1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

E djathta ekstreme fiton terren në zgjedhjet komunale në Francë

Në zgjedhjet komunale në Francë socialistët e Presidentit Hollande pësuan humbje. Fitues janë partitë konservatore. Ekstremistët e djathtë të Frontit Nacional dolën forca kryesore në shumë qytete.

Me sukseset për Frontin Nacional dhe një forcim të opozitës konservatore, zgjedhësit në Francë i dhanë një qortim qeverisë socialiste nën drejtimin e Presidentit François Hollande. Në raundin e parë të zgjedhjeve komunale të dielën (23.03.) konservatorët sipas rezultatit paraprak zyrtar me 46,5 për qind ishin në avantazh ndaj partive të majta me 37,7 për qind të votave.

Ekstremistët e djathtë të Frontit Nacional (FN) të cilët në shumë komuna nuk kandiduan, arritën në rang vendi një rezultat prej 4,7 për qind. Gjashtë vjet më parë kjo parti në raundin e parë mbeti nën 1 për qind.

Këto zgjedhjet komunale vlerësohen si matëse të opinionit tek zgjedhësit, për qeverinë e Hollance, në sfondin e ekonomisë së dobët dhe papunësisë rekord. Përkrahja e francezëve për Presidentin Hollande është në nivel shumë të ulët për shkak të reformave si pasojë e krizës financiare dhe papunësisë masive.

Ekstremistët e djathtë marrin një bashki

Në Hénin-Beaumont në veri të Francës, kandidati i Frontit Nacional Steeve Briois, rezultoi fitimtar me 50.3 për qind që në raundin e parë. Kjo është hera e parë në historinë e Frontit Nacional që marrin një bashki që në raund të parë. Kryetarja e FN Marine Le Pen foli për një sukses "spektakolar". Edhe në Béziers, Perpignan, Avignon dhe Forbach ekstremistët e djathtë janë në avantazh.

Anne Hidalgo

Kandidatja Anne Hidalgo

Kryeministri francez Jean-Marc Ayrault tha të dielën në mbrëmje në një fjalim se të gjitha forcat demokratike kanë përgjegjësi të pengojnë një fitore të kandidatëve të FN në raundin e dytë. "Kush mbështet demokracinë dhe republikën, ka obligim t'i ndalë ata", tha Ayrault në televizion. Në raundin e dytë të dielën e ardhshme, në shumë qytete do të ketë një garë mes tre kandidatësh, një të majti, një konservatori dhe një kandidati të ekstremit të djathtë. FN shpreson për 15 vende kryetarësh bashkie.

Konservatorët të kënaqur me rezultatinPartia konservatore në opozitë UMP ka qenë gjithashtu në qendër të kritikave për shkak të zënkave të brendshme dhe skandaleve, megjithatë arriti të dalë mirë në zgjedhje. Kryetari i UMP Jean-François Copé, i cili fitoi me 64 për qind raundin e parë në Meaux, përballë rezultateve të arritura sheh një bazë të mirë për një "sukses të madh" për partinë e tij në raundin e dytë të dielën e ardhshme.

Edhe në kryeqytetin Paris kandidatja e UMP Nathalie Kosciusko-Morizet sipas parashikimeve me 38,4 për qind ndodhet në avantazh ndaj socialistes Anne Hidalgo e cila arrin në vetëm 33,6 për qind. Kryetari aktual Bertrand Delanoë nuk kandidon më për socialistët.

Pjesëmarrja në zgjedhje sipas të dhënave të ministrit të Brendshëm francez Menuel Valls me 64 për qind ishte 2 për qind më e ulët se në në zgjedhjet e vitit 2008. Numri i atyre që nuk votojnë është "shumë i lartë", tha Valls.

Raundi i dytë pas një jave

Sipas së drejtës elektorale franceze për zgjedhjet komunale, lista e cila arrin shumicën absolute në raundin e parë, merr 50 për qind të vendeve. Gjysma tjetër ndahet me përqindje mes të gjitha listave të tjera me më shumë se 5 për qind të votave.

Nëse askush nuk arrin shumicën, në raundin e dytë mund të marrin pjesë të gjitha listat që në raundin e parë kanë arritur më shumë se 10 për qind. Listat me rezultate mes 5 dhe 10 për qind mund të krijojnë aleanca me lista të tjera.

Në 37.000 qytetet dhe komunat për herë të tretë mund të votonin edhe qytetarë nga vende të tjera të BE-së që jetojnë në Francë. Aktualisht numri i tyre është rreth 281.000 persona.