1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

E burgosura më e shquar e Rusisë

Nadija Savçenko konsiderohet heroinë në Ukrainë. Në Rusi atë e pret burgimi. Fati i ushtares Nadija Savçenko instrumentalizohet nga të dyja palët.

Nadija Savçenko

Nadija Savçenko

Flokë të shkurtra ngjyrë kafe të erët, vështrim serioz përmes kangjellave. Në t-shirt-in e saj është stamposur një cfurk me tri dhëmbë, stema shtetërore e Ukrainës. Kështu shfaqet Nadija Savçenko para gjykatësve rusë në Moskë, së fundi të premten e kaluar. Përshtypja që lihet është sikur në bankën e të akuzuarve nuk është e reja, por Ukraina si shtet. "Jam e ngopur me Rusinë tuaj të gënjeshtërt, me gjykatat tuaja të gënjeshtërta dhe me mediet tuaja të gënjeshtërta", thotë ajo në drejtim të kamerave televizive, kur shoqërohet nga një dyzinë policë, sikur të kishte kryer krime të rënda. Këto fjalë ajo i thotë në ukrainisht, në zërin e saj ndihet përçmim dhe zemërim.

E transportuar fshehtas matanë kufirit?

Savçenko është aktualisht më e shquara nga rreth një dyzinë të burgosurish ukrainas, të cilët sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme të Ukrainës mbahen "për shkaqe politike" në Ukrainë. Edhe organizata e njohur ruse e të drejtave të njeriut "Memorial" e kategorizoi Savçenkon në tetor si "refugjat politik" dhe kërkoi lirimin e saj.

Procesi kundër Nadija Savçenko

Procesi kundër Nadija Savçenko

Drejtësia ruse e akuzon ushtaren profesioniste 31 vjeçare se ka ndihmuar për të vrarë në konfliktin e Ukrainës Lindore.

Savçenko, e stërvitur si pilote ushtarake, luftoi në verë në batalionin vullnetar "Aidar" kundër separatistëve prorusë. Hetuesit rusë e akuzojnë atë se në mes të korrikut i njoftoi ushtrisë ukrainase vendqendrimin e dy reporterëve rusë. Të dy i vranë në një bombardim në afërsi të qytetit Luhansk. Savçenko pastaj pati kaluar në mënyrë ilegale kufirin dhe pati ardhur refugjate në Rusi, pohojnë hetuesit rusë. Ukrainasen e pret një dënim shumëvjeçar me heqje lirie. Savçenko kundërshton çdo faj. Ajo thotë se e patën marrë të burgosur separatistët prorusë dhe e patën sjellë fshehtas përtej kufirit në qytetin e Rusisë Jugore Voronesh. Atje ajo u rishfaq në një burg hetimor.

Ankesë kundër kontrollit psikiatrik

Megjithë protestat e avokatëve të saj, Savçenkon e sollën në Moskë dhe ia nënshtruan në tetor një kontrolli psikiatrik në një klinikë. Avokatët e Savçenkos paraqitën ankesë ndaj kontrollit psikiatrik.

Në Ukrainë Savçenkon ka muaj që e brohorasin si heroinë dhe martire. Mediat e paraqesin atë si ushtare trime dhe luftëtare. Me të vërtetë, Savçenko është një ndër gratë e pakta në forcat ajrore të Ukrainës.

Në zgjedhjet e fundit të parakohshme në Ukrainë, Savçenkon e zgjodhën në parlament. Partia e Atdheut e ish-kryeministres Julia Timoshenko e vendosi Savçenkon në krye të listës. Si deputete parlamenti, Savçenko është e mbrojtur nga përndjekja penale. Rusinë kjo nuk e impresionon. "Ukraina nuk do ta marrë sërish Savçenko-n", i tha një burim në drejtësinë ruse agjencisë së lajmeve Interfax. Vëzhguesit besojnë se Moska ka në plan ta dënojë Savçenkon ashpër në një proces farsë.