1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Duda Balje: Bosnja duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës

Boshnjakët janë kosovarët e vertetë, ndërsa Bosnje-Herecegovina po humbet shumë me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, pohon deputetja boshnjake në parlamentin e Kosovës, Duda Balje, në intervistë për Deutsche Wellen.

Deutsche Welle: Zonja nënkryetare e parlamentit, në Kosovë më së shumti flitet për minoritetin serb dhe pozitën e tij - për shkak të problemeve nga e kaluara. Cilat janë prolemet dhe prioritetet kryesore të boshnjakëve në Kosovë?

Duda Balje: Bashkësia etnike boshnjake, për nga numri i tyre në Kosovë, është e treta, pas shqiptarëve dhe serbëve. Problemi më i madh i boshnjakëve në Kosovë është që ata nuk i kanë komunat e veta, për dallim prej bashkësive të tjera etnike. Serbët i kanë komunat e tyre, ndërkohë që edhe bashkësia etnike turke, e cila ka dyfish më pak banorë në Kosovë, ka komunën e vet në Mamushë. Probleme shumë të mëdha kemi edhe me arsimin. Gjuha zyrtare boshnjake ekziston në Prizren, Pejë dhe Dragash, ku jeton numri më i madh i boshnjakëve. Ne kemi problem të madh me mungesën e librave shkollorë. Problem tjetër i madh është nostrifikimi i diplomave, sepse megjithë marrëveshjen në Bruksel, diplomat e boshnjakëve që kryejnë shkollat dhe fakultetet jashtë Kosovës ende nuk njihen. Kjo sjell me vete probleme të tjera, sepse ne kemi katedrën për gjuhën boshnjake në Universitetin e Prizrenit dhe Pejës, por nuk kemi profesorë, sepse diplomat e tyre nuk njihen në Kosovë. Për njohjen e diplomave jemi duke kërkuar zgjidhje me ministrin e Arsimit, Arsim Bajrami dhe me zonjën Edita Tahiri, e cila e drejton dialogun me Serbinë. Por mendoj se Serbia nuk është e interesuar fare që të zgjidhë problemin me njohjen e diplomave. Serbia ka ndaluar nostrifikimin e diplomave dhe Kosova, sipas sistemit të reciprocitetit, ka qenë e detyruar të ndalojë nostrifikimin e diplomave të arritura në Serbi.

Kjo do të thotë që diplomat e boshnjakëve të mbrojtura në Serbi nuk njihen në Kosovë dhe se ata nuk mund të punojnë me këto diploma?

Duda Balje: Ky është një diskriminim direkt i boshnjakëve. Serbët nuk i kanë këto probleme, sepse asnjë serb deri më sot nuk ka konkurruar për vendet e lira në Universitetin e Prizrenit, të Pejës apo të Prishtinës. Ndaj më të dëmtuarit jemi ne - boshnjakët. Kemi dhe raste kur diplomat janë nostrifikuar në Bruksel, por nuk njihen në Kosovë. Probleme shumë të mëdha kemi edhe me papunësinë e lartë, por këtu ndajmë fatin e të gjithë banorëve të Kosovës. Pengesë e madhe është mosnjohja e gjuhës shqipe nga të rinjtë boshnjakë. Pasi të rinjtë tanë nuk mund të shkollohen në të gjitha drejtimet në Kosovë, ne i dërgojmë fëmijët në Serbi, Bosnje apo Maqedoni. Kështu krijohen akademikë boshnjakë, të cilët nuk e njohin gjuhën shqipe dhe nuk mund të konkurrojnë në tregun kosovar të punës.

Si mendoni se mund të zgjidhen këto probleme të boshnjakëve? A vareni ju vetëm nga marrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit, apo edhe vet keni nisur ndonjë iniciativë?

