1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dy ushtarë amerikanë vriten në Frankfurt - dorasi besohet se është nga Kosova

Në Aeroportin e Frankfurtit u vranë të mërkurën (02.03.) dy ushtarë të SHBA-së. Dorasi me sa duket e ka origjinën nga Kosova. Kancelarja Angela Merkel dhe ministri i Jashtëm Westerwelle u shprehën të tronditur për aktin.

Policë transportojnë në Aeroportin e Frankfurtit trupin e njërës nga viktimat ushtarë të SHBA

Policë transportojnë në Aeroportin e Frankfurtit trupin e njërës nga viktimat ushtarë të SHBA-së

Vendi i ngjarjes direkt para Terminalit 2 të Aeroportit të Frankfurtit është bllokuar në një hapësirë të gjerë. Xhami frontal i autobusit të ushtrisë së SHBA është mbuluar me një pllakë blu. Me sa duket xhami është dëmtuar nga të shtënat. Zjarrfikësit, policia dhe të afërm të ushtrisë së SHBA kanë mbërritur në vend. Pak informacione të konfirmuara kishin depërtuar në publik deri në orën 19 të së mërkurës. Sipas zëdhënësit të policisë së Frankfurtit, Andre Sturmeit, ecuria e ndodhisë dhe sfondi i saj janë "ende krejtësisht të paqarta". Më konkretisht megjithatë shprehet ministri i Brendshëm i Hessenit, Boris Rhein, të paktën përsa i përket ecurisë së ndodhisë:

"Për momentin ne dimë se një doras, që ka lindur në Kosovë dhe që ka banuar këtu në Frankfurt, i moshës 20 deri 21 vjeç, ka vrarë këtu dy ushtarë amerikanë. Me sa duket njërin nga viktimat ai e ka vrarë para autobusit, ka hyrë pastaj në autobus dhe ka vrarë shoferin në vendin e shoferit."

Duket edhe e sigurt se akti u krye me një revole.

Dy ushtarë të tjerë u plagosën rëndë, ata sipas policisë janë dërguar në spitalet fqinje. Menjëherë pas atentatit u arrit që dorasi të arrestohet nga nëpunës të Policisë Federale. Burrin tani po e intervistojnë, për motivin e tij deri tani nuk dihet gjë. Kështu që edhe ministri i Brendshëm nuk mund të thotë asgjë për sfonde të mundshme terroriste. Për një sfond të tillë spekulohet, ka informacione se dorasi ka thirrur pak para atentatit "allahu akbar", pra "Zoti është i madh". Zëdhënësi i policisë, Sturmeit pret të dhëna më të sakta nga pyetjet e dëshmitarëve:

"Ka dëshmitarë, ata po merren ndërkohë në pyetje, ka pasur persona të tjerë, që kanë qenë shumë pranë vendit të ngjarjes."

Edhe policia ushtarake e SHBA është përfshirë në hetime. Ushtarët amerikanë patën mbërritur me një avion linje nga Londra në Frankfurt, tha zëdhënësi i Kuartierit Kryesor të Forcave të Armatosura të SHBA në Evropë. Ata do të dërgoheshin me autobus në bazën e forcave ajrore të SHBA-së në Ramshtajn në landin e Rajnland- Pfalcit dhe prej atje do të dërgoheshin së shpejti në ndërhyrje në Afganistan ose Irak. Ata kishin qenë stacionuar në Lakenheath - rreth 100 km nga Londra - dhe bënin pjesë te Security Forces, te policia ushtarake e forcave ajrore.

Qeveria e Kosovës foli për një akt të dhunshëm "të tmerrshëm" dhe "monstruoz". Ajo do t'i jetë "përgjithmonë" mirënjohëse qeverisë së SHBA-së për "mbështetjen e fortë" për shkëputjen nga Serbia në shkurt 2008. Populli i Kosovës e dënon "me vendosmëri aktin frikacak" të Frankfurtit. Një polic i rangut të lartë në Prishtinë i tha agjencisë së lajmeve AFP se ka mundësi që dorasi të jetë një shqiptar i Kosovës nga rajoni i Mitrovicës.

Autor: Roman Warschauer/ Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj

  • Data 03.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10Sci
  • Data 03.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10Sci