendi dhe djali i saj më vonë u dha për adoptim nga shteti: "Kush është kjo grua?", pyet dëshmitarja. Kjo nuk mund të jetë e vërtetë. "është indinjuese, e padurueshme, e pabesueshme."

Pastaj erdhi kundërrevolucioni

Birësime të detyruara nuk kanë ekzistuar në RDGj, thotë Margot Honecker, ish ministrja e Arsimit, duke e ditur se asaj nuk mund t'i vërtetohet ndonjë përgjegjësi penale.

Në vitin1989 Erich Honecker jep dorëheqjen

Në vitin1989 Erich Honecker jep dorëheqjen

Në intervistë Margot Honecker, e cila jeton nga viti 1992 në Santiago de Chile dhe merr 1500 euro pension nga shteti gjerman, përshkruan mbrëmjen e tetorit 1989, kur u festua në Berlinin Lindor 40 vjetori i RDGJ-së. Të rinjtë brohorisnin mikun sovjetik Michail Gorbaçov, ndërsa Erich Honecker qëndronte mënjanë me fytyrë të ngrirë.

"Ne pastaj u kthyem mjaft të heshtur. Unë nuk e ndjeja nevojën të flisja, se si e kisha përjetuar. Unë nuk doja as ta lëndoja dhe ai donte të kishte qetësi. Pastaj erdhi, siç thashë, ajo që duhej të vinte."

Burri i saj shumë shpejt nuk pati më iluzion se do të mund të shpëtohej diçka. Sipas këndvështrimit të tij ajo nuk ishte kryengritje popullore, por kundërrevolucion. Për Gorbaçovin e veja e Honeckerit thotë, se nga ai nuk ka pritur asgjë:

"Ai ishte përgjegjës për këtë skenar. Ai ka grumbulluar aq shumë gënjeshtra. Unë kisha aversion ndaj tij. Mua nuk më pëlqenin ato llafe, herë kështu e herë ashtu."

"Të tjerët duhet të kërkojnë falje"

Emblema e RDGj-së

Emblema e RDGj-së

Dokumentari televiziv risjell edhe një herë ditët e Honeckerit në në Gjermaninë Lindore pas kthesës. Pas spitalit dhe arrestimit, dikur njeriu më i fuqishëm i RDGj-së dhe me gruan e tij, u gjend në fund të janarit 1990 papritur pa strehë, në rrugë. Nuk ishin shokët e partisë ata, që ndihmuan, por një prift u ofroi strehë. Çifti Honecker pati fat, thotë në dokumentar ish ministri i Jashtëm sovjetik Eduard Schewarnaze: Çaushesku u ekzekutua dhe në BS të sëmurët nuk i kanë arrestuar, por i kanë pushkatuar."

Sa i përket gjykimit përfundimtar për RDGj-në, Margot Honecker i beson historisë. Ajo është gjithnjë e më shumë e mendimit "se ne kemi hedhur në tokë farën dhe ajo do të nxjerrë frytet e saj". Nuk ka qenë më kot, që ka ekzistuar RDGj, "sepse asaj do t'i kthehen, sidomos në Gjermani."

Të gjitha fjalët për ekonominë e rrënuar të RDGj nuk janë të vërteta, ne kemi dashur të bëjmë ndryshime të tjera të mëdha. Por për to nuk na ka premtuar koha, thotë Honeckeri. Padrejtësia e vërtetë në botë është se ende shumë njerëz shfrytëzohen dhe vdesin nga luftërat dhe bombat. "Të tjerët duhet të kërkojnë falje," kërkon bashkëshortja e Honeckerit.

Autor: Bernd Gräßler/Angjelina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi