1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dy pikat doganore të Kosovës me Serbinë në veri të vendit edhe më tej jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës.

Maune me mallra hyjnë nga Serbia në Kosovë, por nuk doganohen fare. Kontrabanda që po zhvillohet në veri të Kosovës e ka dëmtuar buxhetin me miliona euro.

Makinë e OKB-së në flakë në Jarinje, kufiri Kosovë-Serbi, shkurt 2008

Makinë e OKB-së në flakë në Jarinje, kufiri Kosovë-Serbi, shkurt 2008

Në pjesën veriore të Kosovës, zhvillohet një kontrabandë e paparë, thonë autoritetet në Prishtinë. Kjo për faktin që dy pikat doganore me Serbinë, akoma janë jashtë kontrollit që nga shpallja e pavarësisë. Këto pika doganore u dogjën nga serbët lokalë, ndërkaq tash e tre muaj aty nuk ka doganierë dhe maunet me mallra vazhdimisht hyjnë nga Serbia në Kosovë. Drejtori i Shërbimit Doganor të Kosovës, Naim Huruglica, thotë se kjo gjendje po dëmton rëndë buxhetin e Kosovës. Kontrabanda më e madhe sipas tij, po bëhet me derivatet e naftës.

"Në fillim nafta është kontrabanduar me cisterna të mëdha, mirëpo, pas një kontrolli me të rreptë nga ana jonë, kontrabanduesit kanë ndërruar strategji, nga transportimi në sasi të mëdha kanë filluar me makina të vogla dhe kontrabanda është bërë në vendet ku njësitë tona nuk kanë pasur qasje", thotë Huruglica.

Më të zëshmit me kritika për mosfunksionimin e dy pikave doganore me Serbinë, janë partitë politike opozitare. Ato thonë se, qeveria e Kosovës në bashkëpunm me UNMIK-un, duhet të hartojë një strategji, madje të kërkojnë edhe ndihmën e forcave paqeruajtëse KFOR dhe të doganojnë mallrat që hyjnë nga Serbia në Kosovë. Trupat e KFOR-it, që nga shpallja e pavarësisë janë të vendosura në këto dy pika doganore, mirëpo, ato nuk janë të detyruara që të kontrollojnë mallrat.

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës, akoma nuk e dinë se kur do të vihen nën kontroll këto pika doganore. Ata thonë se deri tash nuk kanë mundur që t’i kontrollojnë më forcë këto dy pika doganore, për faktin që është dashur të ruhet stabiliteti politik, në mënyrë që situata e sigurisë të jetë e qetë në pjesën veriore të Kosovës. Mirëpo, ata premtojnë që pas datës 15 qeshor kur Kushtetuta e Kosovës të hyjë në fuqi dhe policia të kalojë nën autoritetin e misionit të BE-së EULEX, këto pika doganore do të vihen nën kontroll. Analistët thonë se ekonomia e Kosovës varet pothuaj e tëra nga importi, ndërsa, kontrabanda që po zhvillohet në veri të vendit, e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës me miliona Euro.

  • Data 06.06.2008
  • Autor Bekim Shehu/Prishtinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EEv4
  • Data 06.06.2008
  • Autor Bekim Shehu/Prishtinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EEv4