1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

E Majta në ofensivë - Sfidë për partitë tradicionale

Partia "Die Linke" forcoi në zgjedhjet parlamentare në tri lande pozicionin e saj në spektrin politik në Gjermani si dhe pretendimin për pushtet. Tani SPD-ja luhatet mes refuzimit dhe aleancës me të Majtën.

default

Sukseset e së Majtës preokupojnë si CDU/CSU-në edhe Partinë Liberale

Sukseset e së majtës në zgjedhje në landet e Zarës, Saksonisë dhe Tyringisë ndezën sërish diskutimet, se çfarë roli mund të luajnë komunistët e madje kjo jo vetëm në nivel federate. Në Lindje të Gjermanisë aleancat mes të majtës dhe socialdemokratëve sa u përket shifrave mund të jetë një mundësi, madje kjo nuk është diçka e re. Pas zgjedhjeve në landin e Zarës një koalicion i tillë me pjesëmarrjen edhe të ekologjistëve është edhe aty i mundshëm. Ndërkohë socialdemokratët përbetohen se bashkëpunimi me të majtën në asnjë mënyrë nuk shtrohet si opsion. Liberalët kanë dyshime ndaj deklaratave të tilla.

Ajo që në vendet e ish-bllokut lindor është normale, pra qeverisja nga pasueset e partive komuniste, në Gjermani ka qenë e ndryshme për arsye historike. Këtu komunistët kanë qenë ata, që me ose pa të drejtë janë bërë përgjegjësit e vetëm për ndarjen e Gjermanisë. Megjithatë në Lindje, pra në territorin e ish-RDGJ-së, qysh në vitet 90-të ata kanë qenë të sukseshëm dhe me ndikim.

Në Saksoni-Anhalt prej tyre u tolerua një qeveri socialdemokrate e pakicës, në Meklenburg-Pomerani madje u krijua madje koalicion midis socialdemokratëve dhe të majtëve. Ndërsa në Berlin, ku deri në vitin 1989 ekzistonte muri, qysh nga viti 2001 qeveris në nivel landi aleanca mes të majtëve dhe socialdemokratëve. Ajo që s'ka ekzistuar deri më sot është një kryeministër i së majtës, post ky që kjo parti e pretendon në Tyringi, sepse atje ka dalë partia më e fortë me rreth 27% të votave duke lënë pas madje edhe socialdemokratët me 18%. Megjithatë kryetari i Partisë Socialdemokrate, Franz Müntefering, i përmbahet pozicionit: "Ne nuk do t'i zgjedhim të majtët kryeministra."

Socialdemokratët, pavarësisht në Lindje apo në Perëndim, e konsiderojnë veten si të majtët e vërtetë, madje si orgjinali. Në aspektin historik kjo është e vërtetë. Sidoqoftë qysh nga fundi i viteve 90-të një sërë ish-politikanësh socialdemokratë janë bashkuar me ish-komunistët, sepse ata e konsiderojnë si neoliberale politikën ekonomike dhe sociale të SPD-së.

Bodo Ramelow

Bodo Ramelow

Në Tyringi, në lindje të Gjermanisë, kandidati kryesor me prejardhje nga perëndimi Bodo Ramelow pretendon të jetë kryeministër i një koalicioni mes socialdemokratëve dhe së majtës. Partia e majtë, die Linke, është shumë më e fortë se Partia Socialdemokrate (SPD). Ramelow gjithashtu tërheq vëmendjen, se ai personalisht ka fituar mandatin direkt në kryeqytetin e landit, Erfurt:

"Ndaj unë kam forcën, që rrjedh si mandat nga popullsia dhe e konsideroj këtë si mandat. Këtë mandat do ta vë energjikisht në jetë.“

Me sukseset e së Majtës duhet të merren si partitë konservatore edhe ajo liberale

Kryetarja e CDU-së, Angela Merkel, e ka vetë prejardhjen nga Gjermania Lindore dhe nuk është për fushatë të ashpër kundër së Majtës, ashtu siç ka vepruar shpesh partia e saj dikur: "Unë nuk do të mendoj në kampe, por do të kërkoj mbështetjen e njerëzve. Ndaj unë nuk do të bëhem agresive, por do të sjell argumenta. Unë nuk kam përshtypjen, se zëri i lartë dhe stakatoja, me të cilën prezanton diçka kanë efekt të drejtpërdrejtë ndaj qëndrimit të zgjedhësve.“

Në sfondin e zgjedhjeve parlamentare më 27 shtator kancelarja Merkel shpreson se do të arrijë shumicën mes konservatorëve dhe liberalëve. Kryetari i Partisë Liberale (FDP), Guido Westerwelle, nisur nga shifrat e konsideron si të mundshme që në nivel federate të krijohet një koalicion mes socialdemokratëve, të majtës, dhe partisë ekologjike: "Ndoshta kjo mund të ndodhë pas përsëritjes së një koalicioni me bazë të gjerë për një periudhë tranzitore njëvjeçare, por që mund të pasohet nga një qeveri mes socialdemokratëve, së majtës dhe ekologjistëve.“

Flash-Galerie Oskar Lafontaine Vorsitzender der Partei Die Linke

Oskar Lafontaine, kryetari i partisë e Majta

Antipatitë mes socialdemokratëve dhe partisë e Majta problem brezash

Një aleancë e tillë menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare mund të konsiderohet e përjashtuar. Kjo sepse krahas diferencave të pakapërcyeshme programore kryesisht në politikën sociale, të sigurisë dhe atë të jashtme, problem është edhe kryetari i Partisë E Majta, Oskar Lafontaine. Ish-kryetari i Partisë Socialdemokrate kaloi para disa vjetësh tek partia Die Linke duke e bërë këtë parti të pranueshme edhe në perëndim. Në vendlindjen e tij, në landin e Zarës, die Linke katapultoi në zgjedhjet e së dielës në kuotën 21%. Për socialdemokratët arsyeja kryesore e refuzimit të koalicionit me të majtët në nivel federate është Lafontaine. Ai e ka tradhëtuar partinë e tij të parë, ankohet kryetari aktual i socialdemokratëve Franz Müntefering: "Ai luan dhe do ta dëmtojë partinë socialdemokrate. Këtë duhet ta kemi gjithmonë parasysh. Por koha do ta bëjë të vetën, Ne nuk e dimë se kur. Sidoqoftë deri në vitin 2013 nuk do të ndryshojë gjë mes socialdemokratëve dhe së Majtës në nivel federate.“

Më së voni në zgjedhjet pas katër vjetësh problemet e personelit nuk do të luajnë më rol. Lafontaine është në mes të 60-ve, Müntefering po shkon tek 70-tat. Antipatitë mes socialdemokratëve dhe die Linke, pavarësisht nga kundërshtitë, janë edhe një problem i brezave.

Autor: Marcel Fürstenau/Vilma Filaj-Ballvora
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 01.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JNEX
  • Data 01.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JNEX