1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

E majta greke në mësymje

Sikur të dielën e ardhshme të kishte zgjedhje parlamentare, tri partitë e mëdha të majta greke do të merrnin sipas sondazheve gjithsej deri në 45 për qind të votave. Por ato janë të përçara.

Lukas Papadhimos thotë se lumi nuk është kaluar ende

Lukas Papadhimos thotë se lumi nuk është kaluar ende

Sapo të jetë gati paketa e dytë e kursimit dhe plani i saj i pagesave, kryeministri grek Papadhimos do të shpërndajë parlamentin dhe do të shpallë zgjedhje të reja. Me gjasa zgjedhjet do të zhvillohen në fund të prillit ose në fillim të majit. Tri partitë e majta, që do të kërkojnë pastaj vota kanë dallime të jashtëzakonshme njëra me tjetrën. "Demokratët e Majtë" janë për qëndrimin e Greqisë në eurozone, komunistët predikojnë pandërprerë daljen e vendit nga "Bashkimi Evropian i monopoleve". Pastaj është edhe "Aleanca e të Majtëve Radikalë"; më pak radikale se sa të bën të mendosh emri (ajo konsiderohet si e miqësuar me partinë gjermane "E Majta").

Partitë e majta luftojnë vërtet për një ideologji të përbashkët, mirëpo në shumë pika mbeten të ndara. Megjithatë, në një pikë ato pajtohen: Qeveria -thonë ato- duhet ta refuzojë paketën e shpëtimit dhe shkurtimet e lidhura me të në paga dhe pensione, si dhe të rinegociojë. Mirëpo politikanët konservatorë i akuzojnë të majtët, se nuk ofrojnë alternativë ndaj paketës së shpëtimit.

Blerje armatimesh me gjithë krizën

Dimitris Papadhimulis, i cili është përfaqësues e "Aleancës së të Majtëve Radikalë" në parlamentin e Athinës, e hedh këtë poshtë energjikisht: "Alternativa ka mjaft. Një shembull: Për të katërtën herë brenda dy vitesh kanë shkurtuar pensionet, për të kursyer 325 milionë euro. Qeveria mund të kursente tri herë më shumë para, sikur të kthente blerjen kohët e fundit të dy nëndetëseve gjermane për marinën greke", ankiohet Papadhimulis.

Është e papërgjegjshme që qeveria grke vazhdon të numërohet ndër klientët më të mirë të industrisë evropiane të armëve, ndërkohë që qytetarëve u duhet të mbajnë mbi shpinë programin më të ashpër të kursimit në historinë e re, thotë ai. Propozime të tilla bien në terren pjellor në një vend, që vuan nga një recesion serioz dhe regjistron një papunësi rekord prej 21 për qind.

Traditë e gjatë e partive të majta

Kështu ose ashtu, grupimet e majta janë tradicionalisht të forta në Greqi dhe mund të bëjnë një retrospektivë plot ngjarje. E tillë është edhe "Aleanca e të Majtëve Radikalë": Koalicioni i llogaritur i aktivistëve të majtë me politikanë të bazës e ka zanafillën në një parti të shkëputur nga një tjetër, e formuar në vitet gjashtëdhjetë nga devijues komunistë, e cila ngjashëm me të majtën italiane përkrahte një "eurokomunizëm" me pretendim demokracinë baze. Stalinistët e "Partisë Komuniste Greke" nuk ua kanë falur deri sot këtë ndarje ish-shokëve të tyre.

Me gjithë mosmarrëveshjet, deputeti Dimitris Papadhimulis sheh shanse të mira për një bashkëpunim të të gjitha forcave të majta në vend. "Besoj, që partitë e majta mund të gjejnë një emërues të përbashkët para zgjedhjeve, por për këtë secili prej nesh duhet t'i ulë pretendimet e veta", thotë ai. Synimi më i lartë i të majtës është (sipas tij) një program ekonomik i përbashkët, që u vë kufi shkurtimeve të pagave dhe përkeqësimit të të drejtave sociale, vijon ai. Në këtë mënyrë do të shkaktohet frikë te "talibanët neoliberalë" në koalicionin qeveritar, beson Papadhimulis.

Shqetësim jashtë vendit

Te huadhënësit ndërkombëtarë të Greqisë po rritet shqetësimi, se rifuqizimi i të majtës mund të pengojë zbatimin e masave të miratuara të kursimit, Atëherë do të ishte në rrezik edhe kthimi i ndihmës së tyre në para. Megjithatë, politologu Levteris Kusulis nuk sheh arsye për shqetësim. Ai është i mendimit, që e majta është në fakt e fortë, por e fortë është edhe ndarja e saj.

"Në Greqi nuk ka të majtë të njësuar, partitë e majta janë thellësisht të ndara dhe në një kohë të afërt ato nuk janë në gjendje, të mbërrijnë në një emërues të përbashkët", thotë Kusulis. Prandaj, nuk ka shumë kuptim, të mbledhësh njëra me tjetrën pjesët e partive të majta dhe të ngresh supozimin, se ndryshimi radikal i pejzazhit politik është gati ngjarje e sigurt, mendon eksperti politik.

Majtas zhvendosen para së gjithash zgjedhësit e zhgënjyer prej socialistëve. Sipas sondazheve, PASOK-u socialist, i cili deri në nentor 2011 qeveriste i vetëm, do të arrinte sot një minumum rekord prej 11 për qind të votave. Në të njëjtën kohë, edhe në anën tjetër të spektrit politik konservatorëve u kanosen humbje të ndjeshme në vota (prej partive të shkëputura të djathta ose populiste të djathta).

Autor: Jannis Papadhimitriu/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Auron Dodi