1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

1914 - Lufta e I Botërore

E shpëtoi FIFA imazhin? Blatter lirohet nga akuzat, bin Hammam suspendohet

Funksionarët kryesorë të FIFA-s Mohammed bin Hammam dhe Jack Warner suspendohen përkohësisht për shkak të akuzave për korrupsion. Presidenti i FIFA-s, Joseph Blatter, gjithashtu nën hijen e akuzave mbetet në post.

default

Presidenti i FIFA-s Sepp Blatter

Zgjedhja e presidentit të Shoqatës Botërore të Futbollit do të zhvillohet sipas planit të mërkurën më 01.06.2011. Pas një mbledhjeje që zgjati tetë orë nënkryetari i komisionit të etikës Petrus Damaseb shpalli vendimet që priteshin. Zgjedhja në kongresin e FIFA-s në Zyrih kësisoj kthehet në farsë - Blatter mund të zgjidhet si i vetmi kandidat me miratimin e të pranishmëve.

Funksionarët kryesorë të FIFA-s Mohammed bin Hammam dhe Jack Warner u suspenduan përkohësisht për shkak të akuzave për korrupsion. Presidenti i FIFA-s, Joseph Blatter, gjithashtu i akuzuar për korrupsion vazhdon të jetë në post. Komisioni i etikës arriti në konkluzionin, se sa i përket z. Joseph S. Blatter bazuar në nenin 129 të kodit etik të FIFA-s, nuk mund të mendohet, se ka pasur shkelje. "Ndaj edhe nuk është e nevojshme të merren masa të përkohshme", tha Damaseb. "Ne mund të marrim masa të përkohshme kundër z. Blatter vetëm, nëse besojmë, që mund të ketë pasur shkelje të kodit të etikës. Për këtë nuk kemi asnjë pikë referimi", theksoi namibiani Damaseb.

NO FLASH Fußball FIFA Mohamed Bin Hammam

Mohamed Bin Hammam hoqi dorë nga kandidatura

Blerje e votave

Dy anëtarët e komitetit ekzekutiv bin Hammam dhe Warner në të kundërt duhet të kenë shkelur kodin e etikës, duke tentuar në takimin e Unionit të Futbollit të Karaibeve më 10 dhe 11 maj të blejnë vota për zgjedhjen e bin Hammam-it. Sipas të dhënave të Sekretarit të Përgjithshëm të FIFA-s Jérôme Valcke shoqata e Puerto Rico në një e-mail ka konfirmuar, se "ne më 10 dhe 11 maj kemi marrë dhurata në vlerën 40.000 dollarë". Bin Hammam nga Katari të dielën (29.05.2011)papritur e tërhoqi kandidaturën e tij për zgjedhjen e shefit të FIFA-s.

Blatter ishte akuzuar prej bin Hammam-it, se ka pasur dijeni për akuzat për korrupsion, po nuk e ka kallëzuar atë. "Nuk ka asnjë arësye për ta shtyrë zgjedhjen", tha Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s Jérôme Valcke. Qysh nga mengjesi i së dielës (29.05.2011)komisioni i etikës u konsulutua me dyer të mbyllura në selinë e FIFA-s në Zyrih. Bin Hammam ishte shkurt i pranishëm i shoqëruar nga avokati, ndërsa Warner u prononcua me shkrim dhe Blatter iu përgjigj pyetjeve të komisionit duke mos pasur avokat të pranishëm. Si bin Hammam, ashtu edhe Warner sërish i kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat - njëri duke u prononcuar personalisht dhe tjetri me shkrim.

Jack Warner FIFA

Jack Warner, zëvendëspresident i FIFA-s suspendohet përkohësisht nga detyra

Skandali më i madh në historinë e FIFA-s

Megjithatë komisioni gjykoi, se "këta zyrtarë duhet të përjashtohen përkohësisht nga aktivitetet e FIFA-s". Suspendimi tani për tani vlen për 30 ditë. Gjatë kësaj periudhe FIFA edhe me ndihmën e ekspertëve të jashtëm do të kryejë hetime të mëtejshme. Blatter në kohën që u dha konferenca e shtypit ishte larguar nga selia e FIFA-s. Pavarësisht "lirimit nga akuza" 75 vjeçarin e presin ditë të turbullta. Kërkesat për shtyrjen e zgjedhjes nuk do të reshtin. Sidoqoftë tre të katërtat e shoqatave në kongres javën e ardhëshme do të votojnë për të.

Me këtë vendim të çalë ka dështuar çlirimi prej akuzave dhe shpëtimi i imazhit të rrënuar të FIFA-s. Lidhur me skandalin më të madh në historinë 107 vjeçare të FIFA-s mbeten shumë pikëpyetje. Si ka mundësi që komisioni beson, se z. Blatter nuk ka pasur dijeni për pagesat? Çfarë nënkupton "cunami në futboll" i paralajmëruar prej Warner-it? Ka kohë që kredibiliteti i shoqatës botërore është tronditur në mënyrë të pariparueshme.

FIFA Logo

Logoja e FIFA-s

Presion nga familja mbretërore?

"Unë nuk do të vendos ambicjet e mia personale mbi dinjitetin dhe integritetin e FIFA-s. Unë nuk mund të lejoj, që emri, që unë e kam dashur, të zhytet gjithnjë e më shumë në llum për shkak të një gare midis dy individëve", shkruan bin Hammam në faqen e tij të internetit, "që loja dhe njerëzit, të cilët preferohen në mbarë botën, duhet të kenë prioritet. Ndaj unë komunikoj tërheqjen e kandidaturës sime për zgjedhjen e presidentit." Faktikisht mendohet që familja mbretërore në Katar, e cila dëshiron që të mos rrezikohet organizimi i Kampionatit Botëror të Futbollit 2022 në Katar, t' i jetë imponuar atij për të ndërmarrë një hap të tillë.

Më parë zbulime të reja të publikuara në mediat britanike i ngarkonin rëndë bin Hammam-in dhe nënpresidentin e FIFA-s Jack Warner. Sipas një njoftimi të gazetës "Telegraph" këta të dy dyshohet t'i kenë ofruar 25 funksionarëve të FIFA-s nga Karaibet gjithsej një milionë dollarë për të mbështetur bin Hammam-in. Pas fjalimit të fushatës elektorale të bin Hammam-it më 10 maj në Port of Spain Warner i ka ftuar të deleguarit një nga një në dhomën e konferencës së hotelit. Sipas "Telegraph" secilit nga 25 funksionarëve të FIFA-s u janë ofruar si dhuratë 40.000 dollarë në dorë, me lutjen, "të mos i tregoni askujt për këtë".

Autor: S. Faupel /V.Filaj-Ballvora (dpa, sid)
Redaktoi: L. Arapi