1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

E ardhmja e kombinatit Trepça gjatë fushatës parazgjedhore në Mitrovicë

Fushata parazgjedhore për zgjedhjet lokale në Kosovë është futur në fazën përfundimtare. Për dallim nga rajonet tjera qyteti i ndarë i Mitrovicës ka dhe disa elemente të veçanta të fushatës.

Pamje nga një debat për të ardhmen e Trepçës (Mitrovicë, 03.11.2009)

Pamje nga një debat për të ardhmen e Trepçës(Mitrovicë, 03.11.2009)

Qytetarët e Mitrovicës nga kandidatët për kryetar komune dhe liderët partiakë dëgjuan një premtim më shumë se elektorati në qytetet e tjera: atë për bashkimin e qytetit të ndarë. Dhe ndarja e qytetit ka bërë që i ndarë të mbetet edhe një prej sektorëve më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe atë jo vetëm të veriut të Kosovës, Kompleksi Industrial Trepça:

Shyqyri Kelmendi, anëtar i Bordit të Trepçës

Shyqyri Kelmendi, anëtar i Bordit të Trepçës

"Sot Trepça është mjerisht e ndarë, në pjesën veriore veprojnë dy miniera në pjesën jugore dy... Ne të gjithë jemi të vetdijshëm se Trepça, e cila ka punësuar 22050 veta para viteve të 90-ta nuk mund të jetë më ajo që ka qenë. Por Trepça sot ka rreth 60 milionë tonë xehe, të cilat po t'i shndërrojmë në vite të prodhimit janë 30 vjet. Sot Trepça ka mbetur peng e shumë situatave ndër të tjera edhe ajo e ndarjes së Mitrovicës",

sqaron profesor. dr. Shyqyri Kelmendi anëtar i Bordit të Kompleksit Trepça. Ai nga Radio Kosova është ftuar të marrë pjesë në debatin e zgedhjeve me kandidatët për kryetar komune në Mitrovicë. Temë qendrore e debatit: E ardhmja e kombinatit Trepça. Avni Kastrati është kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës së Mitrovicës:

"Ne do të përkrahim kombinatin Trepça me hapjen e një shkolle profesionale, e cila do të nxjerrë nxënës që do të jenë profesionalisht të aftë, për të ndjekur prodhimin e Trepçës. Ajo është njëra fushë, ndërsa fusha tjetër është se ne së bashku me Trepçën duhet të veprojmë për mbrojtjen e ambientit", thekson Avni Kastrati i cili një kohë të gjatë të ka qenë i angazhuar në këtë kombinat.

Avni Kastrati (PDK), Shyqyri Kelmendi ( ekspert) dhe Hysni Ahmeti ( AAK) diskutojnë për të ardhmen e kombinatit Trepça

Avni Kastrati (PDK), Shyqyri Kelmendi (ekspert) dhe Hysni Ahmeti (AAK) diskutojnë për të ardhmen e kombinatit Trepça

Eksperti Shyqyri Kelmendi sqaron se Trepça ka prodhuar para viteve '90, shprehur në para, 250 deri në 300 milionë euro në vit. Aktualisht Trepça është kthyer prapa rreth 70 vite dhe prodhon vetëm koncentrate, edhe pse ajo mund të prodhojë plumb rreth 80 mijë tonë në vit, zink rreth 50 mijë tonë, argjend rreth 100 mijë kg, ari rreth 250-350 kg, kadmium 80-120 mijë kg dhe bizmuth rreth 200 mijë kg në vit. Por që të realizohen këto sipas Kelmendit:

"...duhet të mirren vendime politike në nivel të Kosovës në radhë të parë pastaj edhe në nivel lokal, se çfarë duhet të bëjmë me Trepçën: a dëshirojmë të mbetet prodhues i koncentratave dhe të kthehemi në pikën e e para 70 viteve apo të prodhojmë metale dhe të bëhemi konkurues në tregun botëror".

Në debat është i pranishëm edhe kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për kryetar të komunës së Mitrovicës, Hysni Ahmeti.

"Ne si Aleancë jemi të bindur se Trepça mund të aktivizohet me të gjitha repartet e veta që ka dhe mund të fillojë prodhimin, ndërsa në anën tjetër ne e kemi edhe një mineral tjetër që ndodhet në Shalë dhe ka rezerva prej rreth 300 mijë tonë, është fjala për asbestin me fije të shkurtra dhe fije të trasha, që deri sot askush nuk ka menduar që edhe ky mineral të nxirret. Ai ndodhet në fshatin Bare".

