1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dërgimi i një trupe paqeje në Darfur, vendim i vonuar, por i domosdoshëm

Stefanie Duckstein 1 Gusht 2007

Marrja e vendimeve në Këshillin e Sigurimit ka zakonisht nevojë për shumë kohë. Dhe kjo kohë është në kurriz të njerëzve në nevojë nëpër zonat e krizave dhe të luftrave.

https://p.dw.com/p/BOtc
Refugjatë nga Darfuri në SudanFotografi: AP

Mëdyshjet, rezervat dhe debatet për marrjen e vendimit patën një çmim tä lartë. Gjenocidi në Darfur në perëndim të Sudanit u ka kushtuar deri tani jetën 200.000 vetëve. Më tepër se dy milionë sudanezë kanë marrë arratinë. Por miratimi i rezolutës së tanishme, të cilën Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun e quan historike, pati nevojë për shumë kohë dhe përpjekje. Në Sudan do të dërgohet një trupë paqeruajtëse e përbërë prej 26.000 vetësh. Kjo pritet t'i japë fund gjenocidit në Darfur, një detyrë me të cilën ushtarët e paguar dhe të pajisur keq të Bashkimit Afrikan janë të mbingarkuar.

Por rezoluta për Darfurin, e cila prej kreut të diplomacisë botërore epitetohet si "historike", mund të konsiderohet vetëm si një përpjekje e druajtur, sepse ajo përbën vetëm një kompromis, për të cilin arritën të bien më në fund dakord të 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit. Britania e Madhe dhe Franca përgatitën një projekt-rezolutë në të cilën nuk bëhet fjalë për sulme të vazhdueshme të trupave qeveritare sudaneze dhe të milicëve xhanxhavidë. Ky kompromis përfshin edhe klauzolën që trupa ndërkombëtare e paqes nuk ka të drejtë të sekuestrojë armët ilegale. Embargoja e armëve ndaj Sudanit është e dobët dhe anashkalohet prej shteteve të tilla si Kina apo Rusia. Rezoluta nuk përmban as sanksione në shkallë të gjërë kundër Sudanit. Kina, e cila ka edhe të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, i ka pasur gjithmonë "halë në sy" sanksionet ndaj Sudanit. Pa u vënë veshin dëshmive që sillinin organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut për gjenocidin në Sudan Kina me abstenimin e saj ka bërë të dështonin disa rezoluta të OKB-së.

Dhe ndërsa tragjedia në Darfur ka katër vjet që vazhdon, e ke tepër të vështirë ta kuptosh se përse rezoluta e OKB-së për misionin e paqës u zvarrit kaq shumë. Deri në miratimin e kësaj rezolute u deshën 50 deklarata në të cilat shprehej shqetësimi kolektiv për gjendjen në Darfur dhe frika se aty mund të ndodhnin gjëra edhe më të tmerrshme. Të gjitha këto formulime diplomatike tingëllonin cinike përballë vrasjes së grave, fëmijëve apo pleqve në Darfur.

Me rezolutën e miratuar tani prej OKB-së është i kënaqur edhe abasadori i Sudanit pranë OKB-së, Abdalmamud Abdalhaleem, në një kohë që presidenti sudanez Omar Hassan el-Baschir e quajti javën e kaluar pas një vizite të shkurtër në Darfur, gjenocidin si propagandë të përhapur prej perëndimit.

El-Baschiri ka arritur ta shmangte deri tani çdo përpjekje për stacionimin e një trupe të përzier mes ushtarësh të Bashkimit Afrikan dhe ushtarësh të OKB-së.

Në këtë mënyrë kjo rezolutë e OKB-së duhet kuptuar një herë për një herë si një sinjal i diplomacisë perëndimore dhe jo si përfundim i gjenocidit në Darfur. Aty do të vazhdojnë të vriten për ditë njerëz, mijëra të tjerë do të detyrohen të marrin arratinë në vendet fqinjë Çad apo Republikën e Afrikës Qendore, ku gjithashtu nuk janë të sigurt prej sulmeve të milicëve xhanxhavidë. Ekspertët janë të mendimit se deri sa misioni më i madh i OKB-së të jetë i gatshëm për të vepruar do të kalojë ndoshta një vit. Një vit ndoshta në të cilin vrasjet masive do të vazhdojnë.