1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Duam t'i kapim së bashku kriminelët!" - Projekt bashkëpunimi

Të mërkurën më 14 prill do të fillojë në Vjenë nga puna një projekt i ri bashkëpunimi ndërmjet organeve policore të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Turqisë, Austrisë dhe Gjermanisë.

default

Ndër të tjera projekti synon të nxisë edhe bashkëpunimin policor ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, thotë në këtë intervistë Dr. Sabine Vogt, drejtore e seksionit të Mbështetjes Ndërkombëtare në Zyrën Federale të Kriminalistikës (BKA).

Deutsche Welle: Zonja Dr. Vogt, Çfarë synon projekti juaj?

Dr. Sabine Vogt: Në radhë të parë, ne duam të përmirësojmë standardet e punës policore në Ballkanin Perëndimor. Këtë do ta bëjmë së bashku me koleget dhe kolegët nga rajoni, pra do të ngremë një rrjet bashkëpunimi. Fillimisht do të nxjerrim së bashku, cilat kanë qenë praktikat më të suksesshme, pastaj do të shohim se ku ndodhet secili vend, për të realizuar me të projekte sa më të përshtatshme, qoftë në formë seminaresh, qoftë në formë analizash. Kjo prek të gjitha fushat e punës policore, duke filluar nga sigurimi i gjurmëve në vendin e ngjarjes e deri tek parandalimi i terrorizmit, lufta kundër krimit të organizuar, e atij ekonomik dhe financiar. Pika e fundit do të jetë realizimi i mëtejshëm i një nisme më të hershme të Austrisë për të ngritur zyrat e kontaktit në secilin vend të rajonit, të ashtuquajturat ILECU (Law Enforcement Coordination Units), të cilat do të koordinojnë punën ndërkombëtare.

Deutsche Welle: Ky projekt nuk është as i pari e as i fundit që financon Bashkimi Evropian në këtë fushë. Çfarë e dallon atë nga projektet e tjera?

Dr. Sabine Vogt: Ju keni të drejtë kur thoni se ekzistojnë një numër i madh masash dhe është shumë e vështirë t'i dallosh. Por kjo iniciativë ka një përparësi, ajo forcon bashkëpunimin ndërmjet shteteve, sepse rajoni duhet të jetë në gjendje të bashkëpunojë në nivelin policor nëse dëshiron të luftojë me sukses krimin. Prandaj edhe ne kemi futur në këtë projekt të gjitha vendet e Ballkanit, plus Turqinë.

Deutsche Welle: Por edhe Serbinë dhe Kosovën, dy shtete që nuk e njohin njëri-tjetrin. A do të ketë bashkëpunim edhe ndërmjet tyre?

Dr. Sabine Vogt: Kjo është një temë shumë delikate. Është një përpjekje për të bërë të qartë domosdoshmërinë e bashkëpunimit të paktën në nivelet profesionale, sepse mungesa e bashkëpunimit krijon detyrimisht zona të lira për kriminalitetin. Ne nuk duam të zgjidhim problemet politike, por të përmirësojmë punën në praktikë.

Deutsche Welle: Gjermania ka projekte të ngjashme bilaterale me secilin vend, por për herë të parë angazhohet në këtë mënyrë në nivel mbarë-rajonal. Cili është përfitimi që shpresoni ju nga ky projekt që ka të bëjë me Ballkanin?

Dr. Sabine Vogt: Ne duam të kemi kolegë, me të cilët do të mund të punojmë së bashku. Duhet ta pranojmë që krimi në Ballkanin Perëndimor ekziston, qoftë si tranzit qoftë si burim, Ky krim prek edhe Gjermaninë. Kriminelët janë shumë fleksibël dhe ka shumë grupime të tilla në Gjermani që vijnë nga vendet e Shqipëria, Bosnja Hercegovina, Serbia e Kroacia, ashtu siç ka edhe shumë kriminelë gjermanë që veprojnë në Ballkan. Këta ne duam t'i kapim së bashku. Kontaktet ekzistojnë, por ato kanë nevojë për përmirësim, sidomos duke pasur parasysh që këto vende duan të hyjnë në BE, pra është e nevojshme të kemi kuptim të njëjtë për punën policore.

Intervistën e zhvilloi Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 13.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MuxV
  • Data 13.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MuxV