1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"E ardhmja e Evropës bëhet edhe në Kosovë - Harta e rajonit tashmë është shkruar"

Shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle deklaroi në Prishtinë se për Gjermaninë, problemet territoriale dhe të statusit në Ballkan janë mbyllur përfundimisht. Ai propozoi bashkëpunim me BE në vend të konfrontimit.

Në foto, Guido Westerwelle dhe Hashim Thaçi

Në foto, Guido Westerwelle dhe Hashim Thaçi

Koha e përplasjeve të dhunshme dhe konfliket në baza etnike në Evropë duhet të përfundojnë. Përplasje të tilla të dhunshme në Evropën e shekullit XXI nuk do të gjejnë vend dhe kur flasim për paqen në Evropë, ajo paqe do të mbrohet edhe në Kosovë. Ky është mesazhi të cilin shefi i diplomacisë gjermane, Guido Westerwelle ia solli Prishtinës. Ai nënvizoi se integriteti territorial i Kosovës është i padiskutueshëm dhe kufijtë e saj nuk mund të vëhen në pikëpyetje.

Westerwelle: Integriteti territorial i Kosovës i paprekshëm

Në foto, Guido Westerwelle

Në foto, Guido Westerwelle

“Një gjë është e qartë se integriteti territorial i Ksoovës për Gjermaninë nuk është temë që diksutohet, sepse ne jemi të bindur se harta e këtij rajoni është e përfunduar dhe nuk mund të ketë kthim prapa në rrethanat e para, ku vihen në pyetje kufijtë. Harta e Evropës Juglindore është e përfunduar dhe çështjet territoriale dhe të statusit në Ballkan, nga këndvështrimi gjerman janë sqaruar përfundimisht. Këtë duhet ta pranojnë të gjitha palët dhe prandaj për ne është shumë e rëndësishme gjetja e një zgjidhje të përbashkët,” deklaroi kryediplomati gjerman. Ai shtoi se është e rëndësishme që të gjitha grindjet të zgjidhen në rrugë politike dhe diplomatike të cilat premtojnë të ardhme.

Thaçi: “Jetë normale dhe stabile edhe për 40 mijë qytetarët në veri”

Në foto, Hashim Thaçi

Në foto, Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e falenderoi Gjermaninë për kontributin e vazhdueshëm të saj dhënë shtetit të Kosovës në të gjitha fushat. Ndërsa, lidhur me zhvillimet e fundit në veri, Thaçi tha:

„Qeveria e Republikës se Kosovës ka marrë vendime, të cilat kanë munguar më herët për të krijuar një jetë të re, më normale dhe me stabile edhe për të 40 mijë qytetarët serb në veri, që vazhdonin të jenë peng të strukturave kriminale. Ne, si qeveri e Kosovës do të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me KFOR-in, duke respektuar në tërsi marrëveshjen e arritur në mes të qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it, edhe në procesin implementues, pra për heqjen e barrikadave, lëvizjen e lirë, krijimin e ambientit të sigurt dhe ndaljen e plotë të kontrabandës. Gjithashtu, edhe bashkëpunimi me EULEX-in do të dëshmohet nga angazhimet e mëtutjeshme konkrete”.

Westerwelle: Bashkëpunim në vend të konfrontimit

Pamje ilustruese, trupat sllovene të Kfori-it në veri të Kosovës

Pamje ilustruese, trupat sllovene të Kfori-it në veri të Kosovës

Shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwele, i cili në kuadër të turneut të tij ballkanik ndaloi edhe në Kosovë, është politikani i parë i lartë i BE-së i cili sheh nga afër situatën pas eskalimit të konfliktit kufitar Kosovë-Serbi. Ai solli shqetësimin e Gjermanisë për zhvillimet e fundit në veri, duke propozuar bashkëpunimin në vend të konfrontimit, si bazë themelore e Evropës së sotme.

„Evropa është e ndërtuar mbi parimin e bashkëpunimit dhe jo të konfrontimit. Këto janë themelet evropiane. Ky është një mësim, të cilin gjermanët e kanë nxjerr nga historia e vet dhe mbi të cilin është ndërtuar Evropa“, tha ministri Westerwelle, i cili ka inkurajuar palët që të realizojnë marrëveshjen e arritur. Ai shtoi se është shumë i rëndësishëm edhe procesi i dialogut të inicuar nga BE, i cili duhet të rifillojë sa më parë.

Jahjaga: Bashkëpunimi Kosovë - Gjermani i rëndësisë së veçantë

Në foto, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga

Në foto, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga

Shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle është pritur më parë edhe nga presidentja e Kosovës Atifete Jahajaga. Westerwelle e siguroi atë se Gjermania mbështet integritetin territorial, sovranitetin e Kosovës dhe proceset e saj integruese. Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e veçantë të bashkëpunimit me Gjermaninë, e cila mund të ndihmojë në konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit të Kosovës. Ndërkohë Westerwelle u takua edhe me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

Autore: Ajete Beqiraj/Prishtinë

Redaktoi: Esat Ahmeti

DW.COM