1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Duarbosh në Athinë - Merkeli nuk lëshon pe

Kancelarja gjermane Angela Merkel viziton të martën Athinën. 7000 policë do të garantojnë vizitën e sigurt të Merkelit, e cila pritet me protesta të mëdha.

Kancelarja gjermane Angela Merkel do të zhvillojë në Athinë këshillime se si mund të pengohet falimentimi që rrezikon Greqinë. Athina nuk duhet të shpresojë në marrjen e ndihmave të tjera financiare, tha prerë qeveria gjermane. "Greqia ka rënë në gjendje jashtëzakonisht të vështirë ekonomike dhe financiare për shkak të disa dështimeve që ka pasur vitet e kaluara", tha ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble për emisionin televiziv "Berlin direkt", të kanalit televiziv ZDF. "Ata që u thonë grekëve se fajin për këtë gjendje e ka qeveria gjermane ose Evropa, ata gënjejnë," theksoi Schäuble dhe i dha një refuzim të qartë shpresave greke për ndihma të reja financiare, që lindën në kuadër të vizitës ditën e martë të kancelares Angela Merkel në Greqi.

Greqia duhet të përmbushë kushtet!

Schäuble i bëri thirrje qeverisë greke, që të mbajë premtimet e bëra për kursime. Kancelarja gjermane nuk shkon në Greqi për të dhënë ndihma të reja financiare, theksoi ministri gjerman i Financave. "Ajo nuk do të flasë në Greqi për çështjet e trojkës." Trojka, organizmi i donatorëve ndërkombëtarë, duhet të raportojë nëse Greqia i përmbush detyrimet që rrjedhin nga programi. "Kjo është kryesorja, pjesa tjetër është pak fantazi," theksoi Schäuble. Prioriteti duhet të mbetet që ky vend i Evropës juglindore të bëhet sërish i aftë për konkurencë dhe të ketë sërish korridor në tregjet finanicrae, për të qenë në gjendje të marrë sërish para me përqindje të arsyeshme."

Protesta masive në Athinë

Protesta masive në Athinë

Kancelarja guxon të futet në gojën e ujkut

Për herë të parë që prej shpërthimit të krizës financiare, Merkel shkon në Greqi, e cila është duke u përgatitur me marrjen e masave të forta të sigurisë. 7000 policë nga të gjitha pjesët e vendit do të shkojnë në kryeqytet. Institucionet gjermane si ambasada dhe Instituti Gëte, janë duke u mbrojtur në mënyrë të veçantë, njoftojnë mediat greke. Tek popullsia zien zemërimi për kursimet e mëdha, shpesh politika e qeverisë gjermane shihet si kokë turku. Pritet që qytetarët ta shprehin zemërimin e tyre kundër kursimeve të dhimbshme nëpërmjet demostratave. Sindikata më e madhe e vendit, ka njoftuar për një grevë treorëshe me një demostratë të madhe në qendër të Athinës. 

Ekonomia greke është e zhytur në recesion shumë më tepër se sa mendohej deri tani. Zyra e statistikave në Athinë korrigjoi shifrat për tre vitet e kaluara. Sipas shifrave të reja, prodhimi i brendshëm bruto në vend ka rënë në vitin 2010 me 4,9 përqind, dhe në vitin 2011 me 7,1 përqind. Si bazë për korrigimet e shifrave, autoritetet përmendën rënien masive të konsumit dhe ekonominë private. Këtë vit qeveria e Athinës pret rënie të aktivitetit ekonomik prej 6,5 përqind. Ekonomia greke është tkurrur që nga viti 2008 me një të pestën.