1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Duhet krijuar besim i ri

Bernd Riegert7 Nëntor 2007

Konferenca e ministrave të jashtëm të BE me shtetet mesdhetare fqinjë EuroMed, synon të afrojë palestinezët me izraelitët

https://p.dw.com/p/C54Y
Logoja e Euro Med-it
Logoja e EuroMed-it në Lisbonë

I ngarkuari me politikën e jashtme të BE, Havier Solana u tregua optimist. Nëse të gjitha punët ecin mirë, atëherë ai mbështet prognozën e kryeministrit izraelit, Ehud Olmert, i cili kishte thënë se brenda një viti mund të kemi një shtet të sigurtë izraelit dhe një shtet palestinez të aftë të mbijetojë.

"Unë mendoj se është i mundur një sukses. Aktivizimi i një politike te re dinamike është e mundur. Dhe këtë duam të arrijmë ne."

Komisarja e BE për marrëdhëniet me jashtë, e cila organizon ndihmën financiare për palestinezët në Bregun Perëndimor të Jordanit dhe për Rripin e Gazës, të sunduar nga Hamasët, e vizitoi këtë rajon javën e kaluar. Edhe Benita Ferrero- Waldner u tregoi një optimizëm të kujdessshëm:

"Unë besoj se ka shenja të mira, megjithatë pozicionet janë ende shumë larg njëra-tjetrës. Kjo do të thotë se ne duhet të japim këtu ende shumë mbështetje."

Rreth 420 milionë dollarë paguan BE këtë vit për zonat palestineze. Mjetet financiare do të shpërndahen përmes mekanizmave të komplikuara, për të penguar që prej tyre të përfitojnë Hamasët radikalë islamikë. BE shpreson që fraksionet në grindje Hamas dhe Fatah të bien dakord së shpejti sërish për një qeveri të përbashkët për Jordanin Perëndimor dhe për Rripin e Gazës. Ndëshkimet kolektive nuk do të ndihmonin, beson komisarja për politikën e jashtme të BE, Benita Ferrero Valdner. Nga ana e tij, Izraeli dëshiron të pengojë goditjen me raketa të territorit të tij nga ana e palestinezëve.

Duhet krijuar besimi

Para konferencës për Lindjen e Afërme në Annapolis, konferencën e parë nën regjinë e SHBA brenda këtyre shtatë viteve, duhet të krijohet besim i ri, thotë Ferrero-Valdner. Njerëzit në Izrael dhe në zonat palestineze duhet të ndiejnë, se gjendja e tyre mund të përmirësohet shpejt dhe konkretisht përmes bisedimeve të paqes.

"Duhet të krijohet si të thuash në rrugë paralele këtu një vrull i ri, dhe ne po përpiqemi që ta krijojmë këtë vrull, duke punuar këtu me të dyja palët."

Se cilin rol duhet të luajë BE në procesin e paqes së Lindjes së Afërt, kjo nuk është shumë e qartë. Sidoqoftë, me rreth 500 milionë Euro në vit, BE është donatori më i madh i ndihmave financiare për palestinezët. Deri tani, BE nuk ka marrë asnjë ftesë për në Annapolis, tha Benita Ferrero Waldner:

"Ende jo, nuk janë shpërndarë ende ftesa, sepse ende nuk është caktuar data. Kjo varet natyrisht edhe nga fakti nëse ekziston vërtet një deklaratë e përbashkët e mirë, dhe për këtë deklaratë po punohet tani."

BE duhet të luajë rol të rëndësishëm

Ministri i jashtëm i Portugalisë dhe presidenti i radhës i BE, Luis Amado, tërhoqi vëmendjen që BE mund të japë ndihmë për ndërtimin e bashkëpunimit ekonomik në të gjithë Lindjen e Afërt. Tregtia e lirë, qarkullimi i lirë i mallrave dhe personave në rajon është çelësi i suksesit. Kjo duhet të vlejë sipas Luis Amados edhe për shtetet e Magrebit në Veri të Afrikës:

"BE ka marrëdhënie bilaterale me të gjitha shtetet e Magrebit. Kjo është përcaktuar në një sërë marrëveshjesh dhe bashkëpunimesh të shteteve anëtare. Unë mendoj se BE duhet ta nxitë tani më fort bashkëpunimin me rajonin."

Sfidat e përbashkëta

Me këtë është dakord edhe kryetari i shteteve të Magrebit, ministri i jashtëm i Libisë, Abd al-Rahman Shalgam. Në të 12 vitet, që prej kur ekziston konferenca e Mesdheut, në kuadër të saj kanë ndodhur pak gjëra. Konflikti në Lindjen e Afërt shpesh ka hedhur hijen e tij në përpjekjet disapalëshe. Shndërrimi i Libisë nga një shtet që mbështet terrorizmin në një partner të pranuar, tani sapo ka përfunduar. Komisarja për politikën e jashtme të BE, Benita Ferrero-Valdner bëri thirrje, që të ardhmen të punohet më shumë:

"Ne ndodhemi me të vërtetë para sfidave të përbashkëta. Le të mendojmë ndryshimin e klimës, emigrimin ilegal, furnizimin energjitik, konkurencën globale dhe energjitë e ripërtëritshme. Kjo kërkon shkëmbimin e pikëpamjeve dhe zhvillimin e mundësive të përbashkëta."

Propozimin e presidentit francez, Nikolas Sarkozi, për të krijuar një Bashkim të ri Mesdhetar, të përbërë nga të gjitha shtetet evropiane, shtetet e Lindjes së Afërme dhe shtetet fqinjë afrikane, BE e vështron me skepticizëm. Kjo ndërmarrje e Sarkozisë, e cila do t'i ofrohet Turqisë si zëvendësim për një anëtarësim të plotë, nuk duhet të kthehet në një sipërmarrje konkurente për BE, u tha në qarqe diplomatike. Komisarja e BE për politikën e jashtme, Benita Ferrero-Valdner tha në Lisbonë se ky propozim më parë duhet shqyrtuar dhe mund të konsiderohet i mirë, po të sjellë dobi të mëtejshme.