1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Dy bashkëshortë nën arrest lidhur me sulmin ndaj drejtorit të policisë së Pasaut

Policia gjermane vazhdon hetimet për ndriçimin e rastit të përpjekjes për të vrarë shefin e policisë së Pasaut, Alois Manishël. Në fokusin e saj është skena neonaziste. Tensionet mes neonazistëve dhe mynihasve shtohen.

Shefi i policisë së Pasaut, Alois Manihl

Shefi i policisë së Pasaut, Alois Manihl

Pas sulmit me thikë ndaj drejtorit të policisë së Pasaut, Alois Manishël (Alois Mannichl), u nxorr urdhër-arresti kundër dy bashkëshortëve nga Mynihu. Burri 33 vjeç dhe gruaja e tij 22 vjeç siç duket e kanë ndihmuar autorin e panjohur deri tani të veprës në përgatitjen e sulmit. Sipas policisë dhe prokurorisë ata dyshohen 'për ndihmë në tentativë për vrasje'. Dy të arrestuarit u dërguan në burgje të ndryshme, ndër të tjera për shkak të rrezikut për arratisje dhe zhdukjeje dëshmish. Një i njohur i çiftit, i cili ishte arrestuar po ashtu, ndërkohë u lirua. Ai fillimisht kishte dhënë një alibi për çiftin bashkëshortor, por pastaj nuk kishte dhënë detaje të tjera. Prandaj ai u mor në burg për ta detyruar të dëshmojë.

Ngrihen tensionet midis neonazistëve dhe banorëve të tjerë të Mynihut

Sulmi ndaj drejtorit të policisë së Pasaut duket sikur ka ngritur tensionet mes neonazistëve dhe banorëve edhe në Mynih. Radioja bavareze Bayerische Rundfunk disponon një fletëvolante që është shpërndarë nga banorët e Mynihut, përmes të cilit tërhiqet vëmendja për nazistët që banojnë në rrethina.

Të mërkurën në Harras të Mynihut u arrestua edhe një grua. Në banesën e saj ajo dëgjonte muzikë naziste me zë të lartë. Kur një fqinjë u ankua për zhurmën e madhe, ajo u kërcënua se nëse nuk mbyll gojën do ta ketë fatin e drejtorit të policisë së Pasaut. Ndërkohë gruaja në fjalë u lirua sërish nga policia.

Komisioni hetimor 'SOKO' po heton në Gjermani, Austri dhe Çeki

Nga ana tjetër komisioni i posaçëm hetimor 'SOKO', në kuadër të së cilit veprojnë 50 bashkëpuntorë, po heton në tërë Gjermaninë, në Austri dhe në Çeki për zbulimin dhe kapjen e burrit që të shtunën sulmoi me thikë dhe i shkaktoi lëndime të rënda drejtorit të policisë së Pasaut. Alois Manihël e ka përshkruar atentatorin si një burrë të fuqishëm me kokë të rruar. Ai duhet të jetë i moshës mes 25 dhe 35 vjeç.

Komisioni i posaçëm hetimor 'SOKO' po heton pa ndërprerje, në një kohë që presioni për kapjen sa më të shpejtë të keqbërësit është shumë i madh. Rasti ka zgjuar interesim të madh deri në qarqet më të larta të politikës gjermane. Një dëshmi për këtë ishte vizita e kryeministrit të Bavarisë Host Zehofer (Horst Seehofer) në spitalin ku po trajtohet drejtori i policisë. Sipas të dhënave të policisë gjendja shëndetësore e Alois Manihël është në përmirësim e sipër.

(AUD)

  • Data 18.12.2008
  • Autor Nikole Brojnl
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GIyY
  • Data 18.12.2008
  • Autor Nikole Brojnl
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GIyY