Si nënkryetare e parlamentit të Kosovës dhe deputete në mandatin e dytë, unë jam shumë e vetëdijshme për problemet. Një pjesë të problemeve mund ta zgjidhim ne vetë, ndërsa pjesën tjetër duhet të presim që ta zgjidhim në kuadër të dialogut. Për nostrifikimin e diplomave, unë jam përpjekur të bisedoj me të gjithë përgjegjësit. Ne po përpiqemi të gjejmë ndonjë zgjidhje të përkohshme, pr aq kohë sa ky problem nuk zgjidhet në nivelin shtetëror mes Kosovës dhe Serbisë. Një prej problemeve që mund të zgjidhim brenda Kosovës është edhe komuna jonë. Këtë problem me siguri që mund ta zgjidhim ne në Kosovë. Ish-kryeministri Hashim Thaçi na ka premtuar shumë herë krijimin e komunës me shumicë boshnjake, gjatë fushatave parazgjedhore. Këto premtime i ka dhënë hapur, para 3-4 mijë boshnjakëve gjatë fushatës elektorale në Prizren - pasi ne kemi kërkuar tri komuna të posaçme boshnjake: në Prirzren, në Pejë dhe në Dragash. Nuk e di fare nëse këto kërkesa janë futur në procedurë. Sidoqoftë, deri tani udhëheqësit e Kosovës vetëm kanë premtuar, me synim që të fitojnë votat e boshnjakëve. Ne kemi biseduar edhe me kryeministrin e ri, Isa Mustafa, por deri tani nuk ka premtuar asgjë.

A jeni të përfshirë edhe në procesin e dialogut, pasi pohoni se ka dhe probleme që kanë të bëjnë drejtëpërdrejt me komunitetin që ju përfaqësoni?

Jo, nuk jemi fare të përfshirë. Para disa ditësh kam biseduar me zonjën Tahiri dhe kam kërkuar që të përfshihemi në dialog, në pjesën që ka të bëjë me njohjen e diplomave. Por zonja Tahiri më ka thënë se ky është dialog mes dy shteteve dhe s'ka të bëjë fare me bashkësitë e tjera etnike. Por ka treguar gatishmëri që të konsultohet me ekspertë, që e njohin situatën në terren. Dhe nëse rezulton si e domosdoshme të na përfshijë edhe në negociata.

Në Kosovë po flitet aktualisht shumë për krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe. Si e shohin boshnjakët këtë proces, a duhet të ketë ky asociacion edhe të drejta ekzekutive?

Unë e kam të qartë që kjo është një lojë mes shqiptarëve dhe serbëve. Neve edhe Kushtetuta dhe ligjet na quajnë "të tjerët", pasi thuhet shqiptarët, serbët dhe "të tjerët". Kjo me siguri nuk është mirë. Këtu flitet shpesh për integrimin e serbëve në Kosovë, por pas të gjitha atyre që kanë ndodhur në luftë dhe pas luftës, mendoj se Kosova vërtetë është duke humbur shumë kohë me serbët, të cilët nuk duan të integrohen. Në Kosovë kemi dy kategori njerëzish: ata që e njohin Kosovën dhe të tjerët. Unë nuk e njoh asnjë serb që thotë se Serbia nuk është shteti i tij amë. Ndërkohë që edhe një numër i madh i shqiptarëve e trajton Shqipërinë si vendin amë. Vetëm ne boshnjakët jemi kosovarë të vërtetë. Ne nuk kemi kontakte me Bosnjen, e cila deri më sot nuk ka treguar aspak interes për ne. Unë e kuptoj që Bosnja është një shtet shumë i komplikuar, sepse atje nuk vendosin vetëm boshnjakët dhe ekziston e drejta e vetos së serbëve dhe kroatëve. Bosnja deri më sot nuk na ka ndihmuar. Pra ne nuk kemi shtet tjetër - Kosova është shteti i vetëm që kemi. Ndaj edhe jemi të interesuar që të gjitha problemet tona t'i zgjidhim në vendin tonë - në Kosovë.

Zonja Balje, nëse shqiptarë dhe serbët nuk duan ta ruajnë integritetin e Kosovës, boshnjakët me siguri që nuk do t'ia dalin në këtë drejtim. Por nuk më keni dhënë përgjigje në pyetjen: a duhet të ketë bashkësia e komunave serbe të drejta ekzekutive, sepse shumëkush në Kosovë mendon se forcimi i komunave serbe mund të jetë hapi i parë drejt ndarjes së Kosovës?

