1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

'E majta' padit qeverinë për Kosovën

Bundestag-u pritet të miratojë të enjten zgjatjen e mandatit për ushtarët gjermanë në Kosovë. Vetëm "E majta" pritet të votojë kundër. Të mërkurën ajo e paditi qeverinë për këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.

Bashkëkryetarët e Së Majtës Gjermane, Lafonten dhe Biski

Bashkëkryetarët e Së Majtës Gjermane, Lafonten dhe Biski

E Majta (Die Linke) gjermane ka shtruar të mërkurën një padi pranë Gjykatës Kushtetuese me subjekt angazhimin e ushtrisë gjermane (Bundeswehr) në Kosovë. Këtë e bëri të ditur të mërkurën (04.06) kreytari i grupit parlamentar, Gregor Gizi (Gysi). "Mandati është bazuar në në një vendim të Bundestagut, i cili nga ana e tij mbështetej në rezolutën 1244, ku Kosova përshkruhet me hollësi si pjesë e territorit të Serbisë", argumentoi Gizi. Sipas tij, shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj nga ana e qeverisë ishte shkelje e rezolutës 1244 dhe e ndryshoi bazën ligjore për stacionimin e Kfor-it në Kosovë. Kjo sipas Gizit, kërkonte një përligjje të re, gjë që nuk ndodhi. Pra, që nga 17 shkurti e deri më 4 qershor, stacionimi i ushtarëve gjermanë në Kosovë ka qenë "thyerje e të drejtave të parlamentit gjerman". Prandaj edhe E Majta iu drejtua Gjykatës Kushtetuese.

Të enjten (05.06.) Bundestagu pritet ta miratojë zgjatjen e mandatit. Këtë e vendosën të mërkurën (04.06) në mbledhjen e Komisionit për Çështje të Jashtme përfaqësuesit e katër partive, si të dy partive të koalicionit qeveritar, unionistët (CDU/CSU) dhe socialdemokratët (SPD), ashtu edhe të dy opozitareve, liberalët (FDP) dhe "Të Gjelbrit" (Die Grünen). Një javë më parë qeveria gjermane e parashtroi kërkesën në parlamentin gjerman, ku vetë ministri i jashtëm Steinmeier dhe ai i mbrojtjes Franz Jozef Jung argumentuan domosdoshmërinë e pranisë së ushtarëve gjermanë në Kosovë, si në aspektin politik ashtu edhe në atë të sigurisë.

Sipas Gizit, kjo lutje e qeverisë ndaj parlamentarëve për të miratuar mandatin nuk e rregullon problemin, sepse shkaku i saj nuk është ndryshimi i gjendjes faktike, shkaktuar me pavarësimin e Kosovës më 17 shkurt të këtij viti, por skadimi i mandatit të miratuar një vit më parë. Gizi kërkon rimandatim të stacionimit nga ana e OKB-së, gjë që mund të bëhet vetëm me një rezolutë të re. Por meqë kjo nuk pritet të ndodhë, atëherë E majta kërkon tërheqjen e trupave. Kërkesa e saj parashtruar në Gjykatën Kushtetuese megjithatë pritet të trajtohet mbas disa muajsh.

"Kosova nuk është në gjendje të mbrojë pakicat"

Ndërsa nga njëra anë "E Majta" kërkon tërheqjen e trupave nga Kosova, nga ana tjetër, ajo kërkon ndalimin e dëbimeve të refugjatëve nga Gjermania në Kosovë, bëhet e ditur në një njoftim të publikuar të mërkurën nga Bundestagu. "Ajo që të bie në sy është se ky shtet i pavarur i Kosovës, nuk është as në gjendje dhe as i vullnetshëm të mbrojë pakicat e veta", tha ekspertja e "Së Majtës" për Ballkanin, Monika Knohe (Knoche).

Kërkesa do t'i parashtrohet më 19 qershor Bundestagut, për t'u trajtuar më vonë nga komisionet përkatëse, ai i brendshëm dhe i jashtëm. Kërkesa drejtuar qeverisë gjermane që të mos i dëbojë afro 38 mijë pjestarët e pakicave nga Kosova, që qendrojnë në Gjermani me status të parregullluar, ka më tepër karakter politik, pasi çështjet e refugjatëve janë në kompetencë të Landeve dhe jo të Federatës.

DW.COM

  • Data 04.06.2008
  • Autor Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EDZ8
  • Data 04.06.2008
  • Autor Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EDZ8