1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Duke ndihmuar njëri-tjetrin" - Bashkëjetesa etnike në Radiovcë të Maqedonisë

Një nga karakteristikat e bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe maqedonasve në fshatin Radiovcë të Tetovës, është ndihma e ashtuquajtur "Supreg“, që në dialektin lokal do të thotë: duke ndihmuar njëri- tjetrin.

Fshati Radiovcë i Tetovës, në Maqedoni.

Fshati Radiovcë i Tetovës, në Maqedoni.

Fshati Radiovcë i Tetovës me 1300 banorët e tij, nga të cilët dy të tretat janë shqiptarë, nuk ndryshon shumë nga qindra fshatra të tjerë në këtë rajon. Bujqësi e prapambetur, një numër problemesh të pazgjidhura komunale, shumë të rinj të papunë... Janë këto shqetësimet e këtij fshati.

Drakçe Stevanovski, banor i fshatit, thotë: "Ne ndihmojmë njëri-tjetrin, punojmë së bashku dhe shoqërohemi... ".

Kryetari i bashkësisë lokale Musa Ziberi thotë se me kontribute të përbashkëta vullnetare, krijohen fonde financiare për të trajtuar problemet e përbashkëta komunale:

Kryetari i bashkësisë lokale Musa Ziberi.

Kryetari i bashkësisë lokale Musa Ziberi.

"Këto për ujin, këto për stacionin e autobusit, për parkun dhe për rregullimin e qasjes tek varrezat ortodokse dhe ato muslimane. Është një kontribut nga i gjithë fshati. Secili ka dhënë sipas mundësisë: nga pesëqind, një mijë, apo treqind denarë. Dhe kështu krijuam një fond të përbashkët për zgjidhjen e problemeve komunale."

Një nga karakteristikat e bashkëjetesës në këtë mjedis shumëetnik është i ashtuquajturi "supreg“, që do të thotë: duke ndihmuar njëri-tjetrin. Lube Sofrevski shpjegon:

"Ka pasur shembuj që shqiptarë me maqedonas të jenë “supreg” gjatë lërimit dhe mbjelljes së arave, bartjes së sanës, dhe në punë tjera … Ajo ishte atëherë e pashmangshme, gjithë të përzier dhe së bashku.”

Ndërsa Musa Ziberi shton: "Po, ajo ekzistonte moti në fshatin tonë, që nga koha e hershme. Por edhe sot e kësaj dite ekziston, sepse ende ndihmojmë njëri-tjetrin në fusha e ara“.

Musa Ziberi, Bashkim Nuredini, Ljube Sofrevski dhe Abdyl Maksuti.

Së bashku për të zgjidhur problemet e pëbashkëta - Musa Ziberi, Bashkim Nuredini, Ljube Sofrevski dhe Abdyl Maksuti.

Sofrevski pohon se edhe shakatë janë pjesë e pashmangshme e jetës së përditshme:

"Gjatë ditës ne e dijmë se kush ka bërë çfarë, ç'ka ndodhur, kush ka lëruar dhe kush ka mbjellë. Në emër të atyre që nuk kanë lëruar bëjmë shaka pa marrë parasysh se a është shqiptar apo maqedonas. Këto ndodhin pothuajse çdo ditë."

Në mes të fshatit Radiovcë gjendet dyqani me artikuj ushqimorë dhe artikuj të tjerë, pronë e Bashkim Nuredinit. Ai është edhe anëtar i Komisionit për marrëdhënie etnike në Këshillin e komunës së Bërvenicës. Nuredini kujton momentet kur puna me dyqanin nuk i shkonte mirë:

"Një herë Zhivko Stevanovski erdhi kur në dyqan nuk kisha pothuajse fare mall. Më tha: Eja Bashkim, merre furgonin të shkojmë për mall. Më ndihmonte që ta furnizoj dyqanin. Domethënë as atë kohë nuk kishte problem, e lëre më sot.“

Abdyl Maksutit dhe Drakçe Stevanovskit nuk u intereson politika, por loja e shahut dhe rehati në tavolinën e përbashkët.

"E pra, unë nuk jam për politikë dhe nuk e mbështes askënd. Më intereson që së bashku të luajmë me letra, shah dhe lojëra të tjera. Më intereson të jetoj mirë, e politika nuk më intereson fare."

Ngjashëm shprehet edhe Stevanovski:

„Në mbrëmje luajmë me letra, shikojmë ndeshjet e futbollit etj. Por ne ndihmojmë njëri - tjetrin edhe në rastet e vdekjes. Kush nuk ka, mund të huazojë - maqedonasi nga shqiptari dhe anasjelltas.“

Banorët e Radovicës kujtojnë edhe përmbytjet e marsit të këtij viti. Lube Sofrevski shpjegon se si ia kanë shpëtuar njëri-tjetrit shtëpinë dhe bagëtinë nga vërshimet e lumit Bogovinë.

"Pika më e vështirë e përmbytjes gjendej pikërisht tek maqedonasit. Shqiptarët sollën thasë me rërë dhe i radhitën aty ku vërshonte lumi. Ata na ndihmuan që të mos përmbyten shtëpitë tona. Pati plot dëme, por u evituan dëmet edhe më të mëdha.“

Banorët pohojnë se një klimë e ngjashme mbretëron edhe tek fëmijët në shkollë.

"Në shkollën tonë fillore ka lodra për fëmijë. Atje shoqërohen edhe shqiptarët edhe maqedonasit, luajnë së bashku futboll, basketboll. Natyrisht që mes fëmijëve ndodhin edhe zënka, por janë në kuadër të lojës“.

Si maqedonasit ashtu edhe shqiptarët në shumë raste kontribuojnë në zgjidhjen e incidenteve. Kështu rasti denoncohet shpejt dhe menjëherë merren masa, për t'a zgjidhur atë.

Autor: Sveto Toevski / Qeriman Bekteshi

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 29.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ncie
  • Data 29.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ncie