Ne nuk mund ta ruajmë, por të tjerët duhet të ndjekin shembullin tonë. Sa i përket ndarjes, mendoj se edhe Serbia e ka të qartë se Kosova është shtet i pavarur. Mendoj se gjysma e Serbisë nuk ka asnjë problem me njohjen e këtij fakti. Ndaj është jologjik krijimi i ndonjë mekanizmi që do të çonte në ndarje të Kosovës. Mendoj se serbët këtu kanë frikë për të ardhmen e tyre, ndaj po përpiqen të krijojnë një lloj ekuilibri me pushtetin e shqiptarëve këtu. Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të ekzistojë vetëm në qoftë se është asociacion kosovar. Shqiptarët në Kosovë janë shumicë dhe besoj se serbët definitivisht nuk do të mund t'i realizojnë qëllimet e tyre të parashikuara me këtë asociacion. Në rregull është që serbët të kenë bashkësinë e komunave me shumicë serbe, por shqiptarët janë ata të cilët gjithmonë do të vendosin për fatin e Kosovës.

Ju pak më lart thatë se me Bosnjen nuk keni raporte tepër të ngushta. A keni ndonjë lloj koordinimi me Sarajevën?

Shumë herë kemi bërë përpjekje të vendosim konktakte të ngushta me Sarajevën, por për fat të keq nuk kemi arritur. Ju e dini se Bosnja është vendi i vetëm në rajon që ka futur viza për kosovarët. Bosnja është fajtore për këto viza dhe jo Kosova, sepse Kosova është detyruar të vendosë viza për boshnjakët, sipas sistemit të reciprocitetit. Pushteti në Sarajevë nuk është vetëm pushtet i boshnjakëve. Ata mbase brengosen për ne, por ne deri më sot, ndaj nesh ata nuk kanë treguar kurfarë interesi. Unë i lutem Zotit, që Bosnja të mos ndodhë edhe në Kosovë. Pra që të edhe këtu të ketë ndarje të ngjashme të pushtetit si në Sarajevë. Kjo ka bërë që liderët boshnjakë në Bosnje të mos mund të kujdesen as për ne këtu në Kosovë. Unë nuk i fajësoj ata, sepse i kanë duart e lidhura. Ne nuk kemi nevojë për ndihma financiare, por vetëm morale. Thjesht të dimë që ekziston dikush që kujdeset për ne dhe mund të na ndihmojnë të paktën me këshilla.

Bosnje-Hercegovina si vendi i vetëm që ka futur viza për kosovarët nga vendet e ish-Jugosllavisë më shumë ka dëme sesa dobi nga këto viza, sepse kjo pengon edhe marrëdhëniet ekonomike. Si e shihni ju këtë proces?

Problemi më i madh në Sarajevë është pamundësia që boshnjakët të vendosin vet. Rolin vendimtar e ka luajtuar këtu vetoja e serbëve. Por edhe këtu viktima më e madhe jemi ne - boshnjakët e Kosovës. Serbët e Kosovës kanë pasaporta të Serbisë dhe pa viza mund të shkojnë në Bosnje-Hercegovinë. Ndërsa shqiptarët pothuajse nuk kanë nevojë të shkojnë atje. Kush është viktima? Ne boshnjakët e Kosovës! Ne kemi vetëm pasaporta të Kosovës dhe na duhen vizat.

Kur mund të pritet zgjidhja e këtij problemi?

Ne kemi kërkuar shumë shpesh zgjidhjen e këtij problemi. Kosova e ka thënë shumë qartë se menjëherë do t'i heqë vizat, por hapin e parë duhet ta bëjë Bosnja. Mendoj se në të gjithë procesin e pasluftës dhe tensioneve në raportet shqiptaro-serbe, më së shumti jemi dëmtuar ne boshnjakët. Serbët gjithmonë janë më të privilegjuar.

Bosnje-Hercegovina është vendi i vetëm nga hapësirat e ish-Jugosllavisë, e cila krahas Serbisë, ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ju si përfaqësuese e boshnjakëve në Kosovë: mendoni se Sarajeva duhet ta njohë këtë pavarësi?

Po, Bsonja duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës. Mendoj se kjo do të përmirësonte edhe pozitën e boshnjakëve në Kosovë. Bosnje - Hercegovina po humbet shumë me mosnjohjen e Kosovës. Kosova është një treg shumë interesant dhe me mosnjohjen e saj, Bosnje - Hecegovina humbet shumë ndërsa më së shumti përfitojnë Serbia dhe Maqedonia. Kosova ka një pozitë shumë të mirë gjeografike dhe mund të furnizohet nga shumë vende të tjera. Ndërsa Bosnje-Hercegovina ka humbur shumë me humbjen e këtij tregu.