1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

E drejta për azil vetëm për ata që e justifikojnë

A është vërtet kaq skandaloz ashpërsimi i ligjit për azilin? Skandaloze është tjetër gjë mendon Felix Steiner.

Që nga festimet e Parlamentit Federal gjerman me rastin e 65 vjetorit të Ligjit Themeltar nuk kanë kaluar më shumë se gjashtë javë. Atëherë shkrimtari dhe orientalisti Navid Kermani u ankua me fjalë të qarta për gjendjen e së drejtës themelore për azilin në Gjermani: fjalia e qartë "Të përndjekurit politikë gëzojnë të drejtë azili" është shfuqizuar që në 1993 nga një - citat - "urdhëresë monstruoze prej 275 fjalësh, të cilat janë ngatërruar keq me njëra - tjetrën me qëllimin e vetëm për të fshehur një gjë: që Gjermania praktikisht e ka shfuqizuar të drejtën për azil si të drejtë themeltare." Ai kërkoi nga deputetët që deri në 70 vjetorin e Ligjit Themeltar ta pastrojnë atë nga "kjo njollë e shëmtuar dhe e pashpirt".

"Shtete të sigurta origjine" të reja në listë

Dy të tretat e deputetëve duket se nuk janë në një mendje me Kermanis dhe miratuan tani një ligj, i cili bazohet pikërisht në "urdhëresën monstruoze me 275 fjalë": Maqedonia, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina tani e tutje konsiderohen si "shtete të sigurta origjine". Kjo do të thotë se kërkesat për azil nga qytetarë të këtyre vendeve nuk do të shqyrtohen me shumë hollësi dhe azilkërkuesit do të kthehen më shpejt në atdheun e tyre.

Deutsche Welle Felix Steiner

Felix Steiner

A cënohen kështu të drejta të njeriut si thonë kundërshtarët e ligjit? Jo, pasi në asnjë vend të Ballkanit Perëndimor nuk mbizotërojnë rrethana si ato që kishin para syve baballarët e Kushtetutës në 1949 gjatë formulimit të së drejtës së azilit. Azilkërkuesit nga këto vende janë thuajse të gjithë romë, të cilët në atdheun e tyre në shumë drejtime nuk janë në disavantazh por nuk përndiqen. E drejta gjermane për azil nuk mund të jetë sidoqoftë instrumenti me të cilin të zgjidhen të tilla probleme.

Vendimi i Bundestagut është i drejtë edhe për një tjetër shkak: aktualisht një në pesë kërkesa azili në Gjermani paraqitet nga qytetarë të këtyre tri vendeve. Numri absolut i këtyre kërkesave është dhjetëfishuar qëkurse serbët, boshnjakët dhe maqedonasit mund të udhëtojnë pa viza në Gjermani. Pa ligjin e ri pasojë e pashmangshme do të ishte rikthimi i regjimit të vizave, që do të penalizonte gjithë qytetarët e këtyre vendeve.

Ndihma për refugjatët nga Siria dhe Iraku është prioritet

Veç kësaj ligjvënësi bën mirë që në kohëra rritjeje të fortë të numrit të refugjatëve nga Siria, Iraku dhe Afganistani të përqendrojnë mundësitë e ndihmës nga Gjermania tek ata, jeta e të cilëve është e rrezikuar në mënyrë ekstreme. Ndërtimi i domosdoshëm i strukturave të reja të strehimit për refugjatë dhe azilantë në thuajse të gjitha komunat gjermane është e pamundur të pranohet nga qytetarët kur një pjesë e mirë e tyre përdoren nga njerëz, të cilët pa përjashtim duhet të dëbohen pasi kërkesa e tyre për azil është qartazi e paargumentuar. Kush me të drejtë kërkon nga gjermanët më shumë ndihma për viktimat në konfliktet në Siri dhe Irak duhet të lejojë që të vendosen prioritete.

Skandaloz nuk është ashpërsimi i fundi i legjislacionit për azilin. Skandaloze është që një pjesë e madhe e këtyre sirianëve që vijnë në Gjermani kanë rrezikuar edhe njëherë jetën me varka përmes Mesdheut për të kërkuar strehë këtu. Dhe skandalozë është gjithashtu që në një vend ku flitet vazhdimisht për kërkesën për punonjës të kualifikuar shumë nga këta punonjës të kualifikuar nga jashtë Evropës duhet fillimisht të paraqësin kërkesë për azil për t'u pranuar. Për të folur me fjalët e Navid Kermanit: do të ishte bukur nëse "kjo njollë e shëmtuar, e pashpirt" e Ligjit Themeltar gjerman do të pastrohej deri në përvjetorin e 70 të tij.