1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dyshimet për varrezat e kosovarëve në Maqedoni

Autoritetet e Maqedonisë dhe Kosovës kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar në zbardhjen e dyshimeve për ekzistencën e mundshme në Maqedoni, të dy varrezave masive me kufoma të kosovarëve nga vitet 1998-99.

Ministrat e jashtëm të Maqedonisë dhe Kosovës, Antonio Milososki dhe Skender Hiseni.

Ministrat e jashtëm të Maqedonisë dhe Kosovës, Antonio Milososki dhe Skender Hiseni.

Ministria e punëve të jashtme e Maqedonisë, përmes ambasadës së Maqedonisë në Kosovë ka pranuar një kërkesë nga autoritetet e Prishtinës, për realizimin e një hetimi për ekzistencën e dy varrezave masive në Maqedoni, me kufoma të civilëve shqiptarë nga Kosova, për të cilët dyshohet se janë vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Kërkesa po shqyrtohet seriozisht

Ministria e punëve të jashtme e Maqedonisë bën të ditur, se organet kompetente janë duke i shqyrtuar seriozisht këto informacione. “Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim. Kërkesa është këtu dhe ajo po shqyrtohet seriozisht. Nga ministria e drejtësisë duhet të formohen grupe, të cilat do të punonin së bashku me institucionet e Kosovës për verifikimin e këtyre njohurive, të cilat janë vërtet serioze. Duhet të kërkohen lokacione, të bëhet autopsia nga ekipet e mjekësisë ligjore që të verifikohen, nëse ka ose jo diçka të tillë,” thotë Petar Çulev, zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Maqedonisë.

Mijëra shqiptarë të Kosovës largohen për në Maqedoni, 1999

Mijëra shqiptarë të Kosovës largohen për në Maqedoni, 1999

Mundësia për krijimin e grupeve dypalëshe për verifikimin e informacioneve për mundësinë e ekzistimit të varrezave të shqiptarëve nga Kosova në Maqedoni, është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë, Shefik Duraku. “Maqedonia do ta marrë dhe do ta trajtojë shumë seriozisht këtë çështje për shkak të indikiacioneve shumë serioze, që janë prezentuar nga ana e palës kosovare për ekzistencën e mundshme të varrezave masive në territorin e Republikës së Maqedonisë,” është shprehur Shefik Duraku.

Ka shumë spekullime

Ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Skënder Durmishi thotë se lidhur me këtë rast ka shumë hipoteza, supozime madje edhe spekulime lidhur me numrin, kohën dhe vendin e varrosjes së tyre. Prandaj sipas Durmishit, është me rëndësi që të veprohet në mënyrën e duhur dhe sa më shpejtë që të jetë e mundur. “Ne kemi ndjerë peshën e këtij problemi gjithmonë, dhe shpresoj se tani jemi pak më afër këtij momenti për të bërë një veprim më konkret, tani ka edhe marrëdhënie diplomatike dhe bashkëpunim më intensiv të ministrive,” thotë Skënder Durmishi ambasador i Kosovës në Maqedoni.

Refugjatë Blllacë

Refugjatë Blllacë

Ekspertët vlerësojnë, se grupet e përbashkëta duhet të formohen sa më shpejtë, sepse çdo zvaritje mundet të shkaktojë zhdukje të argumenteve që mund të ndihmojnë në ndriçimin e çështjes. “Mendoj se institucionet e Maqedonisë kanë obligim edhe në bazë të legjislaturës së brendshme edhe në bazë të normave ndërkombëtare, që t`i zbardhin të gjitha realitetet, të gjitha faktet që kanë të bëjnë me ato ngjarje. Çdo taktizim, çdo ikje ndaj problemit mund të jetë supozim se dikush diçka fsheh,” thotë Mersel Bilalli, profesor i mardhënieve ndërkombëtare në universitetin FON.

"Derisa nuk zbardhet rasti nuk duhet të përdoret termi- varre masive, sepse bëhet fjalë për familje, emocione apo për fate njerrëzish, andaj termi varre masive ndoshta duhet të evitohet," thotë Petar Çulev nga ministria e Jashtme e Maqedonisë.

Sipas informacioneve të autoriteteve kosovare dyshohet, se të dy varret me kufomat e kosovarëve në Maqedoni gjenden në Bllacë dhe në brendi të varrezave Butel të Shkupit.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama

DW.COM

  • Data 21.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NyIn
  • Data 21.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NyIn