1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"E Majta" gjermane i afrohet politikës reale

"E Majta" gjermane ka treguar gatishmërinë për të toleruar koalicionin mes socialdemokratëve dhe të gjelbërve në Hesen. Era politike e landit të Hesenit trazon edhe koalicionin e madh në Berlin.

default

Kryetarja socialdemokrate e Hesenit, Andrea Ipsilanti synon postin e kryeministres

Partia "E Majta" ka treguar gatishmërinë për të toleruar koalicionin mes socialdemokratëve dhe të gjelbërve në Hesen. Ndërsa disa politikanë të Unionit Kristiandemokrat kërkojnë që si rrjedhojë të prishet koalicioni në rang federate, Berlini i injoron kërkesa të tilla.

Dyshimet e fundit që mund të kishin pasur të majtët e Hesenit për të toleruar ose jo koalicionin kuq e gjelbër nën drejtimin e socialdemokrates Andrea Ypsilanti i hodhi poshtë kreyetari i tyre me fjalën që mbajti gjatë vizitës së shkurtër në kongresin e fundjavës (31.08.). Oskar Lafonten (Lafontaine) numëroi parakushtet, në të cilat e majta duhet të tolerojë qeverisjen e Ypsilantit: "Ne nuk do të tolerojmë shkurtime në sektorin social, privatizime dhe shkurtime në sektorin publik".

Më pas delegatët do të miratonin kërkesën e kreut partiak duke i hapur kështu rrugën pretendes Andrea Ipsilanti (Ypsilanti) që të zërë vendin e kryeministrit aktual kristiandemokrat Roland Koh. Që nga fillimi i vitit, kur në Landin gjermanoqendror u zhvilluan zgjedhjet, nuk është krijuar qeveria për shkak të mungesës së shumicës absolute.

Bashkëpunimi i socialdemokratëve me të majtët është pritur me kritika të ashpra në radhët e Unionit Kristiandemokrat (CDU). Disa politikanë të rëndësishëm si kryeministri i Landit të Zarës (Saarland) Peter Myler (Peter Müller) dhe ai i Saksonisë së Poshtme (Niedersachsen) Kristian Vulf (Christian Wulff) janë të mendimit se kjo do të ishte shkak për prishjen e koalicionit federal në Berlin, ku unionistët qeverisin së bashku me socialdemokratët.

As socialdemokratët e qendrës nuk janë shumë të kënaqur me koalicionin e mundshëm në Hesen, pasi kanë frikë se do të humbasin elektorat në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Hubertus Hail (Hubertus Heil) sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialdemokrate (SPD) distancohet nga socialdemokratët e Hesenit, por edhe nga deklaratat e dy kryeministrave: "Deklarata të tilla nuk janë të dobishme. Këta janë anëtarë të kryesisë së Unionit dhe vënë në dyshim punën e qeverisë në rang federate. Çfarë do të thoshte me këtë rast kryetarja e CDU-së?", pyet Heil.

Angela Merkel, kryetarja e CDU-së, vazhdon të mos irritohet nga ngjarjet e Hesenit: "Se çfarë qendrimi mbajmë ne si CDU kur SPD-ja thyen premtimin e dhënë në fushatën zgjedhore në landin e Hesenit? Unë mund të them se qytetarët do të gjykojnë vetë për këtë çështje. E kam shumë të qartë përfytyrimin se nga cili kah duhet të ecë Gjermania dhe për këtë po punojmë hap pas hapi dhe pa u irrituar, për fat të mirë, as në rang koalicioni", tha ajo para disa ditësh për programin televiziv gjerman ZDF.

Shumica e socialdemokratëve dhe partitë e tjera të qendrës e konsiderojnë "Të Majtën" si parti jodemokratike, pasi një pjesë e saj është pasardhëse e drejtpërdrejtë e partisë qeverisëse të ish-RDGJ-së komuniste. Megjithëse ekziston një koalicion mes socialdemokratëve dhe të majtëve në landin e Berlinit, në Gjermaninë Perëndimore një bashkëpunim i tillë deri tani konsiderohej tabu.

Vendimi i kongresit të fundjavës duhet të miratohet nga baza. Në rast se Ipsilanti arrin të krijojë me të vërtetë një qeveri me tolerimin e tyre, atëherë Landi i Hesenit do të hynte kështu për herë të dytë në historinë e panoramës partiake të Gjermanisë. Në mesin e viteve 80-të ishin "Të Gjelbrit" ata që do të hynin ngjashëm në bashkëqeverisjen e landit duke toleruar koalicionin e atëhershëm mes socialdemokratëve dhe liberalëve. "Të Gjelbrit" ishin asokohe po aq të padëshiruar sa "Të Majtët" sot. Më vonë (1998-2005) ata do të arrinin të bashkëqeverisnin federatën duke u përfaqësuar edhe nga njëri nga ministrat më të sukseshëm të Gjermanisë, Joshka Fisher.

  • Data 03.09.2008
  • Autor Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FAAs
  • Data 03.09.2008
  • Autor Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FAAs