1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dushan Reljiq: Beogradi ka marrë hov

Dushan Reljiq, drejtor i zyrës së Fondacionit gjerman Shkenca & Politika në Bruksel, flet për DW mbi zhvillimet e fundit Kosovë-Serbi.

Dusan Reljic

Dushan Reljic, politolog dhe ekspert i Ballkanit

Deutsche Welle: Zoti Reljiq, si e vlerësoni vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për pezullimin e marrëveshjes për krijimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe?

Dushan Reljiq: Ky vendim i Gjykatës do të ketë me siguri influencë negative ndaj procesit të negociatave mes Beogradit dhe Prishtinës. Por në veçanti negativisht do të influencojë pozitën e Kosovës ndaj partnerëve perëndimorë dhe do ta dobësojë këtë pozitë. Megjithatë qysh në fillim të dialogut ka qenë e qartë që negociatat nuk do të jenë as të lehta dhe as të shpejta. Vendet perëndimore dhe Bashkimi Evropian kanë qenë ndonjëherë më optimistë se ç'duhet. Ata i kanë nënvlerësuar problemet ekzistuese. Këto bisedime ende janë një lojë e shumës zero!

Ç'do të thotë kjo?

Do të thotë: nëse njëra anë fiton, tjetra humb. Deri tani shumë rrallë të dyja palët kanë përfituar nga marrëveshjet. Ndoshta kanë përfituar njerëzit në rajon, sepse është lehtësuar jeta, është vendosur liria e lëvizjes, tensionet janë ulur. Por raportet politike mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë rregulluar.

Në Kosovë dhe në Serbi janë dëgjuar edhe mendime për ndryshimin e formës së dialogut. A duhet të ndryshohet diçka dhe çfarë duhet të ndryshohet?

Unë jam shumë i përmbajtur me sugjerimet për ndryshimin e formës së dialogut. E kaluara ka dëshmuar se Beogradi dhe Prishtina kanë reaguar vetëm pas nxitjeve dhe trysnive. Do të thotë, vendet perëndimore duhet të peshojnë se ç'formë presioni duhet të ushtrojnë ndaj Prishtinës për realizimin e marrëveshjeve. Por njëkohësisht duhet të japin oferta. Mendoj se ofertat mund të jenë heqja sa më e shpejtë e vizave për qytetarët e Kosovës si dhe arritja e një marrëveshjeje për migrim legal të fuqisë punëtore nga Kosova në Perëndim. Kjo do të mundësonte punësimin legal të kosovarëve në vendet perëndimore.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi vetëm një ditë pas vendimit në UNESCO, ku Serbia bëri një fushatë të gjerë kundër anëtarësimit të Kosovës. Mendoni se kjo është një lloj hakmarrjeje e Kosovës, apo është vetëm rastësi?

Problemet e Parlamentit dhe qeverisë së Kosovës me zbatimin e marrëveshjes për bashkësinë e komunave serbe janë shumë më të vjetra se vendimi në UNESCO. Problemet me UNESCO-n janë ndoshta vetëm maja e raporteve të akullta. Në mesin e shqiptarëve nuk ekziston ndonjë mendim unik nëse duhet të pranohet bashkësia e komunave me shumicë serbe. Me siguri që ka edhe probleme të tjera, por problemi kryesor është që në mesin e shqiptarëve nuk ekzsiton një konsuenzus për këtë çështje.

Opozita në Kosovë ka kërkuar ndërprerjen e dialogut me Serbisë dhe rishikimin e të gjitha marrëveshjeve, sepse rezulton që po përfiton vetëm Serbia dhe se bashkësia do të mund të çonte deri te ndarja e Kosovës. Pasi palët nuk janë të gatshme të realizojnë shumë prej marrëveshjeve të arritura, shtrohet pyetja: a ka kuptim një dialog i tillë?

Detyra e opozitës është të kritikojë qeverinë dhe të propozojë zgjidhje të tjera. Ndërsa qeveria është ajo që duhet t'i realizojë marrëveshjet e arritura, nëse për këtë ekziston shumica parlamentare. Nëse shumica parlamentare për zbatimin e marrëveshjeve me Beogradin dhe Brukselin vërtetë ekziston, atëherë ato edhe duhet të vihen në jetë. Nëse institicionet në Kosovë vërtetë funksionojnë atëherë duhet të respektojnë edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo nuk është çështje partishë por çështje e institucioneve.

Beogradi ka reaguar shumë ashpër ndaj këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Vendimi është quajtur edhe si skandaloz dhe shkelje e fjalës së dhënë në Bruksel. Si i vlerësoni reagimet e Beogradit?

Beogradi po ndjehet i inkurajuar shumë, sepse pas një kohe të gjatë, në shënjestër të kritikave nuk është Beogradi por pala kosovare, e cila nuk mund ta ketë mbështetjen e bashkësisë ndërobmëtare në këtë çështje. Por këto janë vetëm situata kalimtare. Të dy palët janë shumë të ndjeshme ndaj presioneve të Brukselit, Berlinit dhe Uashingtonit. Ndaj duhet pritur që ta marrin fjalën qendrat perëndimore, nëse situata komplikohet edhe më tej. Ky presion mund t'i ndryshojë pozicionet e tanishme në Prishtinë dhe Beograd.

Zoti Reljiq, besoni vërtetë që BE mund të ushtrojë presion ndaj palëve, në këtë situatë kur edhe vet po përballet me probleme tepër të mëdha, siç është kriza e refugjatëve? Si mund të motivohen këto vende për vazhdimin e reformave, nëse ato shohin se vet BE po përballet me probleme kaq të mëdha?

Refugjatët nga Kosova, Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë një problem serioz për Perëndimin. Ndaj këtu duhet menduar për stimulime. Ndër to janë heqja e vizave për Kosovën dhe gjetja e rrugëve për migrim legal. Ndërsa mjetet e presionit mund të jenë ashpërsimi i rregullave për futjen e azilkërkuesve, kërkesa me ngulm ndaj Kosovës për zbatimin e rrregullave nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Besoj se Brukseli, Berlini dhe Uashingtoni kanë mjete të mjaftueshme për t'i stimulular dhe detyruar palët që të realizojnë marrëveshjet.

BE dhe Gjermania kërkojnë normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Besoni ju në këtë normalizim?

Të dyja palët kanë probleme shumë më të mëdha se sa raportet mes tyre. Nuk ëshë problemi më i madh tani nëse Serbia e njeh Kosovën dhe nëse Kosova vërtetë një ditë do të funksionojë si të gjitha shtetet e tjera. Këto dy shtete kanë probleme shumë të mëdha ekonomike. Nga Kosova janë zhvendosur në disa muajt e fundit rreth 7-8 % të popullatës në moshë madhore. Njerëzit atje nuk besojnë më se në jetën e tyre do të hapet ndonjë perspektivë për një jetë më të mirë në Kosovë. Në Serbi rritja ekonomike është shumë, shumë e vogël, rreth 1 - 1,5%. Duhet të shënohet një rritje disa fish më e lartë për të përmirësuar gjendjen mjerane ekonomike. Do të thotë: më e rëndësishme për Prishtinën dhe Beogradin nuk është normalizimi i raporteve mes tyre, por normalizimi i jetës në Kosovë dhe Serbi. Elitat politike duhet të gjejnë përgjigje ndaj kësaj sfide. Por ato shpesh përpiqen ta zhvendosin vëmendjen nga problemet e brendshme, duke i paraqitur raportet Prishtinë-Beograd si më të rëndësishmet për tërë rajonin, gjë që nuk është e vërtetë.

Megjithatë, edhe një herë: Kapitulli 35 do të hapet ndër të parët në negociatat e Serbisë me BE. Ky kapitull parashikon normalizimin e raporteve me Kosovën, apo jo?

Po, por ky kapitull do të mbetet i hapur tërë kohën, deri në përfundimin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Mendoni se për këtë çështje do të negociohet tërë kohën, do të thotë edhe vite të tëra?

Natyrisht. Jam i sigurit që partnerët perëndimorë do të ndërlidhin të gjitha çështjet e kapitujeve të tjerë edhe me zbatimin e kapitullit 35.

Mendoni se negociatat me Serbinë do të hapen sivjet?

Parë nga deklaratat e fundit në Bruksel, duket se po.