Ura mbi lumin Ibër

Ura mbi lumin Ibër

Pas Prishtinës si kryeqytet, Mitrovica ishte edhe kësaj radhe një prej qyteteve më interesante për fushatën elektorale. Liderët partiakë, në mesin e tyre edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi përveç që kanë marrë pjesë në tubimet promovuese kanë vizituar herë pas here qytetin duke dalë në përkrahje të kandidatëve për kryetar të ardhshëm të kësaj komune. Pse pikërisht në Mitrovicë, sqaron për programin tonë gazetari i radio Kosovës, Lekë Musolli:

"Mitrovica është një pikë shumë interesante dhe për nga vështirësitë me të cilat përballet ajo, me gjendjen të cilën e ka sepse veriu i Mitrovicës është një problem shumë i madh për Kosovën dhe politikën e Kosovës. Veriu i Mitrovicës i ka sjell dhe po i sjellë shumë telashe Kosovës dhe jo vetëm Mitrovicës. Prandaj në Mitrovicë politikanët mendojnë se mund të fitohen votat duke premtuar ndërkohë që qytetarët këtu e thonë hapur se ne më nuk u besojmë politikanëve që vijnë këtu për të premtuar por ata duhet të na bindin se janë ata të cilët do ta ndryshojnë statusin, gjendjen dhe pozicionin e Mitrovicës si në aspektin politik ashtu dhe në atë ekonomik".

Përveç riaktivizimit të mirëfilltë të Trepçës një preokupim tjetër për banorët e Mitrovicës vazhdon të mbetet çështja e kthimit dhe me të ribashkimi i qytetit. Gazetari Latif Voca është njohës i mirë i rrethanave në Mitrovicë:

Gazetari i Radio Televizionit të Kosovës nga Mitrovica

Gazetari i Radio Televizionit të Kosovës nga Mitrovica

"Kohëve të fundit është e vërtetë se janë ndërtuar dhe meremetuar disa shtëpi në lagjen e doktorëve, edhe po punohet për disa shtëpi në Kroin e Vitakut, por edhe ato në në një mënyrë apo tjetër janë futur në ombrellën e UNMIK-ut, të cilin publikisht udhëheqësit tanë nuk e pranojnë se ekziston më në Kosovë. Mirëpo lejet e fundit dhe marrëveshja e fundit e kryetarit Bajram Rexhepi me pjestarët e UNMIK-ut për ndërtimin e këtyre shtëpive e dëshmon se UNMIK-u është faktor vendimtar për kthimin e qytetarëve në veri të Kosovës. Andaj unë jam shumë skeptik. Të gjitha këto premtime i kemi dëgjuar për dhjetë vite por nuk janë realizuar deri tani..."

Ndërkaq sipas Lekë Musollit fushata aktuale parazgjedhore nuk bëhet për t'i shërbyer qytetarit, për më tepër ajo është një fushatë për fushatë. Po ashtu nuk ka ndyshuar shumë as roli i medieve. Kështu që Musolli nga zgjedhjet e kaluara nuk vëren:

Gazetari i Radio Kosovës, Lekë Musolli

Gazetari i Radio Kosovës, Lekë Musolli

"...asnjë ndryshim, asnjë ndryshim pozitiv, asnjë ndryshim cilësor që do të krijonte një mirëkuptim më të madh sepse nuk mund të ketë sukses fushata pa një gazetari të paanshme, objektive dhe profesionale, me gazetarë që nuk anojnë nga partitë politike por janë në shërbim të informacionit për të informuar qytetarin e Kosovës. Kam një përshtypje, nuk e di sa është e drejtë, por qytetarët e Kosovës janë ende në përqindje shumë të madhe të painformuar sa duhet për kandidatët. Ekziston një fushatë për fushatë, prandaj fushata nuk bëhet për t'i shërbyer qytetarit, sepse qytetari prej fushate duhet të informohet çfarë po ndodh, çfarë do të ndodhë... Prandaj jemi shumë larg perceptimit të rolit të mirëfilltë të medieve, i cili duhet të jetë vazhdimisht në shërbim të dhënies së informacioeve për qytetarin e Kosovës e jo të pushtetit".

Autor: Esat Ahmeti

Redaktor: Auron Dodi

  • Data 12.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KUpQ
  • Data 12.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KUpQ