1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dy fitues: Mekein dhe Klinton në zgjedhjet në Florida

Christina Bergmann30 Janar 2008

Senatori amerikan Xhon Mekkein ka fituar në zgjedhjet e republikanëve për kandidatin e ardhshëm për postin e presidentit në shtetin federal të Floridas. Tek demokratët triumfoi senatorja Hilari Klinton

https://p.dw.com/p/Czl7
Kandidati republikan, Mekkein pas fitoresFotografi: AP

Pas numërimit të tre të katërtave të votave, Mekkein rezulton të ketë marrë 36 për qind të tyre. Konkurrenti i tij më i fortë, ish guvernatori Mit Romnei, mori 31 për qind. Shumë më mbrapa në vend të tretë u rradhit ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Rudi Xhuliani. "Fitorja jonë nuk ka përmasat e një lavine por është megjithatë shumë e ëmbël" u shpreh senatori Mekkein pas rezultatit të votimit në Florida.

Mekkein optimist

Republikani Mekkein duket se ia ka dalë edhe njëherë mbanë. Pas një fushate elektorale shumë agresive me konkurrentin e tij më të fortë në Florida Mit Romnei, Mekkein numëron tani 57 delegatë në anën e tij duke dalë kështu në vend të parë në garën e kandidatëve republikanë për postin e presidentit. Kjo nuk do të thotë vetëm që mund të mbledhë më shumë kontribute, Mekkein tregoi se mund të fitojë në një shtet federal ku në lokalet e votimit mund të shkojnë vetëm republikanë. Mekkein ka një marrëdhënie të dyzuar me shumë republikanë të cilët e cilësojnë shumë liberal. Sukseset e tij të deritanishme i atribuohen para së gjithash votave të zgjedhësve të pavarur.

Senatori iu referua këtij fakti në fjalimin e tij të fitores: "Unë jam optimist se do të fitojmë këtë garë, edhe garën e madhe në nëntor kundër kujtdo kandidati që do të zgjedhin demokratët."

Me këtë fitore të Mekkein gara tek republikanët është sërish e hapur. Mit Romnei, ish senatori i Masaçusetit, i cili pason Mekkeinin në vendin e dytë, tha dje se do të vazhdojë garën. Të njëjtën gjë ka deklaruar edhe Majk Hakëbi, ish guvernatori i Arkansasit.

Ndërsa ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Rudi Xhuliani është thuajse e sigurtë se nuk do të marrë më pjesë në zgjedhjet paraprake të republikanëve. Vitin e shkuar ai konsiderohej i favorizuar nga republikanët dhe e kishte përqëndruar fushatën e tij elektorale në Florida. Vendi i tretë në këto votime është për të një dështim të cilin nuk mund t'a kapërcejë lehtë. Ka shumë të ngjarë që orët e ardhshme ai të njoftojë zyrtarisht tërheqjen nga gara. Thuhet se Xhuliani do të mbështesë kandidatin fitues në Florida, Xhon Mekkein.

Klinton festoi fitoren

Për Hilari Klintonin, fituesen në kampin e demokratëve, avantazhi i siguruar ndaj konkurrentit të saj Barak Obama nuk sjell delegatë për kongresin e partisë në fund të gushtit në Denver të Kolorados, ku do të caktohet kandidati për postin e presidentit. Florida bën pjesë në ato shtete që i kanë zhvilluar zgjedhjet përpara kohe duke shkelur kështu direktivat e partisë demokratike. Si dënim votat e delegatëve nga Florida nuk do të merren në konsideratë në Denver. Megjithatë Klinton festoi fitoren. "Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë masive. Njerëzit në Florida donin që zëri i tyre të dëgjohej në çështjet që prekin kombin dhe botën. Jam e lumtur që kam marrë nga ju sot këtë votëbesim. Unë premtoj se delegatët nga Florida do të marrin pjesë në kongresin e partisë dhe se votat e tyre do të jenë të vlefshme."

Se si do t'a arrijë Klinton këtë është ende e paqartë.