1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

E domosdoshme zgjidhja politike - Pirateri dhe „failed state“ në Somali

Numri i sulmeve të piratëve në brigjet e Somalisë është në rritje. OKB-ja, BE-ja dhe NATO-ja si dhe vende të veçanta po dërgojnë njësi të flotave të tyre në gjirin e Adenit. Por, si qëndron puna me zgjidhjen politike?

Anije amerikane në Mombaza, Kenia, 13 April 2009. Kapiteni i anijes u rrëmbye në Somali.

Në tremujorin e parë të këtij viti ka patur 114 sulme të piratëve kundër anijeve, dhe 29 syresh janë rrëmbyer.

Ekspertët venë alarmin: Vetëm këtë pjesë të vitit piratët kanë sulmuar më shumë anije në brigjet e Somalisë, se sa gjithë vitin e kaluar. Sipas të dhënave të Zyrës Ndërkombëtare Maritime, në tremujorin e parë të këtij viti ka patur 114 sulme të piratëve kundër anijeve, dhe 29 syresh janë rrëmbyer - por shifrat jozyrtare nuk mund të llogariten. Ndërkohë në brigjet e Somalisë mbahen peng të paktën 18 anije. Një tjetër problem është, se si pasojë e luftimeve në Somali, dhjetra mijëra njerëz kanë marrë arratinë. Milicët e armatosur të klaneve dhe të forcave islamike-radikale të Al Shabaab luftojnë me trupat e një qeverie të dobët.

Policë të armatosur ruajnë piratë të kapur somalezë në Bassaso, nëntor 2008

Policë të armatosur ruajnë piratë të kapur somalezë në Bassaso, nëntor 2008


Prej kohësh piratët somalezë kanë dalë nga klisheja e djemve me pandofla plazhi dhe me pushkët e ndryshkura AK47: Një raport i shërbimeve sekrete, i publikuar nga mediet spanjolle, lidhur me misionin Atlanta të BE-së kundër piraterisë dëshmon, se pirateria moderne në ujrat e Somalisë po bëhet më gjithnjë e më e sofistikuar. Sipas tij, piratët mbajnë lidhje me burime nga industria e anijeve, që japin informacione mbi destinacionin e qartë për ngarkesën dhe pozicionin e mundshëm të anijeve që mund të merren peng. Shpesh herë madje piratët e detit informohen edhe lidhur me kombësinë e marinarëve në bordin e anijeve, një kriter i rëndësishëm ky, sepse përshembull nga rusët nuk nxirren para për lirimin e marinarëve. (Duke mbajtur peng ekipazhet e anijeve, piratët kërkojnë shuma të mëdha parash nga vendet prej nga vijnë pengjet, si kompensimin për lirimin e tyre.)

Përshembull në bisedimet për lirimin e anijes tregtare turke rrëmbyesit, sipas marinës turke, mbanin çdo ditë kontakt përmes telefonit me persona që qëndronin në prapaskenë në Londër, prej të cilëve merrnin urdhërat. Ahmedou Abdallah Ould, është i dërguari i posaçëm i OKB-së në Somali. Ai i komunikoi Këshillit të Sigurimit më 30 maj një sukses të arritur në luftën kundër piraterisë, arrestimin e 100 piratëve, dhe pengimin nga patrullat të plaçkitjeve prej piratëve. Në të njëjtën kohë i ngarkuari i posaçëm, bëri thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje politike për këtë vend: „Ka shumë rajone në Afrikë, ku piratët mund të shndërrohen në një problem. Por, nëse ka një qeveri që drejton me efikasitet, atëherë piraterisë do t' i vështirësohej aktiviteti. Pirateria, që shohim aktualisht në Somali, është një veprimtari kriminale, që mbështetet nga biznesmenë. Ata duhen nxjerrë përpara përgjegjësisë. Por, rruga më e mirë për të luftuar piraterinë është forcimi i qeverisë.“

Gjyq në Kenia kundër piratëve somalezë, nëntor 2008

Gjyq në Kenia kundër piratëve somalezë, nëntor 2008


Sipas shumicës së vëzhguesve zgjidhja ndaj piraterisë nuk gjendet në det, por në tokë. Në kryeqytetin Mogadishu, sundon anarshia dhe qeveria e sapoinstaluar e presidentit Sheik Sharif Ahmed, lufton për mbijetesë, në përpjekje për t' i bërë ballë depërtimit të milicëve të Al Shabaab. Ndërkohë që në zonat rurale, ku popullsia ndodhet jashtë çdo strukture shtetërore, nuk mund të arrijnë as ndihmat e organizatave humanitare.

Profesor Günther Maihold, është ekspert për piraterinë pranë Fondacionit Shkenca dhe Politika në Berlin. Ai ka vërtetuar, se pirateria në rrugët e Malakës në Indonezi ka rënë dukshëm, kur truproja bregdetare indoneziane u armatos në kuadër të marrëveshjeve rajonale me vendet, që shtrihen përgjatë të njëjtave brigjeve dhe qëkurse në vitin 2006 u nënshkrua Marrëveshja e Paqes e Aceh-së: „Për aq kohë sa nuk është siguruar baza ekonomike për njerëzit në vend, për aq kohë sa nuk janë rivendosur strukturat bazë shtetërore do të jetë e vështirë, që të vazhdohet të punohet vetëm në drejtim të simptomave të piraterisë. Duhet, që njëkohësisht me këtë të vendosen strukturat shtetërore në vend. Nga ana tjetër bashkësia ndërkombëtare nuk ka qenë unike në përpjekjet e saj për ta mbështetur këtë nga jashtë. Aktualisht ne ndodhemi në një situatë, që nuk jemi në gjendja ta kuptojmë, se si ajo mund të vendoset nën kontroll."

Autor : Ludger Schadomsky / Vilma Filaj Ballvora

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 09.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I68N
  • Data 09.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I68N