1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

E pakompromis, e personalizuar - Retorika politike në fushatën 2013

Retorika e partive në garën elektorale 2013 sundohet nga dy liderë kryesorë të politikës shqiptare, kryeministri demokrat, Sali Berisha dhe kreu i opozitës, Edi Rama. Po çfarë e karakterizon këtë gjuhë politike?

default

Ethet e garës elektorale në Shqipëri kanë arritur në fazën e nxehtë - duke u kthyer në temën kryesore sunduese të opinionit publik dhe mediave. Programet e partive janë shpalosur, posterat elektoralë kanë mbuluar qytetet, kandidatët për deputetë i prezantohen në mitingje të bujshme elektoratit, tanimë dy kampet kryesore politike, si ai i djathtë në pushtet dhe ai i majtë në opozitë po angazhojnë të gjitha kapacitetet për finishin. Një gjendje e tillë ka shënuar rritjen e temperaturës politike në vend, emocionet elektorale të militantëve vlojnë, që gjë rezultoi edhe në disa incidente elektorale, të mbetura deri më tani si episode sporadike dhune.

Modeli i partive-lider

Por megjithëse në garë elektorale gjenden kandidatët për 140 deputetët e ardhshëm të Kuvendit të Shqipvrisë, atë e sundojnë dy krerët kryesorë të politikës shqiptare, kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i opozitës Edi Rama. Të dy liderët, nga një anë Sali Berisha, kreu i „Aleancës për punësim, mirëqenie dhe integrim“ dhe Edi Rama, kreu i „Aleancës për Shqipërinë Europiane“, jo vetëm që janë dy figurat që sundojnë ekranet televizive, por ata i japin edhe tonin kryesor retorikës së fushatës elektorale në vend. Gjuha politike që ata përzgjedhin në një fushatë është edhe barometri i tensionit politik. Ashpërsia e derimëtanishme e gjuhës së përdorur kundër kundërshtarit politik e ka kthyer fushatën elektoralë në një betejë emocionale të personalizuar që ka vetëm një përfundim: eliminimin e rivalit politik. Përballja e kthjellët dialoguese me argumentash idesh e programesh, ku qytetari zgjedh alternativën më të mirë – një dëshirë e së ardhmes!

Interview mit Fatos Lubonja

Analisti Fatos Lubonja

Arsyet e një identifikimi kaq masiv të fushatës me dy liderët kryesorë partiakë për publicistin Fatos Lubonja nuk qëndrojnë vetëm në përqëndrimin e lojës mediatike tek Sali Berisha dhe Edi Rama, por në modelin, në bazë të cilit funksionojnë dy partitë kryesore në Shqipëri. „Modeli i partive që kemi ndërtuar është ai i partive - lider, lideri simbolizon partinë. Ky model organizimi ka shumë problem, sepse partia mbështetet vetëm në një figurë dhe kjo pengon demokracinë në parti, për fat të keq kemi liderë të çekuilibruar në politikën tonë. Por për shkak të trashëgimisë sonë nuk duhej të kishim parti të tilla, sepse dihet trashëgimia e një lideri delirant dhe paranojak si Enver Hoxha. Ne kemi dy liderë që i kanë hapur luftë totale njëri-tjetrit, derisa të mbesë një lider i vetëm, figurativisht kthehemi tek partia e punës. “

Gjuha e sotme - asgjë e mirë për të pasnersërmen e zgjedhjeve

Fushatën elektorale po e ndjek me vëmendje edhe eksperti i Europës Junglindore në Universitetin e Grazit, dhe njohësi i retorikës politike në Ballkan, Robert Pichler. Për të fushata 2013 sërish është e përqëndruar në diskreditimin e tjetrit. „Fyerjet dhe sulmet e dyanshme spostojnë ato që duhet të jenë vërtet në qendër - idetë dhe programet – ajo helmon edhe më shumë klimën mes dy kampeve politike, duke të lejuar të kuptosh edhe gjendjen e brendshme të dy protagonistëve të kësaj përballjeje politike, - ajo është e pakompromis, e personalizuar dhe e karakaterizuar nga një revanshizëm i rrezikshëm, që nuk premton ndonjë gjë të mirë për periudhën postzgjedhore.“

Albanien Ministerpräsident Sali Berisha

Kryeministri Sali Berisha

Nuk kanë shënuar më shumë se dy dekada tranzicion ndonjë zhvillim pozitiv në kulturën e komunikimit politik në Shqipëri? Eksperti i Europës Junglindore, Robert Pichler është pesimist. Ai nuk sheh ndonjë ndryshim bazik të saj, për të „gjuha politike e protagonistëve vetëm se është rafinuar më shumë, është bërë më brutale në sulmet e fajësimet e dyanshme. Që kjo kulturë komunikimi ndodhet ende larg një ballafaqimi kritik-reflektiv lidhet edhe me humbjen e pavarësisë së mediave, që ndodhen në darën e bosëve të ndërtimit apo firmave, të cilat nga ana e tyre janë të mpleksura keqazi me politikën“, thekson Pichler.

