1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Dy gjermanolindorë ecin përpara

Kancelarja gjermane Merkel vjen nga DDR, po ashtu edhe presidenti i ri, Gauck. Por edhe 22 vjet pas ribashkimit elita perëndimore dominon në shoqërinë gjermane. A ndodhemi tani në prag të një ndryshimi?

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i ri, Joachim Gauck

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i ri, Joachim Gauck

Çfarë kanë të përbashkët, presidenti amerikan Barack Obama dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel? Të dy janë anëtarë të një pakice shoqërore. Njeriu më i fuqishëm në botë është presidenti i parë me ngjyrë në një vend të dominuar nga të bardhët. Gruaja më e fuqishme në Evropë është kancelarja e parë gjermano-lindore, në një vend të ndikuar nga politika gjermano-perëndimore. Dhe aq pak sa kanë ndryshuar raportet mes njerëzve të bardhë dhe atyre me ngjyrë në SHBA që prej zgjedhjes së Obamës në vitin 2008, aq kanë ndryshuar në Gjermani raportet mes gjermano-lindorëve dhe gjermano-perëndimorëve, që prej zgjedhjes së Merkelit në postin e kancelares në vitin 2005.

Në këtë mes nuk do të ndryshojë asgjë as zgjedhja e presidentit të ri të socializuar në DDR-in komunist, Joachim Gauck. Dy gjermano-lindorë në dy postet më të larta politike janë një gjë, ndërsa realiteti i jetës dhe perceptimet e njerëzve në territorin e ish-RDGJ-së janë një gjë tjetër. Një vështrim në statistika dhe anketa tregon qartë se sa ngadalë po ndryshojnë gjërat, objektivisht dhe subjektivisht. Papunësia në Lindje me më shumë se dymbëdhjetë për qind është pothuajse dyfish më e lartë se në perëndim (6.9%). Një dallim i madh ka filluar të vërehet që nga fillimi i viteve '90.

Shumë prej tyre ndihen si qytetarë të klasit të dytë

Rindërtimi i lindjes

Rindërtimi i lindjes

Dy dekada pas ribashkimit të Gjermanisë, të mëdha vazhdojnë të jenë edhe dallimet e të ardhurave. Ata që punojnë në mes të Detit Baltik dhe Saksonisë, fitojnë mesatarisht vetëm 85 për qind të pagës që fitohet në mes të Hamburgut dhe Mynihit. "Nga ana tjetër, vlera aktuale e pensionit në Lindje është përafruar tashmë deri në gati 89 për qind me vlerën perëndimore", thuhet në gjuhën burokratike gjermane, por jo pa një ton krenar në "Raportin Vjetor të Qeverisë Federale për gjendjen e bashkimit gjerman 2011". Megjithatë njerëzit e prekur nuk i gëzohen zvogëlimit të ngadaltë të diferencave financiare, duke e perceptuar ato si diskriminim të padrejtë.

Ky frustrim manifestohet rregullisht në sondazhe. Mungesën e drejtësisë sociale e hetojnë rreth dy të tretat e gjermano-lindorëve, tregojnë rregullisht studimet që nga mesi i viteve 1990. Edhe 20 vjet pas ribashkimit si qytetarë të klasës së dytë e ndjejnë veten rreth 42 për qind, thuhet në një studim të Institutit Allensbach. Të gjitha këto vlera në thelb nuk kanë ndryshuar që prej ardhjes në pushtet të kancelares Merkel në vitin 2005. Dhe nuk ka asnjë shenjë që diçka mund të ndryshojë tani me fillimin e presidencës të Joachim Gauckut.

Për dikend karrierë, për dikend dështim

Ish presidenti Wulf, presidenti Joachim Gauck dhe e shoqja Daniela Schadt

Ish presidenti Wulf, presidenti Joachim Gauck dhe e shoqja Daniela Schadt

Përveç kësaj, vlen të hidhet një vështrim në rrethanat e jashtme, në të cilat të dy përfaqësuesit e shtetit kanë mbërritur në postet e tyre të larta. Udhëheqësi shumëvjeçar i zyrës së dosjeve të Stazit, Joachim Gauck përfitoi nga dorëheqja e paraardhësit të tij Christian Wulff, kundër të cilit ai kishte humbur në zgjedhjet presidenciale të vitit 2010. Madje edhe atëherë, sikur presidenti në Gjermani do të zgjidhej drejtpërdrejt nga populli, shumica do të vendoste për teologun e shkëlqyer protestant. Por, posti më i lartë sa i përket protokolit në Gjermani caktohet nga një panel i përfaqësuesve të federatës dhe të 16 landeve. Edhe pse fillimisht kancelarja Merkel dëshironte të parandalonte ardhjen e Gauckut në këtë post edhe pas dështimit të Wulff-it, asaj iu desh të dorëzohet para presionit të partnerit të koalicionit, Partisë Liberale FDP.

Ndërkaq Angela Merkel ngjitjes së saj nga posti i ministres së Familjes, më vonë ministre e Mjedisit, nën drejtimin e të ashtuquajturit kancelari i bashkimit, Helmut Kohl deri në postin e sekretares së përgjithshme të CDU-së dhe postin e kryetares së partisë, përveç talentit të saj të veçantë politik ia ka borxh edhe skandalit politik për donacionet ilegale të partisë të kancelarit Kohl.

Të gjithë ministrat e Merkelit janë nga Perëndimi

Në këtë mënyrë karriera e dy gjermanolindorëve në Gjermaninë e bashkuar aq sa ka bëjë me meritat personale dhe aftësitë e tyre aq ka të bëjë me dështimet e paraardhësve të tyre. Nëse Merkel dhe Gauck do të arrinin në këto poste vetëm për shkak të talenteve të tyre atëherë edhe rezultatet e sondazheve për kënaqësinë e gjermano-lindorëve ka shumë të ngjarë që do të ishin më pozitive.

Kabineti qeveritar

Kabineti qeveritar

Asnjë nga 14 ministrat e emëruar nga Merkeli në kabinetin federal nuk vjen nga Lindja. Dhe ashtu si në politikë, gjendja paraqitet edhe në ekonomi apo në media. Ashtu si më parë asnjë nga 30 kompanitë e renditura në krye të indeksit gjerman të aksioneve DAX nuk udhëhiqet nga një gjerman i Lindjes. Situata është e ngjashme edhe në shtëpitë e mëdha mediatike. Karola Wille është gjermanolindorja e parë që ka arritur të bëhet drejtoreshë në një medium publik (MDR).

Autor: Marcel Fürstenau / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama