1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

E ardhmja e Opelit

4 Shtator 2009

Për rimëkëmbjen e Opelit nevojiten rreth gjashtë miliardë dollarë investime.

https://p.dw.com/p/JQpS
Shenja e Opelit
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Lajmi i shpërndarë nga një gazetë në SHBA se koncerni automobilistik General Motors po mendon që ta rimëkëmbë vetë prodhuesin gjerman të automobilëve Opel, me një investim vetjak prej mbi një miliardë dollarësh, të shoqëruar me investime nga qeveritë e Spanjës, Britanisë së Madhe dhe Polonisë, komentohet në shtypin gjerman të së premtes.

Pasi kujtojnë se për rimëkëmbjen e Opelit nevojiten rreth gjashtë miliardë dollarë investim, komentatorët p.sh. e COBURGER TAGEBLATT veçojnë:

"Kthesa në Detroit është logjike, por rruga është ende e largët. Falas askund nuk ta ofrojnë një Opel të rimëkëmbur, as te Magna, as te RHJ dhe as te General Motorsi. Shtrëngesat ekonomike nuk i anashkalon askush. Mbikapaciteti do të kushtojë vende pune. Por opelanët do të përfitonin nga një përpjekje e vërtetë e koncernit mëmë. Mëkatet e së kaluarës, të cilat General Motorsi i ka kryer padyshim, nuk duhet të jenë hipotekë për një të ardhme ndoshta të mirë të përbashkët."

Ja edhe mendimi i NÜRNBERGER ZEITUNG:

"Nuk do të ishte zgjidhja më e keqe. Për taksapaguesin gjerman do të ishte ndoshta zgjidhja më e lirë, nëse Opeli do të qendronte nën çatinë e GM. Apo beson politika gjermane me të vërtetë, se do të kishte ndikim më të madh në fatin e prodhuesit të automobilëve nëse Opeli do të ndodhej nën kthetrat e duetit të investuesve kanadezo-rusë Magna/Sberbank? Kjo do të ishte thjesht naive."

Autor: dpa/Auron Dodi
Redaktor: Pandeli Pani