1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Dyshime për vepër me natyrë terroriste

Një i ri i armatosur rëndë hapi zjarr në një tren francez. Dy pasagjerë u plagosën rëndë. Drejtoria e anti-terrorizmit e prokurorisë së Parisit po heton.

Është e zakonshme që në rast dyshimesh për vepra me "natyrë terroriste" hetimet i merr përsipër Prokuroria e Parisit që merret me terrorizmin tha ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve. Ai bëri thirrje që të mos bëhen spekulime të nxituara. Motivi dhe identiteti i autorit të krimit janë ende të paqarta. Ndryshe nga ai, kryeministri belg Charles Michel u shpreh për një sulm terrorist.

Sipas hetimeve fillestare 26-vjeçari me origjinë marokane, që kishte qëlluar në trenin Thalys në intinerarin Amstedam-Paris kishte jetuar përkohësisht në Spanjë. Sipas gazetës spanjolle "El Pais" shërbimi sekret e kishte atë klasifikuar si radikal dhe kishte njoftuar edhe autoritetet franceze. Ai duhet të ketë qenë kohët e fundit në Siri.

Atentatori kishte hipur në tren në Bruksel. Sipas autoriteteve ai kishte qëlluar një pasagjer dhe kishte plagosur me thikë një të dytë. Agjencia franceze e lajmeve AFP njoftoi se të plagosurit nuk janë në rrezik vdekjeje.

Udhëtarë vënë nën kontroll atentatorin

Dy ushtarë amerikanë të cilët ishin me pushime dhe po udhëtonin rastësisht të veshur me rroba civile në atë tren, e vunë nën kontroll atentatorin. "Ne dëgjuam një të shtënë dhe një xham që u thye," tha Alek Skarlatos për kanalin televiziv francez BFMTV. "Unë pashë një burrë që erdhi me një kallashnikov pas meje." Unë i kapa pushkën dhe ne e qëlluam në kokë derisa ai ra pa ndjenja." Atentatori sipas hetuesve ishte i armatosur me një kallashnikov, një pistoletë, nëntë karikatorë dhe një thikë të mprehtë.