Me mua ose kundër meje

Epitete fyese, hiperbolat, metaforat e shprehjet metaforike e proverbiale, madje të përzgjedhura me kujdes në bazë të zonave zgjedhore për të sulmuar njëri-tjetrin – sundojnë gjuhën elektorale të dy liderëve. Synimi - imazhet e transmentuara me këtë gjuhë të mbeten në kujtesën e elektoratit- duke filluar nga njeriu mavi, tek gjyshi që do çuar në shtëpi, njeriu i rrënimit, njeriu i rrezikshëm e njeriu i çoroditur, bllokuesi e bllokmeni, deri tek e e keqja që ka kapur vendin për fyti.

Një gjuhë polarizuese dhe përjashtuese, ku shenjat e dhënies së dorës bashkëpunuese palës tjetër duhet të kërkohen me qiri në natën e gjatë të konflikteve politike. Për publicistin Fatos Lubonja „kjo gjuhë synon vetëm të deligjitimojë tjetrin“, ndërsa për ekspertin Robert Pichler një trashëgimi e komunizmit dhe mungesës së traditës demokratike. „Komunizmi njihte vetëm përfshirjen ose përjashtimin – me mua o kundër meje, pra përkatësinë në sistem apo humbjen e të drejtës së ekzistencës. Në mes të të dyjave nuk kishte gjë tjetër. Regjimi i Hoxhës shtrëngtonte kështu radhët e veta dhe bashkonte vendin nga ana sociale, kulturore dhe ekonomike. Kjo trashëgimi ka mbijetuar deri sot. Por për fat elitat politike shqiptare nuk kanë më mjetet për t'i vënë në jetë botëkuptimet e tyre autoritariste. Suksesi i deritanishëm i Shqipërisë ka ndodhur falë vrullit të njerëzve që duan të ndryshojnë gjendjen e të përmirësojnë jetën e tyre. Politika nuk kontribuon kushedi çfarë në këtë drejtim, ajo më shumë e paralizon vendin.”

Breshëria e batutave - erëzat e fushatës?

Opposition Socialist Party leader Edi Rama speaks to supporters in an anti-government protest in the village of Gerdec, 15 kilometers west of capital Tirana Tuesday, March 15, 2011. Several thousand opposition supporters have protested against the Albanian government on the third anniversary of the death of 26 people in blasts at an ammunition disposal factory. The opposition blames the explosions in Gerdec, near Tirana, in 2008 on corrupt officials in the ruling coalition. (Foto:Hektor Pustina/AP/dapd)

Lideri i opozitës Edi Rama

Megjithatë fushata elektorale ka ofruar edhe momente kur në takimet me elektoratin liderët “pushojnë” pak duke ulur tonet e ashpra. Atëherë vihen në përdorim batutat që po përdoren me zell sidomos në këtë fushatë, sigurisht shigjetat e humorit drejtohen nga kampi kundërshtar. Një dëshirë e mirë për çtensionimin e fushatës apo strategji e qëllimshme? Për publicistin Fatos Lubonja shenjë e dështimit të ndërtimit të projekteve të vërteta bindëse. „Batutat po zëvendësojnë idetë serioze. Kjo gjuhë zëvendëson boshllëkun e ideve dhe idealeve, boshllëkun e programeve serioze e tregon mungesën e përkushtimit të politikës ndaj halleve të vërteta të njerëzve. „

Kuintesenca e fjalimeve elektorale të fushatës 2013: Shpëtimi jemi ne, pala tjetër është vetëm e keqja. Por nëse vetë politika shqiptare do të shpëtojë një ditë nga e keqja e gjuhës denigruese, për të sunduar një gjuhë e dialogut, për ekspertin Pichler kjo lidhet vetëm me një ndryshim strukturor. “Shqipëria ka nevojë për ndërrim elitash për të dalë nga ky qerthull i këtij normaliteti fatal, ajo ka nevojë për një gjeneratë të re njerëzish kritikë, që nuk lejojnë të përdoren nga pushteti, ka ardhur nevoja e një “pranvere shqiptare” për të fshirë këtë kastë të vjetër politikanësh.”