1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dueli i vëllezërve Xhaka

Ndeshje emocionale: më 11 qershor Zvicra do të luajë kundër Shqipërisë - dhe Granit Xhaka kundër vëllait të vet Taulantit.

Granit Xhaka do të donte ta kishte shmangur këtë duel. Në Kampionatin Evropian të Futbollit ai do të luajë për Zvicrën kundër të vëllait, Taulantit që luan për Shqipërinë. "Kjo është gjëja e fundit që kemi dashur - që të luajmë kundër njëri-tjetrit", thotë kapiteni i klubit të Bundesligës Borussia Monchengladbach. Dhe kjo që në ndeshjen raundit të parë të të dy ekipeve, më 11 qershor.

"Më mirë do të jetë sikur të nga nxjerrin që dy me kartelë të kuqe pas dy minutash nga fusha", bën shaka Graniti. Ai dhe i vëllai Taulant janë të njohur si kokënxehtë dhe ka ndodhur që i kanë nxjerrë para kohe nga fusha. Në mars të vitit 2012 ata kanë luajtur një herë kundër njëri-tjetrit në ekipe të ndryshme, në kampionatin zviceran. Në atë kohë, Graniti luante për FC Basel, kurse Taulanti për Grasshopper Zurich. "Ajo ishte një ndjenjë e çuditshme", thotë Xhaka, por tani është edhe më e veçantë. Të luash në Kampionatin Evropian kundër vëllait tënd, nuk është e lehtë."

Arratisje nga lufta në Kosovë

Për të gjithë familjen, kjo ndeshje është diçka shumë e veçantë. Babai Ragipi që kishte qenë si student tre vjet në burg në Prishtinë, për shkak se u ishte bashkuar protestave kundër qeverisë jugosllave, iku në vitin 1990 nga Kosova për në Zvicër. "Ne jemi lindur dhe rritur që të dy në Bazel. Kosovën e kemi parë për herë të parë në moshën dymbëdhjetë vjeç," thotë Graniti.

Si Graniti dhe i vëllai në Zvicër ka edhe plot sportistë të tjerë që kanë dy nënshtetësi. Në ekipin kombëtar të Zvicrës veç Granitit ka edhe gjashtë shqiptarë të tjerë që luajnë. Kundër Shqipërisë ai ka luajtur dy herë në kuadër të kualifikimit për Botërorin 2014. Të dy herët fitoi ekipi zviceran.

Shumë lënduese kur të fishkëllejnë bashkëkombësit e tu

"Vëllai im nuk e njeh ndjenjën dhe nuk e di se si është kur dikush luan kundër një kombi, të cilit ia di shumë për faleminderit. Unë e di këtë. Sinqerisht që është një ndjenjë muti", thotë Graniti. Ishte shumë emocionale dhe shumë njerëz nuk mund ta kuptonin se përse ai kishte vendosur që të luante për Zvicrën. "Fishkëllimat e bashkatdhetarët të mi që pjesërisht edhe më ofenduan më kanë lënduar." - thotë Graniti.

Po në ndeshjet për Kampionatin Botëror të Futbollit ka pasur disa duele vëllezërish, si p.sh. vëllezërit Boateng. Jerome luante për Gjermaninë, kurse i vëllai Kevin-Prince për Ganën. Në ndeshjet për Kampionatin Evropian të Futbollit deri tani nuk ka pasur ndonjë rast të tillë.

Dueli i vëllezërve Xhaka në Kampionatin Evropian, është edhe një simbol i trazirave politike gjatë 25 viteve të fundit në Evropë. Për t'u shënuar në këtë mes është se të dy Xhakat ndoshta do të luajnë së shpejti në të njëjtin ekip, atë të Kosovës, e cila pas pranimit në UEFA u pranua së fundi edhe si anëtare e FIFE-s.