1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

E qeshura - sëmundja ngjitëse me efekt shërues

Nesër është dita ndërkombëtare e së qeshurës. Lëvizja e së qeshurës është krijuar në vitin 1995 në Mombay në fillimisht me vetëm pesë anëtarë, ndërkohë me 6000 klube në 60 vende të ndryshme të botës.

Anëtare të Klubit Ndërkombëtar të së Qeshurësnë Indi

Anëtare të "Klubit Ndërkombëtar të së Qeshurës"në Indi

"Këtë tatuazh e kam bërë dy vjet më parë", thotë pensionistja 68-vjeçarja tek tregon delfinin në krahun e saj të majtë. "Doja të isha gruaja më e vjetër e Gjermanisë me tatuazh, por mësova që qenka një tjetër para meje". Që atëherë bavarezja bën çdo vit nga një tatuazh, vitin e kaluar ishte një djall në shpinë, ndërsa këtë vit disa yje në parakrahun e djathtë. "Më parë ishte diçka e veçantë, por tani është bërë modë, tri javë duhet të presësh derisa të të vijë radha".

47 vjet rresht ka punuar në lavanterinë që drejtonte me të shoqin. " Ishte punë e rëndë, po edhe fëmijët duheshin rritur, duhej kujdesur për pleqtë, të gjitha i kam kaluar", shton gruaja me thonjtë që i shkëlqejnë nga manikyri trëndafili. Flokët gri janë prerë shkurt, por përpara i del një cullufe ngjyrë vjollcë: "E kam bërë që të më gjejnë lehtë kur të më zerë skleroza," thotë ajo dhe lëshon një të qeshur kumbuese. Sa hap e mbyll sytë dhe e qeshura e saj ngjitëse shkakton efektin: Gratë dhe burrat e ulur rreth e përqark tryezës ia plasin gazit që shpërndahet valë-valë në sallonin e azilit të të moshuarve.

Inge Tscharntke, themeluese e Bacileve të së Qeshurës në Pfaffenhofen

Inge Tscharntke, themeluese e "Bacileve të së Qeshurës" në Pfaffenhofen

Ajo është njëra nga anëtaret e klubit "Bacilet e së qeshurës", që po feston tetë vjetorin e themelimit. "Quhemi kështu sepse e qeshura është ngjitëse dhe koha e inkubacionit, derisa të piqen bacilet, nuk zgjat as disa sekonda, ta bëjmë një provë?" - thotë kryebacilja Inge Tscharntke dhe ia plas gazit.

Prejardhja nga India

"Bacilet e së qeshurës" është njëri nga 31 klubet e së qeshurës, që ekzistojnë në Gjermani e që janë pjesë e lëvizjes ndërkombëtare të së qeshurës, të cilën e krijoi në vitin 1995 mjeku indian Dr. Madan Kataria. Aktivistët e kësaj lëvizjeje janë të bindur se e qeshura ka efekte shëruese, madje edhe atëherë kur nuk ka shkak, prandaj edhe ata e ushtrojnë këtë në seminaret e tyre "yoga e së qeshurës".

"Në fillim duket artificiale, por në momentin që i drejtojmë sytë nga njëri - tjetri e qeshura bëhet e natyrshme," shpjegon në një videomesazh në faqen e internetit Dr. Madan Kataria. Me pesë anëtarë filloi lëvizja e tij në vitin 1995, tani ajo ka 6000 klube në 60 vende të ndryshme të botës. "Kjo nuk është aspak për të qeshur", thotë doktori i humorit dhe qesh.

Mjeku Madan Kataria drejton të burgosurit në një orë mësimi të së qeshurës në një film dokumentar të vitit 2000

Mjeku Madan Kataria drejton të burgosurit në një orë mësimi të së qeshurës në një film dokumentar të vitit 2000

Edhe Inge Tscharntke përdor metodën e Dr. Kataria-s, të cilën ajo e ka mësuar tetë vjet më parë në Viesbaden, në të ashtuquajturën "Kishën e Humorit", ku në vitin e 1998 u krijua klubi i parë i së qeshurës në mbarë Evropën. "U bëra kureshtare, ç'është kjo e qeshur pa shkak? Bëra 500 kilometra rrugë deri në kishën e humorit. E aty qesha për herë të parë në jetën time". Që kjo s'është e vërtetë, është afërmendsh, por që ky përjetim do të ndryshonte jetën e saj, kjo është më se e sigurt.

Kundër mërzisë dhe depresionit

Që atëherë ajo mbledh çdo të mërkurë bacilet e Pfaffenhofenit. "Në fillim të duket vetja budalla, sepse flasim në telefon e gajasemi së qeshuri, përshëndesim njëra-tjetrën e qeshim, por pastaj mësohesh dhe kupton që e qeshura të bën mirë", thotë pensionistja me tatuazh, e cila i është bashkangjitur grupit të Inge Tscharntkec tre vjet më parë, më shumë për t'iu larguar mërzisë së qytezës me 23 mijë banorë. "Ku ka këtu vend tjetër për të qeshur?"- shton ajo. "Im shoq në shtëpi nuk qesh fare, nami të bëhet!"

Por jo të gjithë anëtarët e klubit vijnë thjesht për të shtyrë kohën. Një mesogrua thotë se mundohet të heqë depresionet e menopauzës, një burrë që sapo ka mbetur i papunë përpiqet të gjejë optimizmin e humbur. Inge Tscharntke mundohet t'u induktojë atyre moton e saj: "Është në dorën time që t'i marr gjërat me seriozitet apo me të qeshur", u thotë ajo dhe u jep shenjën bacileve të vendosura në rreth që të mbledhin të qeshurat e fundit për sot e me duart drejt qiellit t'i drejtojnë ato nëpër botë.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 01.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NCDb
  • Data 01.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NCDb