1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

E çka tani? Në Bruksel nuk ka ndonjë lëvizje

A është përgjigja negative në referendum edhe një jo për euron? A do të ketë negociata të tjera? Shteti grek ka nevojë emergjente për para, sepse ai de facto ka falimentuar.

Në Bruksel nuk ka pozicionime zyrtare të tri institucioneve, të cilat me muaj të tërë kanë negociuar pa sukses me qeverinë greke. Pas përgjigjes negative në referendum nuk ka përgjigje zyrtare, por nga burimet e informuara mirë merret vesh se Eurogrupi dhe Komisioni i BE-së nuk janë të gatshme që të hënën të vazhdojnë negociatat me qeverinë greke. Ministri grek i Financave Yanis Varoufakis ka paralajmëruar pas votimit sot se brenda 24 orësh mund të arrihet një marrëveshje. Kjo është pak e besueshme, sepse në tavolinën e negociatave nuk ka asgjë të re, për të cilët duhet negociuar. Varoufakis u pendua në mbrëmje dhe përmes një "tweet-i" tha se ai ka folur në mënyrën kushtore.

Pritet kërkesa e Athinës

Aleksis Cipras

Aleksis Cipras

Kryeministri grek Aleksis Cipras ka kërkuar të mërkurën e kaluar një paketë ndihmash prej 29 miliardë euro, si dhe ristrukturimin e borxheve. Tani 18 ministrat e tjerë të Eurogrupit së pari duan të dinë nëse kjo kërkesë vlenë ende dhe cilat janë masat që Greqia do të plotësojë. Një takim i ministrave të financave do të ishte i mundur ditën e martë, thuhet në Bruksel. Por të hënën mund të mbahet një takim i sekretarëve të shtetit në ministritë e financave, të cilët duhet të përgatisin takimin e ministrave. Më vonë gjatë javës mund të ketë një takim edhe në nivelin e kryeministrave të Eurogrupit apo të gjithë Bashkimit Evropian.

Procedurat e sakta

Të gjitha këto takime nuk i zëvendësojnë negociatat në nivel ekspertësh dhe rregullat e përcaktuara në Programin e Obmrellës për Shpëtimin, ESM. Para dhënies së kredive të tjera duhet të vlerësohet gjendja financiare në Greqi, e cila është keqësuar shumë në pesë muajt e fundit, prej ardhjes së Syriza në pushtet. Ndërkohë që marrëveshja e ESM parashikon që me Greqinë duhet të nënshkruhet marrëveshja kaq e urryer në Athinë: "Memorandum of Understanding". Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble, ka paralajmëruar para referendumit se me Greqinë duhet filluar në fakt nga zero. Schäuble-s i duhet edhe një mandat tjetër i Bundestagut. Edhe sikur të gjitha gjërat të shkonin shumë mirë, për të gjithë këta hapa nevojiten dy deri në tri javë.

Merkel shkon së pari në Paris

Merkel-Hollande-Cipras

Merkel-Hollande-Cipras

Të hënën kancelarja Merkel do të shkojë fillimisht në Paris ku do të takohet me presidentin francez Francois Hollande. Javët e fundit ata kanë biseduar disa herë edhe personalisht me kryeministrin grek Cipras dhe janë përpjekur të ndërmjetësojnë. Gjatë fushatës para referendumit Cipras ka folur për presione dhe shantazhe të kredidhënësve. Ndërsa ministri i tij i Financave i ka quajtur partnerët edhe si terroristë. Diplomatët thonë se kjo nuk e ka ndihmuar shumë atmosferën për negociata të mundshme.

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz ka deklaruar në prag të referendumit se Greqia është fare pranë largimit nga zona e euros. "Kjo varet nga referendumi: nëse thonë jo, duhet të fusin një monedhë të re në përdorim, sepse ata nuk kanë më euro për të paguar obligimet. Si do t'i pagujanë rrogat dhe pensionet? Në momentin kur një vend fut në përdorim një monedhë tjetër, ai del nga Eurozona", tha Schulz në një intervistë për Deutschlandfunk. Presidenti i PE i cili kohët e fundit ka këshilluar shpesh kryeministrin Cipras tha se përgjigja jo në referendum nuk paraqet ndonjë bazë për negociata të reja. Schultz mendon se për Greqinë janë të mundura vetëm kreditë emergjente për popullatën greke, nga arka e përbashkët e BE-së. Grekët i kanë hedhur poshtë propozimet e fundit. Ndaj mbetet të shihet se cilat do të jenë propozimet e reja të qeverisë greke. Evropa funksionon mbi bazën e komrpomiseve, ndërkohë që krerët e Greqisë kanë refuzuar së fundi të gjitha kompromiset.

Vetëm BQE mund të ndihmojë Greqinë

Nëse synohet të arrihet marrëveshje për programin e tretë të ESM për Greqinë, atëherë duhet të veprohet shpejt, sepse shteti de facto ka falimentuar. Këtë e ka bërë të ditur të shtunën shefi i ESM, Klaus Regling. Spekulohet se bankat greke do të mbeten të hënën pa para të gatshme. Bannka Qendrore Evropiane i ka mbuluar deri tani nevojat e Greqisë me kredi emergjente prej 90 miliardë eurosh, të cilat mund të shpenzohen për 24 orë. Banka kombëtare greke ka bërë të ditur se do të kërkojë kredi të reja dhe kjo mund të vendoset nga BQE të hënën. Këshilli i BQW nuk është mbase edne i gatshëm të heqë dorë nga Greqia. Anëtari i drejtorisë së BQE, Benoit Coeure, ka bërë të ditur të dielën se BQE mund të ofrojë ndihma. Qeveria greke ka hedhur poshtë të dielën spekulimet për mundësinë e futjes në përdorim të një monedhe paralele. Rregullat parashikojnë që Fondi Monetar Ndërkombëtar të përfshihet në negociata, kur është e mundur. Por pas refuzimit të Greqisë që të kryejë obligimet ndaj tij, FMN-ja me siguri që nuk është tepër i gatshëm të ndihmojë.